LAJMI I FUNDIT:

Automjeti i vjedhur në Prishtinë identifikohet në Mitrovicë

Automjeti i vjedhur në Prishtinë identifikohet në Mitrovicë

Zyrtarët policor të stacionit policor veri në Mitrovicë rreth orës 09:30 min kanë identifikuar një automjet të dyshuar, të raportuar si të vjedhur në Prishtinë.

Referuar kumtesës së Policisë, automjeti, “Audi A-3”, ngjyrë e kuqe, me targa vendore “RKS”, ishte vërejtur i parkuar në rrugën “John Kenedi” përkatësisht në afërsi të shkollës fillore “Branko Radiqevic” në veri të Mitrovicës, ndërsa policët patrullues kanë ndërmarrë veprimet e duhura operative për të siguruar të dhënat e automjetit i cili dyshohej se mund te ishte i vjedhur.

“Pas veprimeve të para hetimore, është vërtetuar se automjeti ishte raportuar si i vjedhur në Prishtinë, vetëm një natë më herët. Hetuesit policor kanë kontaktuar me hetuesit rajonal të drejtorisë rajonale të Mitrovicës lidhur me identifikimin e rastit të automjetit të vjedhur ndërsa automjeti i zbuluar për shkaqe sigurie është tërhequr nga vendi i ngjarjes deri në parkingun policor për procedurë të mëtejme”, thuhet në komunikatë.

Prokurori publik i çështjes është informuar lidhur me rastin dhe veprimet e ndërmarra të policisë, ndërsa automjeti i raportuar si i vjedhur i është kthyer pronarit legjitim.


Hetuesit policor vazhdojnë hetimet e këtij rasti në kërkim të kryesve të këtij akti dhe sqarimit të rrethanave të raportuara. /Telegrafi/