LAJMI I FUNDIT:

Çfarë duhet të bëjmë para se “Tigrat” të lirohen”?

Çfarë duhet të bëjmë para se “Tigrat” të lirohen”?

Para 2500 viteve, Konfuçi synonte të krijonte modelin e ri të njeriut në Kinë, përmes modelit të njeriut superior. Ky njeri për të pasqyronte kërkimin për të përsosurën, që bazohet në moral, në drejtësi, në urtësi… e që merret me veten e jo të tjerët. Përmes këtij modeli që duhet të ndiqet, dhe përmes përkufizimeve të njeriut inferior që duhet të shmanget, ai mendonte se bota do të jetë vend më i mirë për t’u jetuar.

Por, idetë e tij binin ndesh me politikat e kohës – nga sundimtarët me virtytet e inferiorit që me këto parime të ulëta e krijonin dhe e ruanin pushtetin. Teksa idetë e tij Konfuçi nisi t’i zbatojë në shtetin Lu dhe me to u ulë krimi në vend (disa nga këto ide janë moderne për ditët e sotme, si ajo që për ushqimin e fëmijëve dhe pleqve duhet të kujdeset shteti), rivalët e frikësuar nga këto reforma ia dërguan sundimtarit Ding një peshqesh me 80 valltare të bukura. Lakmia dhe epshi bën që Dingu me ditë të tëra të mos merret me punët e shtetit, me atë çfarë do të duhej të bënte, por me femrat që me synime dinake lehtë ia morën mendtë. I zhgënjyer, Konfuçi u largua nga ky shtet.

“Ajo që njeriu superior kërkon është në vetveten e tij, ndërsa ajo çfarë njeriu i vogël kërkon është tek të tjerët”, është një nga thëniet më të mira të tij, aktuale sidomos në shoqëritë shqiptare, kudo në Ballkan. Mjafton të dëgjohet diskursi i partive, që të keqen dhe dështimin e shohin vetëm tek rivalët, për të kuptuar se masa drejtohet nga ata që Konfuçi i quante inferiorë, e që në realitetin shqiptar janë të kamufluar me petkun e patriotizmit, të idealizmit dhe të drejtësisë. Masa i ndjek, sepse nuk kërkon vet zgjidhjen, por e pret atë nga të tjerët. E, përderisa zgjidhja nuk vjen, faji kërkohet vetëm tek rivali apo i huaji.


Pothuajse të gjithë, sidomos pushtetarët shqiptarë, kanë “Rrobat e reja të Perandorit”. Askush nuk guxon ta shohë momentalisht të vërtetën, por në këtë procesion mashtrimi një ditë një fëmijë do të dalë e do të flasë për lakuriqësinë. Sepse, hiri dhe diamantet, armiku dhe miku, të gjithë në fund do të jenë të barabartë!

Këtë e ka parë një ditë, një jetim i luftës, qëkur kuptoi se çfarë ndodhi kur “Tigrat u liruan”. Emri i tij është Roger Waters, themelues dhe autori kryesor i rok-grupit Pink Floyd. Si anëtar i këtij grupi, e si çdo yll roku, ai dikur ishte në kërkim të famës. Mbase si njeri inferior, produkt i temave të tij dikur ishte tjetri, meqë ai merrej me fatin tragjik të çmendurisë dhe të izolimit të mikut të fëmijërisë dhe të liderit të dikurshëm të grupit, Syd Barret. Më vonë, kur kupton se kërkimi absurd i famës nuk krijon gjë tjetër pos tulla në mendjen e njeriut, ai do të reflektojë nga vetja e tij (“The Wall”, 1979).

Kështu, nga vitet ’80 të shekullit të kaluar, frymëzim i bëhet fati jetësor dhe mungesa e babës që kurrë nuk e ka njohur. Ai sot është ateist i deklaruar radikal, ndaj çdo dështim shoqëror e sheh tek njeriu. Hyjnitë për të nuk janë bazë e mirë për të marrë vendime, për të tashmen e sidomos për të ardhmen.

Traumat e fëmijërisë e ndjekin njeriun si mallkim gjatë tërë jetës, ndaj përjashtim nuk bën as Waters. Babën e kishte besimtar të madh, por vetë mbeti jetim. Këtë zhgënjim ndaj religjionit ai e shpreh sidomos në albumin “Amused to Death” (1992), me këngën “What God Wants”, kur thotë se çfarë do Zoti atë edhe e merr – të mirën e të keqen. Ndërsa, si çdo njeri, edhe “Zoti do që fshehtësia e tij kurrë mos të tregohet”, sepse “Zoti do siguri/ Zoti do mbrojtje për vetveten”! Dikush e cilëson këtë këngë si blasfemi, sepse Waters thotë se “Zoti do kryqëzatë/ Zoti do xhihad/ Zoti e do të mirën/ Zoti e do të keqen”. Por, në fakt, duhet të shihet më shumë si goditje ndaj atyre që çdo veprim të keq e fshehin me petkun e religjionit e që shmangin të vërtetën dhe kërkimin e saj për të lënë vepra të mira edhe për gjeneratat e ardhshme.

Waters e kërkon të vërtetën; kërkon përgjigje për të mirat e të këqijat e jetës. Gjithçka në jetën e tij ngjan me personazhin e instrumentalit “The Ballad of Bill Hubbard” (“Amused to Death”, 1992), e me dilemën se a kemi mundur të bëjmë më shumë, diçka më të mirë, në momente të caktuara të jetës!

William Hubbard vdiq në “tokën e askujt”, gjatë Luftës së Parë Botërore, si pjesëtar i Këmbësorisë Mbretërore. Njeriu i fundit pranë tij, në hendek, ishte Alf Razzell. Hubbard, i plagosur rëndë, zgjedh vdekjen në vend të rënies në duar të gjermanëve. Kujtimi për të ngjallet 67 vjet më vonë, më 1984, kur Razzell e shikon emrin e tij në Memorialin e të Zhdukurve në Arras të Francës, imazh ky që sjell në mendjen e tij dilemën: A kam mundur të bëj më shumë?

“Çfarë duhet të bëjmë?” (“What Shall We Do”, turneu “The Wall” 1980-81 dhe filmi me të njëjtin titull i vitit 1982), është dilema që Waters e ka ngritur edhe më herët – si një luftë në mes të nevojave reale, asaj që të tjerët kërkojnë dhe dëshirës për të përqafuar kriteret dhe trendët e të tjerëve. Kjo dilemë e ndjek edhe sot yllin “plak” të rokut! Kështu, në BBC, në emisionin “HardTalk”, Waters thotë se është i lumtur që ka gjenet e babës së tij. Ndërsa, i mbushen sytë lot kur kujton një veteran, i cili gjatë një koncerti në SHBA i kishte thënë: “Baba do të mburrej me ty”! Ndonëse në moshë të “shtyrë”, ai shprehet se do të donte të dinte se çfarë baba ka mundur të mendojë për të. Gjyshi që ka famë e para, që ka arritur atë që synonte dikur, do të donte ta dinte këtë përgjigje. Ky për të është sot ngushëllimi, prehja dhe realizimi personal: çfarë pra do të thoshte sot Eric Fletcher Waters?

Eric u lind më 28 dhjetor 1914. Ishte i krishterë i devotshëm, me pikëpamje komuniste dhe pacifiste. Por, Lufta e Dytë Botërore bëri që ai të ndryshojë qëndrimet: përkundër faktit që kishte diplomë universitare, i bashkohet forcave të Këmbësorisë Mbretërore (pjesë e të cilave ishte William Hubbard dikur). Ideali i tij i ri ishte të merrte hak ndaj krimeve të nazistëve. Në këtë tentim vdiq në Betejën e Anzios në Itali, më 18 shkurt 1944. I biri i tij Roger ishte pesëmuajsh. Trupi i Ericut nuk është gjetur kurrë.

Në moshën 70-vjeçare, Waters shkon në Anzio për të zbuluar sërish se çfarë ka ndodhur me babën e tij. Aty takon ushtarin britanik që jeton në Itali, e që kishte marrë pjesë në betejën e Anzios – Harry Shindler. “Eric Fletcher Waters u vra në një hendek në ora 11:30, kur brigada e tij ishte rrethuar”, ka thënë ai, duke treguar edhe lokacionin në qendër të qytetit Aprilia, 10 milje larg Anzios, ku Eric ishte vrarë. Waters vuri në Aprilia një monument përkujtimor për babën e tij, që prehu pak shpirtin e tij, siç para një memoriali shpirtërisht u çlirua Alf Razell. Aty Waters vuri fjalët që në një mënyrë falin edhe ushtarët që ia vranë babën, meqë ishin pre e iluzioneve dhe patriotizmit të rrejshëm. “Hiri dhe diamanti/ armiku dhe miku/ Të gjithë ishim të barabartë/ Në fund”.

Me këto fjalë përfundon kënga “Two Suns in the Sunset” (“The Final Cut”, 1983), që fliste për paranojën e Holokaustit nuklear – frikën e viteve ’60 të shekullit të kaluar, që Waters e kishte përjetuar në rini – me fundin fatal dhe prapë dilemën se “ndoshta kjo është” ajo që është dashur bërë në jetë! Këto vargje tregojnë në një mënyrë se jeta e Watersit ka mundur të jetë më ndryshe, më e mirë, sikur të gjithë do të ishin më të ndërgjegjshëm në veprimet që bëjnë; sikur të gjithë do të ishin më të sinqertë dhe të vetëdijshëm për drejtësinë që askush nuk mund ta shmang – barazinë… vdekjen… “në fund”!

Kështu, ndonëse ishin gjermanët që ia vranë babën, Waters fajëson natyrën e njeriut. Si një luftëtar i kauzës palestineze, ai që në vitet ’80 të shekullit të kaluar tallet me imazhin e frikshëm të “arabëve me thika”, ndërsa ironizon me “qiejt e Gjermanisë perëndimore” që në fakt janë një aludim i aeroplanëve britanikë që kryen bombardimet më të mëdha në histori ndaj caqeve civile (“Arab With Knives and West German Skies” nga “Pros and Cons of Hitchhiking”, 1984). Sepse, krimi për të është një cikël. “Dhe gjermanët vranë hebrenjtë/ dhe hebrenjtë vranë arabët/ dhe arabët vranë pengjet/ dhe ky është lajmi” (“Perfect Sense I”, nga “Amused to Death”, 1992). “Ndaj, a është çudi që majmuni hutohet”. Majmuni është Waters dhe secili që bie pre e lajmeve, e shmangies nga e vërteta, e veprimeve të këqija që janë pasojë e besimit të verbër ndaj atyre që fshihen prapa petkut të gënjeshtrës e këtë nuk guxojnë ta thonë.

Waters, autori i një prej këngëve më të bukura për luftën në Kosovë, “Each Small Candle”, në shtator të këtij viti ka paralajmëruar premierën e një filmi që ndërlidhet me një nga turnetë më të mëdha që mbahen mend, “The Wall Live” (2010-2013). Fjala është për inskenimin teatral të albumit “The Wall”, që u finalizua më 1979. Gjatë këtij turneu janë dhënë 218 koncerte në botë, në një prej realizimeve më komplekse e më të shtrenjta ndonjëherë.

Në këtë turne nuk u ekzekutua kënga “When Tigers Broke Free” (Tigrat – tanket gjermane), që gjendet në filmin “The Wall” të vitit 1982, me regji të Alan Parkerit. E, në fakt, kjo është kënga që më së miri zbërthen shpirtin e lënduar të Watersit dhe transformimin e tij me konceptet ndryshe për jetën. Është pikërisht kjo këngë ku ai për herë të parë nuk mundte të jetë indiferentë ndaj vuajtjeve që sjell lufta dhe kur për herë të parë foli me shpirtin e fëmijës që vërejti “Rrobat e reja të Perandorit”!

“Ishte pak para agimit, një mëngjesi të mjerë të ’44-ës të zezë, kur komandanti i marshit u urdhërua të truste kur kërkoi që njerëzit e tij të tërhiqen. Gjeneralët dhanë falënderime, teksa rangjet tjera i ndalën për një kohë tanket e armikut. Pozita në Anzio u mbajt me çmimin e disa qindra jetëve të rëndomta. Dhe, Mbreti i vjetër e urtak George, ia dërgoi nënës një shënim kur mori vesh se baba shkoi. Ishte, e mbaj mend, në formë të një letre të mbështjellë, e stolisur me gjethe ari. Dhe, e gjeta një ditë, në sirtarin me fotografi të fshehura të vjetra. E, sytë e mi ende lotojnë kur e kujtoj se Lartmadhëria e nënshkroi me vulën e tij të dyllit. Ishte errët gjithandej, kishte akull në tokë kur ‘Tigrat’ u liruan. Askush nuk mbijetoi nga Batalioni ‘Z’ i Këmbësorisë Mbretërore. Të gjithë u lanë pas, shumica të vdekur e të tjerët duke vdekur. Dhe, kështu Komanda e Lartë e mori babën nga unë”, është teksti i kësaj kënge.

Këtë këngë Waters e lansoi në moshën 38-vjeçare. Që atëherë ai nuk merret më me armiqtë e jashtëm, realë e imagjinarë, por ata të brendshmit, duke u nisur nga vetja e tij.

Një ditë, edhe tek shqiptarët, dikush nuk do të mendojë më me logjikën e “majmunit”, por do të kërkojë llogari për fëmijërinë e humbur, për gabimin e dikujt në pushtim, në luftë e në paqe. Sot mund të shpallet tradhtar, por një ditë të gjithë do të lodhen nga të “pagabueshmit”, sepse do t’i shohin “Rrobat e reja të Perandorit” rreth cilave nuk do jenë më 80 valltare.

Gjatë jetës Konfuçi u përul nga Dingu, por në fund vdekja i bëri që të dy barabartë. E, sot, sundimtari Ding dhe valltaret e tij nuk kujtohen si Konfuçi. Edhe Waters do të vdes, por do të mbahet mend më shumë se ata që ia morën fëmijërinë – “Tigrat” dhe gabimet nga “Komanda e Lartë”!

E pra, çfarë pra duhet të bëjmë?


Në trend

Më shumë
Bronkiti, tuberkulozi e kanceri i mushkërive, doktoresha Mehmeti flet në podcastin “Shëndeti në rend të parë”

Bronkiti, tuberkulozi e kanceri i mushkërive, doktoresha Mehmeti flet në podcastin “Shëndeti në rend të parë”

Shëndetësi
Detaje nga vrasja e djalit të ish-gjyqtarit, gjendet një makinë e djegur në Farkë

Detaje nga vrasja e djalit të ish-gjyqtarit, gjendet një makinë e djegur në Farkë

Lajme
Fluturimi më i gjatë me aeroplan në botë ku pasagjerët 'do të shikojnë dy lindje dielli' do të nisë në vitin 2026

Fluturimi më i gjatë me aeroplan në botë ku pasagjerët 'do të shikojnë dy lindje dielli' do të nisë në vitin 2026

Botë
Parandaloni lagështinë në dritare me një truk pesë-minutësh

Parandaloni lagështinë në dritare me një truk pesë-minutësh

A e dini se...
Ukraina vjen me

Ukraina vjen me "një përditësim mbi madhësinë e forcave të Koresë së Veriut në Rusi - dhe ndikimit të tyre"

Botë
Gënjyen eprorët se kanë avancuar dhe marrë nën kontroll vendbanime ukrainase, arrestohen komandantët rusë për deklarime të rrejshme

Gënjyen eprorët se kanë avancuar dhe marrë nën kontroll vendbanime ukrainase, arrestohen komandantët rusë për deklarime të rrejshme

Evropa
Kalo në kategori