LAJMI I FUNDIT:

Bunjaku në Danimarkë për Rashanin dhe Durmishin

Bunjaku në Danimarkë për Rashanin dhe Durmishin

Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, ka marrë rrugë për në Danimarkë që të jetë i pranishëm në ndeshjen e Ligës së Evropës mes skuadrës daneze Brondby dhe asaj bullgare Beroe.

Bunjaku nuk do të shkoj në Danimarkë vetëm për ta parë për qejfi një ndeshje futbolli, por ka udhëtuar për të kryer punë, apo më saktësisht për të marrë talent të rinj për Përfaqësuesen e Kosovës.

22-vjeçari Elbasan Rashani dhe mbrojtësi 21-vjeçar Riza Durmishi janë objektivat e Bunjakut për t’i marrë në Përfaqësuese.

Në një prononcim për Telegrafin, Bunjaku, deklaroi se dy lojtarët i ka parë edhe më parë dhe dëshiron t’i shoh nga afër në ndeshjen e Ligës së Evropës.


“Elbasan Rashani dhe Riza Durmishi janë dy lojtarë shumë të mirë dhe janë potencial për Përfaqësuesen e Kosovës. Që të dy i njoh më parë dhe tani synoj t’i kem pjesë të grupit në Përfaqësuese”, tha fillimisht Bunjaku.

“Elbasani është një sulmues anësorë shumë i mirë me teknikë të lartë dhe shpejtësi, ndërsa sa i përket mbrojtësit të majtë Riza Durmishi, është më e komplikuar puna pasi ai është pjesë e Përfaqësueses së Danimarkës”, tha Bunjaku i cili pas Danimarkës do të marrë rrugë për në Gjermani.

“Do të shkoj në Gjermani për t’i parë nga afër lojtarët e Përfaqësueses si Enis Alushi apo Dren Feka, pasi do të vendosem në Hamburg”.

“Pas Gjermanisë unë apo dikush tjetër nga stafi i Përfaqësueses do të jemi në Moldavi për ta shikuar Skënderbeun dhe lojtarët kosovarë që luajnë atë”, përfundoi Bunjaku. /Telegrafi/

Riza Durmishi