LAJMI I FUNDIT:

Burgu dhe Michel Foucault

Në librin “Disiplinë dhe ndëshkim” filozofi i njohur francez, Michel Foucault, ndër të tjera përpiqet të argumentojë dështimin e burgjeve në transformimin dhe risocializimin e të burgosurve. Ajo çfarë Foucault ka bërë është kapërcimi i një problematike shumë më të thellë sesa vet burgu si institucion që i privon nga liria shkelësit e ligjit, megjithëse në emër të thellësisë.

Edhe Focaulut sikurse shumë filozofë të tjerë, duke u përpjekur të tregojë aftësi në retorikë, dështon të tregojë aftësi në logjikë dhe praktikë.

Burgu si institucion që nuk është njohur para shekullit XVIII (të paktën jo në trajtën çfarë ekziston sot) është i thirrur të kryej të paktën tre funksione: të mbajë të mbyllur për një kohë të caktuar ata që thyejnë ligjet; të risocializojë të burgosurit dhe në mënyrë indirekte, t’ua bëjë të ditur të tjerëve pasojat që i presin në rast se e shkelin ligjin.


Duket se pikërisht dështimi i burgut në pikën e dytë e ka revoltuar Foucualt-in dhe e ka bërë njërin prej kritikëve më të ashpër të sistemit të burgjeve.

Kur të lexosh mbi padrejtësitë, që sipas Foucault iu bëhen të burgosurve, të krijohet përshtypja se të burgosurit janë njerëzit më human, të ndershëm, të moralshëm dhe në përgjithësi kanë virtytet më të pastra, ndërkohë që ata janë shkelës të disa ligjeve në fuqi, shkelja e të cilave përbën kundërvajtje apo krim, e për të cilën gjë, ata paraprakisht janë të vetëdijshëm se marrin dënim. Ne mund të pajtohemi të mos dënohen shkelësit e ligjit, por kjo, çdo njeri e di se do të prodhonte një kaos të vërtetë në shoqëri: ikja ndaj “padrejtësisë” së tyre detyrimisht prodhon padrejtësi të reja.

Pasi që shkelësi cenon lirinë apo pronën e një tjetri, heqja e lirisë së tij është në përputhshmëri të plotë si me rregullat morale, natyrore, ashtu edhe me ato ligjore, prandaj ndëshkimi i tij është meritë e vet tij.

Të befasohesh me faktin pse të burgosurit kanë një mbikëqyrje kaq të rreptë, sikur që bën Foucault, është sikurse të befasohesh me vet burgosjen e tyre, natyrisht, pasi të jetë vërtetuar që ata kanë kryer një kundërvajtje, vepër penale apo krim të caktuar, në bazë të shkallës së cilave u përcaktohet dënimi.

Ne mund të befasohemi, ama vetëm me befasitë e çuditshme dhe të paqëndrueshme sikurse ato të Foucault. Një mbikëqyrje e tillë çfarë bëhet në burgje është plotësisht e arsyeshme, në të kundërtën, shkelësit e ligjit nuk do të ishte e nevojshme të burgosen, pasi që arratisja e tyre, pikërisht në mungesë të mbikëqyrjes do të ishte një praktikë e përditshme. Një fakt tjetër brengosës është se si Foucault nuk trajton gjithaq çështjen e parandalimit të krimit jashtë kontekstit të krimit, por përpiqet të nxjerrë metoda socializuese vetëm pasi që krimi dhe ndëshkimi të kenë ndodhur, dhe për më keq se kaq, vetëm nëpërmjet tij, dhe jo para tij e jashtë tij, me një fjalë, nëse idetë e tij do t’i ilustronim nëpërmjet shembujve metaforik, ai «nuk përpiqet të pengojë ndezjen e zjarrit, por angazhohet vetëm në fikjen e tij», apo «në vend se t’i bëjë përshtypje çfarë e shtyn njeriun të futet në ujë, e shqetëson fakti pse ai del i lagur nga uji».

Foucault nuk sjell metoda, strategji apo teori se si duhet edukuar shoqëria në përgjithësi, që të mos vijë deri te ndëshkimi i një pjese relativisht të vogël të saj, por shqetësohet me trajtimin “jo human” që iu bëhet të burgosurve. Me një fjalë, Foucault në mënyrë indirekte dhe krejtësisht të pavetëdijshme pajtohet me faktin se shoqëria duhet të prodhojë njerëz që duhet të burgosen, por se ajo ku duhet të përqendrohen institucionet e burgjeve është eliminimi i recidivizmit.

Fakti se ata që kanë kryer një vepër penale janë të prirur të përsërisin atë, kjo jo domosdoshmërisht e bën burgun fajtor.

Në të vërtetë esenca qëndron diku tjetër. Nuk duhet të shtrohet çështja (të paktën jo para se të zgjidhen një varg problemesh të tjera paraprake) pse të burgosurit pasi të dalin nga burgu, prapë janë të prirur të bëjnë vepra të paligjshme. Kështu nuk zgjidhet dot problemi që na shqetëson. Ajo që është brengosëse ka të bëjë me faktin pse njeriu fillimisht e kryen një krim, edhe duke qenë i vetëdijshëm se një vepër e tillë është në kundërshtim me ligjin, dhe rrjedhimisht përherë përcillet me masa ndëshkuese.
Janë pothuajse të kota përpjekjet për t’i dhënë përgjigje një pyetje të dytë para të parës, veçanërisht kur ato janë të lidhura ngushtë mes vete. Fokusi më shumë se te pasoja duhet të përqendrohet te shkaku i saj, pra jo tek përpjekjet si t’i bëjmë të burgosurit njerëz të mirë, të edukuar, të risocializuar e të transformuar (ngaqë kështu vazhdimisht do të preokupohemi me edukimin e delinkuentëve dhe kriminelëve – e që jo gjithherë tregohemi të suksesshëm, për të mos thënë rrallëherë tregohemi të suksesshëm) por ajo ku duhet të përqendrohen institucionet kompetente është edukimi i shoqërinë, si rezultat i së cilës, nëse s’mund të eliminohen krimet dhe burgjet si vendqëndrime të ekzekutuesve të tyre, të paktën të reduktohet numri i tyre.

Pastaj, edhe nëse burgu tregohet i suksesshëm në transformimin e njerëzve, kjo nuk është një meritë e shoqërisë, sepse shoqëria vazhdimisht po tregohet e gatshme të prodhojë njerëz që kanë nevojë t’u hiqet liria. Përkundrazi, vet ekzistenca e burgjeve tregon mossuksesin e shoqërisë, edhe nëse ato (burgjet) tregohen të afta ta kryejnë me përgjegjësi funksionin më thelbësor të tyre (risocializimin e të burgosurve) dhe prandaj vetëm ndërtimi i një shoqërie në të cilën ekzistenca e burgjeve bëhet e panevojshme është tregues i suksesit të shoqërisë si tërësi, dhe vetëm këtë herë ka vend për krenari.

Megjithëse burgjet kanë arsye të krenohen me risocializimin e të burgosurve, shoqëria duhet të turpërohet pse nga gjiri i saj dalin delinkuentë dhe kriminel që duhet të burgosen.

Foucault sjell statistika se si kemi një numër të konsiderueshëm recidivistësh që i rikthehen krimeve. Ai tregon se në Francë është dëshmuar se rreth 35% e të burgosurve janë recidivist. Çuditërisht autorin më shumë e shqetëson recidivzmi, sesa fakti që përqindja më e lartë, rreth 65% janë kriminel të rinj (natyrisht, përqindjet variojnë nga vendi në vend).

Foucault përpiqet të konstatojë dështimin e burgjeve në transformimin e sjelljeve të burgosurve, por harron se përpara burgjeve dështimi i përket shoqërisë.

Zgjidhja e problemit të recidives nuk është asgjë më tepër sesa një zgjidhje fare e pjesërishme. Ne kemi arsye t’i gëzohemi këtij fakti po aq sa një njeri ka arsye t’i gëzohet faktit se me punën e tij arrin të largojë ujë me kovë prej dhomës që vazhdimisht mbushet ujë nga shpërthimi i një gypi, dhe në vend të rregullimit të tij, atë e kënaq fakti se megjithatë ai arrin të largojë ujë. E kjo nuk është tjetër veçse një vetëkënaqësi iluzore. Po kështu kënaqen edhe institucionet e policisë, gjyqësisë dhe ato të burgut. Ato suksesin e tyre, nëpërmjet deklaratave dhe raporteve që publikojnë, e masin me: arrestimin e delinkuentëve dhe kriminelëve (policia); dënimin e tyre (gjyqësia); izolimin dhe mbikëqyrjen e tyre (burgjet). Ndonëse ekzistenca e këtyre institucioneve është dëshmia më e mirë e një organizimi të dështuar mbarë shoqëror, prezenca e mëtutjeshme e tyre është e nevojshme për aq kohë sa ekzistojnë kushte në të cilat kryhet krimi, përgjegjësinë ndaj të cilave e bartim të gjithë.

Nuk është burgu ai që prodhon delinkuentë, siç shprehet Foucault, ky status fitohet para se njeriu të burgoset: në momentin që thyhet ligji. Për më tepër, burgu, vetëm (në rastin më të keq) e ridefinon gjendjen e mjerë të kriminelëve, ndërsa është shoqëria ajo që vazhdimisht i prodhon ata.

Në vend të përpjekjeve, ose më të rëndësishme se përpjekjet për të krijuar një personel burgjëror dhe kushte të mira për risocializimin e të burgosurve, duhet të bëhen përpjekje për edukimin e shoqërinë në përgjithësi, për të cilën burgjet bëhen të panevojshme.

Edhe nëse burgu nuk arrin t’i transformojë sjelljet e delinkuentëve, ai megjithatë e kryen një rol të tij, mbase jo më të rëndësishmin: kufizimin e lirisë së kriminelit, me çka i pamundëson atij, të paktën gjatë kohës sa është i mbyllur, të kryejë krime të reja (përjashtojmë sjelljet në burg). Burgu është kompetent të merret vetëm me të burgosurit, ndërsa shoqëria si tërësi (institucionet politike dhe jopolitike; agjensët e socializimit, mediet, shoqëria civile dhe shoqëria në përgjithësi) duhet të merret me vetëdijesimin dhe edukimin e individëve si pjesë e tërësisë.

Michel Foucault për hall ka faktin se të burgosurit janë të prirur të bëhen recidivist. Çështja është se kur një krim kryhet, sigurisht se organet policore dhe ato të gjyqësisë janë të obliguara të zgjedhin mes të paktën dy opsionesh: arrestimin e kryesit të veprës dhe lejimin e lirë të tij. Zgjedhja e opsionit të dytë një kriminel assesi nuk e bën më pak kriminel, përkundrazi atij vetëm i jepej edhe një “armë” shtesë për të vazhduar me vepra të tilla, dhe duke qenë se në shumicën dërmuese të rasteve ngjanë kështu, organeve përkatëse detyrimisht nuk u mbetet tjetër veçse zgjedhja e opsionit të parë, të cilit Foucault aq shumë i druhet, sepse sipas tij, burgu nuk e ulë masën e kriminalitetit. Nëse burgjet nuk ulin kriminalitetin, të paktën e pengojnë rritjen e tij, ndonëse Foucault është i prirur ta besojë të kundërtën e kësaj. Ai mendonte se kishte të drejtë në atë që thoshte, pikërisht sepse nuk e ka përjetuar dhe provuar të kundërtën e një realiteti në të cilin keqbërësit ndëshkohen.

Ajo që më tepër duhet të na shqetësojë nuk është pse riburgoset i burgosuri, por pse burgoset njeriu, dhe këtë, jo vetëm se numri i këtyre të fundit është dyfish më i lartë, nëse jo më tepër, por sepse përherë gjenden kandidatë potencial, të gatshëm t’i thyejnë ligjet.

(Autori ndjek studimet Master në Sociologji – UP)