LAJMI I FUNDIT:

Botuesit kosovarë në Panairin e Librit në Tiranë, mes suksesit e problemeve administrative doganore

Botuesit kosovarë në Panairin e Librit në Tiranë, mes suksesit e problemeve administrative doganore

Njëzet e pesë shtëpi botuese me rreth 500 tituj nga Kosova kanë marrë pjesë në edicionin e 21 të Panairit të Librit në Tiranë. Për 5 ditë radhazi, këto shtëpi botuese prezantuan titujt në kryeqytetin shqiptar, teksa e vlerësojnë të suksesshëm edicionin e sivjetmë të librit.

Por në të njëjtën kohë, botuesit kosovarë thonë të jenë përballur me procedura të shumta administrative doganore, ku atyre u janë dashur dy ditë kohë për të dërguar librat në Tiranë.

Krejt kjo pasi librat së pari është dashur të dërgohen në terminalin doganor të Prizrenit, pastaj kalimi i procedurave kufitare, ku këtu hyn edhe skanimi i mjetit transportues. Më pastaj, është dashur të bëhet ndalimi edhe në terminalin doganor të Vlorës.


Të gjitha këto procedura i quan të panevojshme kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, i cili thotë se janë procedura të lodhshme dhe se janë të kushtueshme.

“Janë të panevojshme procedurat doganore për kalimin e librave nga Kosova në Shqipëri. E kanë shumë më problem botuesit e Kosovës të vijnë të prezantohen në Panairin e Librit në Tiranë, sesa që ndodh e kundërta. Doganat dhe kufijtë tanë janë shumë më liberal dhe shumë më të lirë gjatë kohës së panairit, për shkak se është një ngjarje që ndodh 5 ditë në vit dhe duhet të kenë mirëkuptim institucionet për këtë ngjarje. Sepse, para së gjithash është interes nacional, është interes kombëtar dhe botuesit e Kosovës ankohen për procedurat e lodhshme nëpër të cilat kalojnë për të sjell librat në Tiranë. Ne e kemi ngritur zërin për këtë çështje, jemi ankuar tek organizatori i panairit, jemi ankuar tek institucionet në Shqipëri dhe na kanë premtuar që duke filluar nga viti i ardhshëm të paktën të kemi një union të doganave. Të mos kemi nevojë që të njëjtat procedura që kalojmë në Prizren, të njëjtat të kalojmë këtu në Vorë, shto këtu edhe kufirin, sepse pos që kushtojnë i marrin edhe shumë kohë botuesve, janë dy ditë procedura, janë të lodhshme”, është shprehur ai.

Ai thotë se pret që edhe organizatori i Panairit që është Shoqata e Botuesve Shqiptarë, e edhe institucionet tjera të Shqipërisë të eliminojnë këtë problematikë që të paktë vitin tjetër të mos përballen me procedura të njëjta.

Për të gjitha këto procedura që kanë kaluar botuesit e Kosovës, kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, thotë se për këtë duhet të pyeten Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës.

“Për këtë duhet të pyesni Qeverinë, qoftë tuajën, qoftë tonën, se ato ka kohë që po mburren që jo në datën filan, muajin filan, do të heqin tarifën doganore, do të bashkojmë doganat, aty duhet me pyet”, ka thënë ai.

Megjithatë, të dy shoqatat shprehen se Panairi i sivjetmë i Librit ka qenë i suksesshëm. Edhe pse deri më tani nuk kanë një numër të saktë të vizitorëve, ata thonë se këtë vit panairi ishte më i suksesshëm sesa vitin e kaluar sa i përket shitjes së librave.

Për kryetarin e Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, pjesëmarrja e botuesve nga Kosova në Tiranë është një mundësi e mirë, pasi sipas tij në Shqipëri mungon prezenca e botuesve nga Kosova.

Ai thotë se Panairi i Librit shërben pikërisht si mundësi që botuesi kosovarë të jetë i pranishëm në Tiranë dhe në Shqipëri.

“Ne e ndjejmë një rritje të interesimit të shitjes për çdo vit dhe padyshim kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme, një lajm shumë i mirë për ne. Gjithashtu, për çdo vit ne shohim që paragjykimet që kanë ekzistuar për botimet nga Kosova sa vinë dhe veniten. Ka pasur përgjithësisht një paragjykim tek lexuesi i Shqipërisë se botimet e Kosovës nuk janë të nivelit t njëjtë si botimet e Shqipërisë, duke filluar që nga gjuha e tutje, por ndërveprimi pikërisht këtë bënë. Pra, i thyen këto paragjykime dhe ne ndjehemi jashtëzakonisht mirë ta zëmë kur vijmë vitin pasues dhe gjithë ata lexues që kanë lexuar libra viteve të kaluara vijnë dhe na përgëzojnë për punën e mirë. E them me përgjegjësi të plotë se botuesit e Kosovës janë të suksesshëm në prezantimin në Shqipëri”, ka deklaruar ai.

Zeneli për KosovaPress ka bërë të ditur se 25 shtëpitë botuese nga Kosova këtë vit kanë prezantuar rreth 300 tituj të ri, që sipas tij është numër i mjaftueshëm.

Disa nga shtëpitë botuese të Kosovës janë prezantuar nën ombrellën e Shoqatës së Botuesve të Kosovës, si botimet e Institutit të Historisë dhe Institutit Albanologjik, shtëpitë botuese si “Buzuku”, KOHA, “Pema”, “Dija”, “Titanic”, “Magjia e Librit”, e disa të tjera.

Kurse, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, shtëpitë botuese si “Faik Konica”, “Artini”, “Libri shkollor”, e disa të tjera kanë pasur stenat e tyre të veçanta.

Edhe këtë edicion të Panairit të Librit në Tiranë prezentë kanë qenë botimet e Akademisë së Shkencave të Kosovës, ku drejtori i Departamentit të Bibliotekës dhe Arkivit në AShAK, Hilmi Zogjani ka thënë se ka pasur shumë interesim për të blerë botimet që i kanë prezantuar.

Sipas tij, më së shumti kërkesa ka pasur për Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, i cili është botuar së fundmi.

“Do të thosha që ka një interesim të shtuar meqë botimet e Akademisë janë të një natyre pak më specifike, do të thotë janë të gjitha kryesisht studime dhe të një vlere tjetër. Ka interesim sidomos për disa botime të reja që i kemi sjell këtë vit, por edhe ato që janë të viteve të mëhershme”, ka thënë ai.

Ai ka bërë të ditur se këtë vit Akademia e Shkencave të Kosovës në panair ishte prezantuar me 15 tituj të ri.

Stendën e AShAK-ut dhe gjithë të tjerat në Panair, po i vizitonte profesori i Universitetit Evropian të Tiranës, Ferit Duka, i cili u shpreh se në panair po shihte libra që sipas tij janë interesante dhe të rëndësishme për publikun.

“Panairi më duket interesant në fakt, sigurisht që ka edhe përkthime nga literatura e huaj që janë shumë interesante. Po shoh që janë ribotuar edhe vepra që kanë interes dhe mendoj që publiku ka nevojë ende për to, ka libra që janë vërtet me përmbajtje shumë interesante në lidhje me historinë qoftë të Shqipërisë, qoftë edhe historinë e botës. Kështu që është një panair që nga mënyra e organizimit, nga mënyra si janë ekspozuar librat po më tërheq dhe jam duke shikuar me shumë interes”, u shpreh ai.

Edhe Marta Pica, po vizitonte stendat me radhë, e që sipas saj Panairi ishte i mrekullueshëm dhe po i ofronte shumë mundësi për të zgjedhur librat që do të lexonte.

“Panairi i mrekullueshëm, çdo gjë sheh, çdo gjë shikon, libra nga më të ndryshmet dhe çmimet variojnë nga më të lirat deri tek më të shtrenjtat”, u shpreh ajo.

Në Panairin e Librit në Tiranë këtë vit kanë marrë pjesë afër 100 shtëpi botuese, ku përveç nga Kosovë, pjesëmarrës ka pasur edhe nga Maqedonia e Mali i Zi.

Ndryshe, këtë vit Panairi i Librit në Tiranë shënonte edicionin e 21 të tij dhe ka qenë i hapur që nga 14 nëntori deri më sot./kp/Telegrafi/