LAJMI I FUNDIT:

Babadimri me revolver!

Babadimri me revolver!

Pas një drame të vogël në regji të ministrit të Financave dhe grupit të dostave, buxheti u aprovua. Tash republika e vetvarme mundet me festu. Më shumë se klasa e politikanëve të cilët jetojnë dhe festojnë nga buxheti i vendit, u gëzuan klasa e argëtuesve profesionistë, të cilët në ditët në vijim pritet të na e bëjnë jetën më të hareshme.

Për të harruar kështu hallet dhe stresin të cilin na e dha politika gjatë këtij viti, argëtuesit kanë përgatitur programe të larmishme ku do të qeshin me ne, duke e mbajtur barkun me dorë, por as ne nuk do e lëmë keq se do të qeshim me lot me ta. Natyrisht edhe faturat do të jenë aq të fryra sa kjo do të jetë një arsye më shumë për të “qeshur” – me lot!

E arti, si zakonisht do të çapitet pas sevdasë. Do të mbledh bakshishet e vogla! Sevda or vëlla, sevda, do të klithë masa e ekzaltuar dhe do brohorisin emrin e Babadimrit. Ndoshta pas ngjarjeve të famshme, në Tiranë dhe Prizeren, ku personazhe kryesore ishin babadimrat, në tentim për të plaçkitur, imazhi dhe besueshmëria e babadimrave ka rënë pak, por sidoqoftë në Prishtinë ende nuk ka mbizotëruar imazhi i ri i hajdutit të maskuar si babadimër!


Në fakt, ka thashetheme se loja e sivjetme e cila me 31 janar do të organizohet nga qeveria, është: cili është hajduti më i madh ndër ne, i maskuar si Babadimër?! Të drejtë pjesëmarrjeje kanë të gjithë, përfshirë edhe qeverinë! Kështu, nga masa e tubuar dhe ata pranë ekraneve pritet të propozojnë kandidatët dhe të votojnë me demokraci të drejtpërdrejtë, pra me brohoritje, ose me SMS në numrin e famshëm 007!

E, si mendoni ju, të dashur miq, të dehur e esëll, të anshëm e të paanshëm, militantë dhe indiferentë: me cilin emër do të fillojë loja e hajdutit tonë të maskuar si Babadimër? Me cilin do të fillojë e me cilin do të përfundojë?

Disa miq, me të cilët fola për idenë e lojës shpërblyese me Babadimër, më thanë se për shkak të konfliktit të interesit, Qeveria dhe politikanët nuk duhet të marrin pjesë në lojë! Munden me kurdisë garën, më thanë! E si të bëhet loja pa ta or të uruar, komentova, pastaj ku e kanë gajle ata për konflikt interesi! Do të fitojnë, patjetër, edhe pa e kurdisur!

Më mirë i pari në Gërdofc sesa i fundit në Prishtinë është fjala e urtë popullore!

Por, të kthehemi te argëtuesit e ndryshëm të cilët do të provojnë të na dehin, të na çmendin, e shpërthekojnë për fare për këtë festë, nga e cila do të marrim veten deri në qershor kur do të fillojmë të mendojmë për pushime verore. Apo zgjedhjet e ardhshme nacionale! Të dehur do të votojmë!

Kështu, me buxhet qeveritar, nëpër qendrat tona politike rajonale do të shtrohen sofrat dhe do të këndohen këngë majekrahu për luftën dhe politikën që po na e mundëson me e pritë këtë vit të ri në vatrat tona e jo diku nëpër skajet e globit. Tash cikërrimtarët edhe mund të thonë se globi nuk ka qoshe, se është i rrumbullakët, por kush pranon arsyen e shëndoshë në këto ditë të dehura festive.

Në fakt ditëve janë mirë, nuk i ka zënë rakia, por na ka zënë neve stresi se si me e kalu sa më mirë dhe si me e hjekë stresin e vitit që po e lëmë pas. Kështu disi i bie si një përpjekje përplot stres, për me e hjekë stresin. Përse vëlla kjo lojë me hajdutin Babadimër? Përse të mos organizohet diçka si në Shangaj, një parti me jastëkë, ku në një sallë të madhe, për një çmim prej 24 dollarësh, pjesëmarrësit kanë të drejtë të godasin njëri-tjetrin me jastëk pa paralajmërim? Organizatori atje ka garantuar kualitetin e jastëkëve, të mbushur me puplat më fine. Pastaj, të lodhur shtrihen dhe humbin në një mal me jastëkë të butë! E përmbledh me jastëk qeverinë dhe shfryhesh! Kjo po që e hjekë stresin!

Kështu populli po harxhon paranë e fundit për me rezervu diku në ndonjë restorant të shtrenjtë me një rreth të kamur pjesëmarrësish, për me e ruajt vetërespektin të cilin përditë po përpiqet me na e shemb kjo qeverisje e mrekullueshme. Po duan me na kompleksu! Kur munden ata që erdhën me biçikletë në Prishtinë, përse jo edhe ne, inatosen prishtinasit e vjetër të rënë materialisht!

Përndryshe, hoxhallarët po thonë se është haram me festu festat e fundvitit, dhe se neve disave që me lindje e kem pasë nafakë, na lejohet vetëm bakllavaja dhe ravania për të dy bajramat! Të madhin e të Voglin! Por, populli ynë i lavdishëm, i cili ende nuk i ka shëruar plagët e (pas)luftës, nuk mjaftohet veç me dy festa. Ne madje i festojmë edhe festat e të gjitha besimeve. Definitivisht, ja dimë lezetin diversitetit.

Kështu, derisa ne po e zbulojmë dalëngadalë, por sigurt, identitetin e hajdutit me maskimin më të suksesshëm si Babadimër, Babadimri i vërtetë diku në Pol e ka bërë gati sajën e tij magjike dhe ka mprehur drerët brigjatë! Ekipi i veçantë, si administratë hesapi, po i lexon dëshirat e fëmijëve, të rriturve, si edhe ato kolektive. Po pra! Edhe popujt kanë dëshirë që të marrin dhurata nga Babadimri! Ne për shembull, disa vite më parë e morëm pavarësinë! Serbët liberalizimin e vizave! Shqiptarët i bënë vetes një dhurate: Shqipërinë ekologjike! Babadimri nuk e solli fillimin e bisedimeve për statusin! Do të ketë thënë: mjaftë e kanë ekologjinë! Refuzuan helmetat e luftës! Pastaj, ata kanë edhe Lazaratin, tha me vete Babadimri! E mbështjellin nga një dhe bëhet krejt rrafsh deri në Prishtinë!

Kështu, pas ngjarjeve të grabitjeve nën maskën e babadimrave në megamarketin në Tiranë dhe argjendarinë në Prizeren, bBabadimri i vërtetë ndërkombëtar kur të vijë nga Poli i Beriut ndër ne, lutet të mos tentojë të hyjë tinëz nga oxhaku për të lënë dhuratat pranë bredhit. Ka humbur besimi në Babadimrin o mik! Edhe në ata vendorë, apo ndërkombëtarë! Pastaj, mund ta rrahin duke dyshuar në identitetin e tij! Le t’i bie ziles, vëlla! Përse të rrahet pa nevojë!

Athua, kush do ta fitojë konkursin e qeverisë?! Të jetë kurdisur?