LAJMI I FUNDIT:

Birësimi – rruga drejt prindërimit

Birësimi – rruga drejt prindërimit

Ka shumë çifte që kanë luftuar shumë për të pasur një fëmijë për vite me radhë dhe kjo vërtet mund t’i shterojë si fizikisht ashtu edhe emocionalisht, por edhe financiarisht. Birësimi si një rrugë gjithashtu komplekse, njëherësh siguron një mundësi që fëmija të marrë më në fund dashurinë e domosdoshme dhe të ketë prindër të përkushtuar e me plot dashuri

Shkruan: Ardita Morina
Avokate

Birësimi është një fenomen i cili jeton së bashku me njerëzimin.


Synimi i birësimit nga ana e disa familjeve është të mbrojnë fëmijët pa kujdes prindëror dhe t’i gjejnë familjen e përshtatshme birësuese, ku mbizotëron vetëm interesi më i lartë i fëmijës. Çdo element vlerësohet me shumë kujdes, për të përshtatur sa më mirë nevojat e fëmijëve.

Birësimi nuk është vetëm proces që siguron në familje një fëmije që nuk e ka një të tillë, por është edhe një akt dashurie.

Çdokush nga ne mund të bëhet hero për një fëmijë që ka nevojë për ngrohtësinë familjare. Fëmijëve pa përkrahje me birësim i jepet mundësia për një të ardhme për të cilën ai ka nevojë.

Ligji i aplikueshëm për familjen i Kosovës rregullon të drejtën e adoptimit.

Adoptimi është formë e mbrojtjes së fëmijëve pa përkujdesje prindëror përmes të cilit fëmija adoptohet nga prindërit adoptues dhe themelohen marrëdhënie të ngjashme me ato prindër- fëmijë.

Qëllimi i adoptimit është marrja në përkujdesje e fëmijës pa përkujdesje prindërore. Adoptimi është formë e marrëdhënie prind-fëmijë, por themeluar me vendim të Gjykatës. Vendimi mbi zbatimin e cilësdo formë të mbrojtjes së fëmijëve pa kujdes prindëror merret pas shqyrtimit të hollësishëm të secilit rast individualisht. Organi kompetent do të nxjerrë përfundim për formën e mbrojtjes së familjes për fëmijën që i plotëson kërkesat e fëmijës në masën më të madhe.

Palë adoptuese mund të jetë vetëm personi që e ka aftësinë për të vepruar dhe që i ka cilësitë personale të nevojshme për ushtrimin e suksesshëm të të drejtave dhe detyrimeve prindërore.

Nëse bashkëshortët dëshirojnë të adoptojnë fëmijë, njëri prej tyre duhet të ketë arritur moshën 25 vjeç dhe bashkëshorti tjetër duhet ta ketë arritur moshën 21 vjeç.

Nuk mund të adoptohet personi në gjini në vijën e drejtë, as vëllai dhe motra. Kujdestari nuk mund ta adoptojë të kujdesurin e vet përderisa organi kompetent të mos e shkarkojë nga detyra e kujdestarit.

Qëllimi i ndërmjetësimit të adoptimit është të arrijë vendosjen e fëmijës (të adoptuarit) nën kujdestari të personit i cili dëshiron të marrë fëmijën nën përkujdesjen dhe përgjegjësinë e tij (adoptuesi).

Ndërmjetësimi i adoptimit gjithashtu nënkupton realizimin dhe administrimin e të dhënave lidhur me fëmijën i cili do të vendoset, si dhe të dhënat për prindërit e ardhshëm të cilët dëshirojnë të adoptojnë fëmijën edhe nëse fëmija nuk ka lindur në kohën kur njoftimi është dhënë.

Procedura e adoptimit është në kompetencë të gjykatës. Gjykata mund të kërkojë këshilla nga organi i kujdestarisë gjatë marrjes së vendimit mbi adoptim.

Organi i Kujdestarisë do të caktojë personel të trajnuar posaçërisht i cili do të jetë i përshtatshëm për detyrën, kjo për shkak të veçorive personale si dhe i cili do të ketë përvojë profesionale të punës me fëmijë.

Personi i cili dëshiron të adoptojë së bashku me prindërit e të miturit i cili do të adoptohet, mund të prezantojnë një kërkesë për adoptim pranë Gjykatës.

Kërkesës duhet të i bashkëngjitet pëlqimi i shkruar të prindërve natyror të fëmijës, certifikata e lindjes së fëmijës dhe dokumentet e tjera relevante për të prezantuar dëshminë për mirërritjen e ardhshme të fëmijës respektivisht informatat për adoptuesit dhe të adoptuarit si dhe për kushtet e adoptimit.

Gjykata ka të drejtë të mbledhë të dhënat dhe dëshminë të tjera nga Organi i Kujdestarisë, nga shërbimet shoqërore dhe nga ekspertë të tjerë në lëmin e përkujdesjes së fëmijës mbi kushtet e adoptimit.

Fëmija i përcaktuar pa përkujdesje prindërore nga organi kompetent mund të adoptohet nga persona të cilët kërkojnë të adoptojnë dhe të cilët janë regjistruar tek organi përkatës, që është i autorizuar për të iniciuar procedurën e adoptimit.

Adoptimi i fëmijës është i lejuar nëse i shërben mirërritjes së fëmijës dhe nëse pritet që mes prindit adoptues dhe fëmijës do të krijohet marrëdhënia prind-fëmijë.

Në Ligjin për Familjen i Kosovës është përcaktuar se cilët persona janë ata që mund të adaptojnë: bashkëshortët mund të adoptojnë fëmijën vetëm bashkërisht; personi i pamartuar mundet ta adoptojë fëmijën vetëm.

Ndërsa është e rregulluar me dispozitat e Ligjit të Familjes së Kosovës edhe përjashtimi nga kërkesat martesore.

Përjashtimisht vetëm njëri nga bashkëshortët mund të adoptojë fëmijën, por kjo kërkon edhe pëlqimin e bashkëshortit tjetër; Ai mundet gjithashtu të adoptojë fëmijën vetëm, nëse bashkëshorti tjetër nuk mund të adoptojë fëmijën për shkak të paaftësisë për të vepruar apo për shkak se ai ende nuk ka mbushur moshën 21 vjeç; Me kërkesën e palës adoptuese dhe me pëlqimin e personave të cilët kanë marrë pjesë në procedurën e adoptimit, bashkëshorti tjetër mund të përfshihet më vonë në adoptim nëse i plotëson kushtet e parashikuara me ligj.

Periudha provuese

Në lidhje me adoptimin e fëmijëve ekziston edhe periudha provuese:

a. Adoptimi, si rregull nuk do të themelohet derisa adoptuesi të kujdeset për fëmijën për një kohë të arsyeshme të përcaktuar nga gjykata por që nuk kalon periudhën tre (3) muajsh.
b. Periudha provuese do të iniciohet, mbikëqyret dhe vlerësohet vazhdimisht nga Organi i Kujdestarisë që gjykatës i siguron raport sipas nevojës.
c. Adoptimi, mes palës adoptuese dhe të adoptuarit themelon të njëjtat të drejta dhe detyrime që ekzistojnë mes prindërve dhe fëmijëve.

Pëlqimi i fëmijës si dhe i prindërve

Për adoptim merret edhe pëlqimi i fëmijës si dhe i prindërve:

a. Pëlqimi për fëmijën me paaftësi për të vepruar ose që është më i ri se 14 vjet, mund të jepet vetëm nga përfaqësuesi i tij ligjor përkatësisht kujdestari i të adoptuarit;
b. Në të kundërtën, fëmija mund të jep vetë pëlqimin;
c. Në rast se shtetësia e prindit adoptues dallon nga ajo e fëmijës, Organi i Kujdestarisë duhet të miratojë procedurën.
d. Pëlqimi i prindërve nuk mund të jepet para se të ketë mbushur fëmija tetë javë;
e. Nuk kërkohet pëlqim nga bashkëshorti i cili me vendim të gjykatës e ka humbur kujdestarinë ose e ka humbur aftësinë për të vepruar, ose vendbanimi i të cilit nuk dihet për më shumë se një vit.

Deklarata e pëlqimit për Adoptim

a. Pëlqimi duhet t’i deklarohet gjykatës dhe bëhet i plotfuqishëm në kohën e dorëzimit.
b. Pëlqimi nuk mund të bëhet me kusht dhe me përcaktimin e kohës e as nuk mund të bëhet nga përfaqësuesi. Është i parevokueshëm për aq sa pëlqimi nuk është dhënë me lajthim apo me shtrëngim ose mashtrim.
c. Pëlqimi do të bëhet i jo plotfuqishëm nëse kërkesa është tërhequr ose adoptimi është refuzuar.
d. Pëlqimi i prindit do të bëhet i jo plotfuqishëm nëse fëmija nuk adoptohet brenda tri viteve nga data kur pëlqimi bëhet efektiv.

Nuk mund të adoptojnë personat e poshtëshënuar:

1. Personi të cilit me vendim gjyqësor i është hequr kujdesi prindëror;
2. Personi për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se do t’i keqpërdorë të drejtat e adoptuesit që rezultojnë në të keq të të adoptuarit ose se e kërkon adoptimin për përfitime materiale.
3. Personi që vuan nga ndonjë sëmundje psikike të diagnostikuar ose ka ngecur në pikëpamje psikike, si edhe personi që vuan nga sëmundja e cila mund ta vërë në rrezik shëndetin dhe jetën e të adoptuarit.

Anulimi i adoptimit

Gjykata mundet të anulojë marrëdhënien e adoptimit në bazë të kërkesës, nëse kjo ka qenë e themeluar pa kërkesë të adoptuesit, pa pëlqimin e fëmijës ose prindit.

Kërkesa të cilës i mungon pëlqimi i nevojshëm është e pavlefshme vetëm nëse deklaruesi:

1. në kohën e deklarimit ka qenë në gjendje të pavetëdijshme ose të çmendurisë së përkohshme, nëse kërkuesi ka qenë juridikisht jo kompetent për të kryer punë juridike, ose nëse fëmija më i ri se 14 vjet ose i paaftë për të vepruar e ka dhënë personalisht pëlqimin e tij dhe të vendimit të bërë për këtë arsye;

2. ka dështuar të kuptojë procedurat e adoptimit ose edhe pse ai ka qenë në dijeni për këtë, nuk ka pasur për qëllim të kërkojë adoptim ose të shpreh pëlqimin e tij për procedurat e adoptimit;

3. ka bërë gabim lidhur me identitetin e fëmijës ose fëmija që adoptohet ka bërë gabim lidhur me identitetin e adoptuesit;

4. është shtyrë të bëjë deklaratë në mashtrim lidhur me rrethanat materiale;

5. padrejtësisht me kërcënim është shtyrë të bëjë deklaratë.

Padia për anulim mund të paraqitet brenda afatit prej gjashtë muajsh nga dita kur është në dijeni shkaku i anulimit e më së voni brenda prej një viti nga data e themelimit të adoptimit.

Pra, për adoptimin e fëmijës mbahet një procesverbal i cili nënshkruhet nga:

– Prindërit ose prindërit adoptues, i adoptuari kur është më i vjetër së 14 vjeç, ndërsa nën 14 vjeç kujdestari i tij ligjor, Organi i Kujdestarisë dhe gjyqtari ose gjyqtarja që udhëheq procedurën. /Telegrafi/