LAJMI I FUNDIT:

Belegu: Kryesitë e klubeve kanë faj

Belegu: Kryesitë e klubeve kanë faj

Ngjarja e pahijshme e basketbollit në Pejë nuk është e para, e mbase as e fundit në basketbollin kosovar, por është edhe një dëshmi se gjërat në sportin kosovar nuk janë duke shkuar në kahje të duhur. Nuk dihet as kur fillon ndeshja, as kur ndërpritet, e bile as edhe a do të kryhet. As rregulloret nuk lënë shumë për t’i dëshiruar.

Sigal Prishtina dhe Peja u ballafaquan dy herë brenda katër ditëve, në dy ndeshje që nuk dalluan shumë, por që propozicionet e garave nuk ishin të ngjashme. Në ndeshjen e parë në kryeqytet u zbatua rregullorja e Ligës Ballkanike, dhe ishte e qartë se gjyqtarët nuk merren shumë me ofendimet e shikuesve, pasi ato janë të pranishme kudo në Evropë.

“Plisat” jo rrallë ofenduan basketbollistët mysafirë, madje edhe familjarët e tyre, por gjyqtarëve kjo nuk u la përshtypje dhe nuk ndodhi zbrazja e tribunave. Edhe në ndeshjen e dytë në Pejë, ndodhi e njëjta gjë, por në anën e kundërt, kurse gjyqtarët morën vendim që ata që ofendojnë të mos kenë vend në palestër. Me këtë rast, u respektuan propozicionet e garave të FBK-së.

Kryetari i FBK-së, Erolld Belegu, nuk ishte i pranishëm në këtë ndeshje, por e di se çfarë ka ndodhur.


“Çdo ligë i ka propozicionet dhe rregulloret e veta të garave. Ne i kemi miratuar ato pas asnjë votë kundër dhe nëse duan klubet që ato të ndërrohen nuk kemi asgjë kundër. Dihet se ne jemi në shërbim të klubeve, por duhet ta kenë të qartë të gjithë se 30-40 persona nuk mund të ndikojnë në ndërrimin e rregulloreve. Kryesitë e klubeve e kanë fajin më të madh dhe ata mund ta ndreqin situatën me tifozët e tyre. Sa i përket dënimeve, edhe Liga Ballkanike dënon për gjëra shumë të imta, por edhe për fyerje në baza racore siç ndodhi në Kumanovë dhe Gjevgjeli”, tha kryetari i FBK-së.

“Ne nuk e kemi problem racizmin siç e ka Evropa, për ne problem janë sharjet, pasi më parë kjo nuk ka qenë zakon te ne. Mua le të më shajnë sa të duan, nuk brengosem për këtë, por duhet të kenë kulturë sportive, e kjo nuk bëhet duke fyer e gjuajtur nëpër palestra”.

Ajo çka befasoi në “Karagaç”, është kthimi i Pejës pas vendimit që të tërhiqet nga loja. Kur gjyqtarët kërkuan zbrazjen e palestrës, pejanët u revoltuan dhe nuk deshën të vazhdojnë lojën. Burimet e gazetës bëjnë të ditur se gjyqtarët i dhanë afat pejanëve të kthehet brenda 3 minutave në parket, ndryshe do ta ndërpresin ndeshjen.

Pas kthimit në kohë të paraparë, gjyqtari sipas propozicioneve e dënoi Pejën me gabim teknik dhe loja vazhdoi. Me këtë rast burimet e gazetës thonë se gjyqtarët ishin kërcënuar nga kryetari i KB Peja, Art Gashi, që është paraqitur në raportin e ndeshjes.

“Prej fillimit të kampionatit janë kundër Pejës. Ne nuk mund të shtyhemi as me FBK e as me gjyqtarë dhe vendosëm të tërhiqemi. Mirëpo kur i analizuam më shumë gjërat, veçmas mundi dhe investimet për 12 vjet, vendosëm që për hir të shikuesve dhe basketbollit të kthehemi në parket. Vendimi i gjyqtarëve ishte tejet i ashpër pasi zbrazja e palestrës nuk është zgjidhje dhe duhet ta dijë Erolld Belegu se me zor nuk mund të bëj diçka. Duhet bërë kampanjë nëpër shkolla që të mos shahet, edhe pse po e shohim se ato kudo ndodhin në Evropë, por askund nuk zbrazet palestra. As në Prishtinë në ndeshjen e parë “Plisat” nuk kanë bërë asgjë të keqe, por pa arsye janë përjashtuar. Njerëzit i ka kapluar varfëria dhe kanë telashe, andaj duket t’i kuptojmë që ndonjëherë i kalojnë kufijtë”, tha Gashi. /Zëri/Telegrafi/