Nga: Jean-Luc Tourenne
Përktheu: Dashnor Kokonozi (pjesë nga romani “Një mbret në Shqipëri”)
… Ditën që ndodhi, Ahmeti po mbronte një projekt për ristrukturimin e forcave policore. Mbi të binin akuza se po vendoste njerëzit e tij kudo nëpër institucione. Isha kureshtar ta shihja si do t’i hidhte poshtë fjalët e kundërshtarëve, si do të përgënjeshtronte shpifjet. Seanca ishte e zhurmshme, por jo aq sa të më pengonte të dremisja dhe përfundoi me një kor të sharash që më nxorën nga letargjia.
Nxitova ta takoj në dalje, duke shpresuar se kishte ndonjë anekdotë për të më treguar. Turma e deputetëve më mori përpara, duke shtrënguar dorën e ndokujt apo duke vërejtur mungesën e një tjetri. Para meje, kryeministri, i rrethuar nga disa parlamentarë, përsëriste pikat e fjalimit, sikundër bubërrojmë në bankat e shkollës tabelën e përjetshme të shumëzimit.
Te ky njeri i gjallë e me kulturë admiroja aftësinë për t’ua përshtatur shpjegimin e ideve të tij aftësive thithëse të bashkëbiseduesit që kishte përpara. Atë çast pashë një deputet të ri të “Bashkimit të të rinjve shqiptarë”, një farë Valter Beqiri. Veshur me pardesy dhe doreza, ai ngjante sikur priste dikë. Në fytyrë kishte një ngërdheshje që bënte të mendoje për një tendosje të skajshme. Ishte i zbehtë, sytë me rrathë të errët dhe cepi i buzës i lëvizte herë pas here nga një ngërç nervor. Kur Ahmeti po bënte të dilte, djaloshi nxori pistoletën nga xhepi dhe mori shenjë nga kryeministri. Gjithçka ndodhi aq shpejt sa munda të fiksoj vetëm ndonjë detaj, gryka e armës ishte e ndryshkur.
Nuk e kuptoj trillin e kujtesës për të ruajtur këtë imazh. Pastaj një magmë ulërimash e lëvizjeje turme. M’u duk se aventura jonë po jepte shpirt në ato çaste. Por, asnjë flakë nuk doli nga gryka e armës dhe krisma që prita instinktivisht nuk u dëgjua.
Valter Beqiri nisi të sokëllijë dhe unë kuptova se ai po shpallte arsyet e vrasjes që do të bënte. Me një të veçantë: deputeti i ri ishte gagaç dhe dy fjalitë që duhej të thoshte para se të shtinte, i ngecën në grykë. Ai i filloi e rifilloi disa herë, por ndërkohë Ahmeti kishte lëvizur. Kur dorësi mundi së fundi të thotë gjithë ligjëratën, Ahmetit ishte disa metra më larg nga sa hante arma. Kjo i shpëtoi jetën. Valteri gjuajti qorrazi, por i penguar nga deputetët që hapeshin andej e këndej, mundi vetëm ta plagosë në shpatull viktimën. Ahmeti lëshoi një britmë dhe parlamentarët të gjithë nxorën armët. Krejt i shastisur, pashë se si vërshuan pistoletat, që thoshin se konsideroheshin armë shërbimi me leje, por edhe dy automatikë.
Deputetë të tjerë më larg, që nuk e shihnin skenën, por që dëgjuan krismat, megjithëse nuk po kuptonin ç’po ndodhte, nxorën armët edhe ata, pa ditur ku e kujt t’ia drejtonin. Garda vërshoi në sallë, e armatosur edhe ajo deri më dhëmbë.
Duke gjykuar kauzën e tij të humbur, Beqir Valteri iku me vrap nëpër korridor, i ndjekur nga ushtarët dhe deputetët e klanit zogist. Shtiu dy plumba në erë dhe u strehua në nevojtore.
Në sallë, Ahmeti, me një ton autoritar dhe gjoks të përgjakur, bënte thirrje për qetësi. Plumbi që i kishte shpuar shpatullën, i dha rast të shfaqej në sytë e të gjithëve me imazhin e një njeriu të krekosur e disi naiv. Ngjiti shkallët e podiumit dhe nisi të flasë duke rrudhur pak vetullat. Gjaku i rridhte përgjatë krahut dhe kullonte për tokë. Armët u futën në breza dhe ai ftoi deputetët të mblidhnin veten dhe të respektonin natyrën e vendit ku ndodheshin.
Në fund të korridorit dëgjoheshin britma dhe kërcënime. Ndërsa po hapja një shteg midis ushtarëve, vërejta shenjat e disa goditjeve në portë. Që nga ai strehimi i tij qesharak, Valteri na linte pa mend me këngët patriotike që këndonte dhe si belbacak që ishte, ngjante edhe më patetik.
– E keni prekur, gjë? – pyeta.
– Jo, z. Kurt, m’u përgjigj gardiani si i pezmatuar – ai u mbyll përpara se… e tërhoqëm nga porta, por …
– Nuk besoj se do të flasësh edhe ti si gagaç – i thashë i inatosur.
– Mund t’i vëmë zjarr – tha ushtari me druajtje.
Nuk dhashë asnjë mendim për atë ide idiote dhe porosita ushtarin të priste urdhrat e Ahmetit, i cili mbërriti pak çaste më pas, i zbehtë si meit. Krahun ia kishin lidhur më rrip si në gravurat e betejës së Vaterlosë. Rroba që i mbulonte krahun ishte njomur.
– Ke humbur shumë gjak – i thashë – nuk ke pse rri këtu.
– Një minutë – më tha me ton të prerë – ku është ai?
– Në nevojtore.
– Është tamam koha.
U dëgjuan të qeshura. Zogu u dha urdhër rojeve të mos e vrasin djaloshin. Ngarkoi një deputet që të hynte në bisedë për t’i kërkuar një dorëzim të ndershëm dhe një dalje nga tualeti të denjë për një deputet. Pastaj ai u mbështet në krahun e një ushtari dhe ne dolëm së bashku në grup. Nuk pranoi ta bartin në vig dhe me një shpërfillje, si të qe fjalë për një grip, i kërkoi mjekut ta vizitonte në shtëpi. Burri shtatvogël, me një feste të kuqe në kokë, kundërshtoi si për zakon, por pastaj i largoi mbajtësit e vigut dhe na ndoqi në një farë largësie.
– Si ndihesh? – e pyeta Ahmetin.
– Si dikush që sapo ka marrë një plumb – foli nëpër dhëmbë. – Nëse nuk do të vdes pas pak, do të jetë diçka e mirë për imazhin tim.
– Edhe po të vdesësh – i thashë duke dashur të fsheh shqetësimin dhe vërejta se fjalët e mia e bënë të qeshë.
Ahmeti nuk vdiq. Ajo plagë, krejt e lehtë i kushtoi tre ditë në shtrat dhe një ethe të fortë po atë natë. Ai i lejoi vetes luksin ta falte Valter Beqirin dhe ky qe një shkelm në hundë për kanunin. Nëse do të kishte qenë fjala për ndonjë nga njerëzit e Fan Nolit apo më keq akoma, për peshkopin vetë, Zogu do të kishte qenë i detyruar të respektonte ligjet e shenjta të gjakmarrjes. Por, fatkeqi deputet gagaç, i të krejt të parëndësishmes “Union i të rinjve shqiptarë”, nuk vlente as sa litari ku do ta varnin. E lëshuan duke e bërë qesharak dhe historia e atij atentati të dështuar u muar vesh në të gjithë vendin, duke çnderuar emrin e familjes së tij, me siguri më shumë se po ta kishim varur tre herë.
Një vit më pas, kur u kthyem nga mërgimi, ne ecnim në po atë korridor, ku Ahmeti desh humbi jetën.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëKush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
ASHIK QERIBI
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Në ndriçim të Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare
Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme