LAJMI I FUNDIT:

Besim Beqaj, ja pse duhet të investoni në Kosovë

Fjala e kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës Besim Beqaj në
hapjen e Forumit të bashkëpunimit Gjermano Kosovar

Zonja dhe zotërinj,


Më lejoni që fillimisht të ju dëshiroj një mirëseardhje të ngrohtë afaristëve dhe miqve nga Gjermania. Është ky një moment shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe zhvillimin e saj ekonomik. Republika e Kosovës që nga dita e shpalljes së Pavarësisë, fuqishëm ka hyrë në fazë të re të zhvillimeve ekonomike dhe sociale.

Për shumë vite të pranisë ndërkombëtare kosovarët kanë pasur shansin për të mësuar shumë nga miqtë tanë ndërkombëtar, ne jemi falënderues për përkrahjen e tyre të pashembullt për ndërtimin dhe krijimin e shtetit më të ri të botës. Sigurisht se gjenerata e gjenerata do e kujtojnë këtë përkrahje me respekt dhe përkushtim kontribut për vendin tonë dhe për zhvillimin e demokracisë.

Republika e Gjermanisë dhe ju afaristë të nderuar nga Gjermania keni dhënë një përkrahje te pashoqe për popullin e Kosovës, qoftë si lider i politikës evropiane por edhe ne pranimin, punësimin dhe edukimin e shumë të rinjve dhe të rejave nga Kosova të cilët kanë qenë të shtypur dhe të larguar nga Kosova dhe të cilët në Gjermani kanë gjetur strehim dhe punësim për vete dhe familjet e tyre.

Diaspora e jonë nga Gjermani ka sjellë mjete financiare, ndihma dhe kanë sjellë atë çka është më e vlefshmja kulturën e punës dhe dashurinë ndaj saj, prandaj zonja dhe zotërinj më lejoni që publikisht ti falënderoj të gjithë punëdhënësit gjermanë për ketë kontribut të jashtëzakonshëm për popullin e Kosovës.

Republika e Kosovës është në proces shumë të rëndësishëm të reformave strukturale dhe institucionale konform rregullave të UE, të cilat janë të domosdoshme për ta zënë hapin zhvillimor si dhe për të krijuar ambient të qetë dhe favorshëm për afarizëm.

Qeveria e Kosovës ka një përkushtim të madh në krijimin e një ambienti të volitshëm për zhvillim ekonomik dhe social. Dialogu i Qeverisë me biznesin në këtë fushë ka kontribuar që ne si Odë Ekonomik e Kosovës të japim idetë tona lidhur me reformat e nevojshme ekonomike dhe sociale.

Sot Kosova ka një sistem shumë të mirë dhe të sigurt bankar, i cili kontrollohet nga Banka Qendrore e Kosovës. Prania e bankave me kapital gjerman (Procredit Bank), austriak (Raiffeisen bank), slloven (NLB), turk (TEB dhe BKT) si dhe themelimi i bankave me kapital nga Kosova kanë mundësuar një përkrahje të denjë financiare për zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme në Kosovë.

Kosova është duke tentuar të jetë sa më konkurrente dhe atraktive për investimet e huaja, kështuqë me propozim të Odës Ekonomike të Kosovës, Qeveria i ka hyrë reformës fiskale. Kjo reformë do mundëson shtrirje me horizontale të mbledhjeve buxhetore, dhe njeherit mundëson konkurentshmëri të ndërmarrjeve tona në tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm.

Në janar të vitit 2009 tatimi në fitim do zvogëlohet nga 20% në 10%, tatimi në paga do ulet substancialisht nga 0-20%, në 0-12%, ndërsa më qëllim të ruajtjes së stabilitetit financiar TVSH do ngritët nga 15% në 16%. Oda Ekonomike e Kosovës është në proces të hartimit dhe dialogut me Qeverinë e Kosovës për ndryshime tjera të cilat do e bëjnë Kosovën vend atraktiv dhe të sigurt për investime.

Kosova ka një regjim liberal tregtar, i cili mundëson që tregtimi dhe afarizmin me mallra dhe shërbime brenda dhe territorit të Kosovës të behët pa taksa shtesë. Republika e Kosovës nuk aplikon taksa për eksport të mallrave, ndërsa taksa doganore për import të mallrave është 10% për të gjitha produktet që importohen.

Një pjesë e mirë e lëndës së parë, pajisjeve, pjesëve rezervë, makinerisë të dedikuara për prodhim nuk doganohen fare. Kosova është nënshkruese e marrëveshjes shumëpalëshe për tregti të lirë CEFTA, dhe kjo është stimulues afatgjatë për investimet në Kosovë. Parimisht ne konsiderojmë se hyrje në CEFTA i mundëson të gjithë investorëve nga brenda dhe jashtë të hyjnë në një treg prej mbi 25 milion banorë.

Është ky një rajonalizim me prapavijë ekonomike i cili shkon drejt hapave të UE, si dhe nga vendet e rajonit konsiderohet si parakusht dhe parapërgatitje për anëtarësim në UE.

Zonja dhe zotërinj,

Është ky një vit historik për Kosovën edhe në fushën e investimeve në infrastrukturë. Populli i Kosovës është dëshmitar i një angazhimi shumë të madh në përmirësimin e infrastrukturës fizike. Gjatë këtij viti janë kontraktuar afër 120 mil euro për ndërtim të rrugëve rajonale, aeroporti i Prishtinë edhe pse i vogël tani afërsisht i ngjan një aeroporti ndërkombëtar me një numër rekord të udhëtarëve në rajon.

Ndërlidhja e Kosovës me rajonin dhe me detin do behët shumë shpejt. Autostrada e filluar nga Durrësi për Kosovë do behët e kalueshme qysh vitin e ardhshëm, ndërsa investimet në infrastrukturën rrugore të Kosovës do mundësojnë që kjo rrugë të lidhet me Nishin në Serbi dhe kështu Kosova do jetë qendër e rëndësishme për transportin ndërkombëtar të mallrave.

Ky projekt do mundëson që Kosova të jetë kompatibile me projektet e REBIS- dhe SEETO të cilat parashohin ndërlidhjen rrugore të rajonit të Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2015. Promovimi i një projektit për ndërtimin e portit dhe zonës së lirë doganore në Vlorë të Shqipërisë, i cili do kushton afërsisht 1.2mlrd Euro dhe do realizohet nga ZUMAX dhe Llojd nga Anglia, i jep rajonit tonë një rendësi të veçantë, dhe kjo paraqet një mundësi unike për ndërtimin e një qendre logjistike transiti në Kosovë, e cila do krijonte një ndërlidhje të mirë dhe më të shkurtë të Evropës Qendrore me detin Adriatik.

Kosova gjithashtu është nënshkruese e marrëveshjes ligjore për energji sipas Memorandumit të Athinës, dhe kjo ka mundësuar që Kosova të jetë anëtare e plotë e zhvillimeve rajonale energjetike. Tani së voni Qeveria e Republikës së Kosovës ka riaktualizuar investimin në Kosovën e re e cila parasheh investime kapitale në prodhimin e energjisë. Lidhur me këtë, ndërmarrje nga Gjermani siç është RWE, Italia ENEL dhe Çekia ÇEZ tanimë kanë themeluar zyrat e tyre në Kosovë dhe po përgatiten për konkurrim në tender.

Fusha e energjisë së ripërtritshme edhe në Kosovë është shumë aktuale kështuqë Qeveria e Kosovës është në përgatitje për investime ne hidroenergji. Së voni Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për privatizimin e KEK-ut.

Privatizimi në Kosovë konsiderohet mesatarisht i suksesshëm dhe pas një ndërprerje më shumë se gjashtë muaj si rezultat i transferimit të Agjensionit kosovar të Mirëbesimit në Agjenci kosovare të privatizimit, ka rifilluar privatizimin, prandaj ju bej thirrje për të hulumtuar mundësitë që i jep privatizimi në valën e 31 dhe 32 të tij.

Oda Ekonomike e Kosovës konsideron se e ardhmja ekonomike e Kosovës është shumë e mire, por kërkon bashkëpunim thelbësor ekonomik me jashtë. Sektorët me potencial për një bashkëpunim të tillë janë: Sektori i industrisë së lehtë në fushën e përpunimit të metaleve, përpunimit të drurit si dhe ndërtimtarisë, sektori i përpunimit ë produkteve bujqësore, sektori i turizmit rural, sektori i Teknologjisë informative etj.

Të gjitha sektorët e zhvillimit në Kosovë, kanë një mundësi reale për tu zhvilluar bazuar në fuqinë e re dhe relativisht mirë të edukuar, rini kjo e cila është gatshme për të mësuar dhe sigurisht për të përfaqësuar ndërmarrjet tuaja në rajonin e Ballkanit perëndimor.

Funksionimi i shtetit ligjor në Kosovë është prioritet i të gjitha institucioneve dhe gjatë këtyre ditëve është aktualizuar koordinimi institucional, si dhe bashkëpunimi bilateral me shtete e rajonit dhe me gjerë për mbrojtjen dhe sigurinë e investimeve.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Më lejoni para se të përfundoj të theksoj se kriza globale dhe financiare në botë, ka ngritur shumë dilema rreth formave zhvillimore ekonomike dhe funskionomin e globalizimit ekonomik. Është e sigurt se kriza globale do ndikojë në të gjitha vendet e botës dhe në të gjitha shtresat sociale, por është e sigurt se vendet e vogla dhe më pak të zhvilluara ekonomikisht të cilat nuk e kanë të zhvilluar tregun e kapitaleve, janë ndikuar më pak.

Është një bindje e përgjithshme se pas krizave ekonomike shumë ekspert bëjnë studime dhe japin vlerësime se si dhe pse ka ndodhur kjo, por edhe me tutje mbete sfidë e të gjithë ekonomistëve të trasojnë një rrugë për të kaluar ketë situatë. Unë jam shumë i bindur se ngritja e bashkëpunimit ekonomik bazuar në format e larta të bashkëpunimit bazuar në proximity school (shkolla e afërsisë), mund të jetë një kontribut bazë për tejkalimin e krizës ekonomike globale.

Unë në shumë takime me vendet e rajonit kam bërë thirrje për bashkëpunim rajonal ekonomik me prioritet duke pretenduar format e organizuara të bashkëpunimit me vendet e zhvilluara siç është Gjermania.

Më lejoni që për fund edhe një herë të ju dëshiroj mirëseardhje, të ju dëshiroj ditë të frytshme dhe partneritet të suksesshëm gjatë këtyre ditëve. Unë ju thërras ta konsideroni Kosovës si hyrje në vendet e Ballkanit perëndimor, dhe njeherit ju siguroj se trajtimi i juaj do jetë korrekt dhe konform standardeve ndërkombëtare, si dhe ju premtoj se Oda Ekonomike e Kosovës është dhe do jetë derë e hapur për të gjithë ju sa herë që ju kërkoni dhe keni nevojë.

Urime dhe edhe një herë mirë se keni ardhur në Republikën e Kosovës.