Në librin Pse besojmë [Why We Believe], Alister McGrath shpjegon se pse besimi fetar është një impuls natyror njerëzor …
Nga: Catherine Pepinster / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Për dikë të rritur në një fshat të qetë anglez të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore – një nga ato fshatra që shfaqen në dramat televizive të Zonjës Marpël [Miss Marple], ku kisha frekuentohet për mëngjeset e së dielës, udhëhequr nga një prift i dashur dhe i përkushtuar – shekulli XXI duhet të ketë qenë si një zgjim i keq nga gjumi. Nga 11 Shtatori deri te abuzimi seksual i fëmijëve nga klerikët, pa harruar zërat e zemëruar të ateistëve të njohur që denoncojnë fenë si mashtrim, besimi ka marrë një reputacion të keq.
Për autorin Alister McGrath, i rritur në Belfast, agresioni i lehtë rreth fesë mund të jetë diçka normale. Sulmet dhe akuzat nga liderët e “Ateizmit të Ri” nuk e tronditin aspak. Richard Dawkins, Daniel Dennett, Christopher Hitchens: të gjithë këta ai i sfidon. Ndoshta nuk ishte vetëm prejardhja e tij, por edhe koha kur ai vetë ishte ateist dhe formimi shkencor – ka një doktoratë në biofizikë molekulare – ato që e bënë këtë teolog të Oksfordit një debatues të gatshëm për ballafaqimet publike me polemizuesit jobesimtarë.
Libri i tij i fundit, Pse besojmë, ia jep McGrathit një mundësi tjetër për të mbrojtur besimin përballë atyre që e tallin si diçka irracionale dhe të çuditshme, në rastin më të mirë, dhe si të rrezikshme, në rastin më të keq. Ky libër përkon me përvjetorin e një mijë e shtatëqindtë të Besojmës [Kredos] së Krishterë të Nikesë, miratuar fillimisht nga Këshilli i Nikesë në vitin 325 pas Krishtit dhe që ende përdoret sot si një deklaratë besimi nga ata që mbajnë pozicione zyrtare në Kishën Katolike të Romës, si dhe ato ortodokse dhe luterane.
Por, siç thotë me të drejtë McGrath për këtë kredo – një fjalë që rrjedh nga latinishtja credo, “unë besoj” – ajo mund të jetë një përshkrim i asaj që një i krishterë beson, por është një deklaratë e kufizuar. Për të kuptuar vërtet besimin, pohon ai, duhet ta shohim atë të përjetuar. Ai u kujton lexuesve të tij se CS Lewis, një nga ateistët më të shquar të shekullit XX që u kthye në të krishterë – e që ishte edhe krijuesi i Narnisë – e kuptoi se “rrëfimi i krishterë është primar; kredot e krishtera janë dytësore … kredot nuk mund të trajtojnë as tërheqjen imagjinare dhe as ndikimin subjektiv [të krishterimit]”.
Premisa themelore e McGrathit është se besimi, në vend që të jetë një besëtytni e vjetruar dhe joshkencore, është pjesë përbërëse e qenies njerëzore. Në një rishkrim të maksimës së Dekartit cogito ergo sum [mendoj, prandaj ekzistoj], ai argumenton se homo sapiensi ka nevojë të gjejë kuptim në jetë, jo vetëm që të mbijetojë. Siç do të thoshte romancierja Jeanette Winterson, ne jemi krijesa që kërkojmë kuptimin. Besimet, qofshin ato humaniste, të krishtera apo të një feje tjetër, formësojnë mënyrën se si e kuptojmë dhe përjetojmë botën.
Në fund të fundit, çështja më interesante për fenë dhe kuptimin e saj të natyrës njerëzore është se si ajo vazhdon të shfaqet, jo vetëm në jetën e përditshme të njerëzve, por edhe në diskursin publik. Teksa humanistët, siç vëren McGrath, besojnë në mirësinë e lindur të njerëzve, një e krishterë si Znj. Marpël e kupton aftësinë e njëkohshme për të kundërtën. Në këtë vjeshtë, psikiatria ligjore Gwen Adshead iu referua teologjisë së krishterë në Leksionet e Reitit [Reith Lectures, BBC] për të ndihmuar në shpjegimin e së keqes. Sipas saj, mungesa e së mirës dhe kundërhelmi për të keqen përbëjnë, për rrjedhojë, një zbatim të mirësisë – me fjalë të tjera, zhvillimi i virtytit që teologët dhe filozofët që nga Akuini e këtej kanë mbështetur.
McGrath e përdor këtë libër për të sfiduar përsëri Dawkinsin dhe të tjerët: ai ankohet se Ateistët e Rinj “e degraduan dhe e racionalizuan fenë” ; se e trajtuan atë sikur të ishte “thjesht një formë të dhënash”. Por, ai gjithashtu ofron një shpjegim të aspekteve të shumta të besimit, nga kërkimi për një tablo të madhe deri te ndikimi që ka kjo në përballimin e një bote të vështirë. Ai vëren se si vuajtja, dikur e parë si një lidhje midis të krishterëve dhe Krishtit, tani shpesh perceptohet si një problem nga mendimtarët e krishterë të përfshirë në përpjekjet për të racionalizuar dhimbjen.
Megjithatë, pavarësisht mbrojtjes së McGrathit për besimin si një mënyrë njerëzore për të perceptuar botën, vetë besimi nuk është domosdoshmërisht i mirë. Mënyra se si i skalit njerëzit – përmbajtja e karakterit të tyre, siç thoshte Martin Luther King Jr – është ajo që ka vërtet rëndësi. Besimtarët e vërtetë të komunizmit, fashizmit dhe nazizmit ndoqën gjithashtu një kredo dhe ajo formësoi jetën dhe narrativat e tyre. Sot kemi një tjetër lloj besimtarësh të shqetësuar, ata që ndonjëherë quhen të rinj joliberalë progresistë – të cilët refuzojnë të tolerojnë e lëre më të debatojnë idetë rivale me idetë që ata kanë.
Përderisa McGrath njeh tërheqjet dhe rreziqet e një kredoje si marksizmi – kujton se si, si adoleshent marksist, ishte joshur nga mënyra se si komunizmi nuk ishte vetëm “një grup besimesh për t’u pohuar, por një premtim për pjesëmarrje në një lloj të ri ekzistence” – ai nuk u drejtohet të magjepsurve nga feja e re e kulturës së pezullimit [cancel culture]. Përfundimi i tij është të shqyrtojë “jetën në një botë të pasigurt”, por ka shumë mënyra shqetësuese për të parë botën sot e që janë të lira nga dyshimi dhe për të cilat McGrath nuk reflekton. Për të perifrazuar Inspektorin Morse [karakter nga një dramë televizive], është siguria e tyre ajo që shqetëson, por McGrath nuk e përmend këtë. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëManastiri i Deçanit, ku ruhet shandani i dhuruar nga Skënderbeu

“National Geographic”, më 1980: Shqipëria, e vetme përballë botës
Citatet më të “zgjuara” të Alan Fordit: Mos i beso gruas që gënjen!

Pesëdhjetë vjet nga filmi më qesharak në botë!
Luftërat politike dhe ideologjike, me eshtrat e vëllezërve Frashëri

QIELLI BLU

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

A po përgatitet SHBA-ja për sulm ndaj Iranit - imazhet satelitore tregojnë grumbullimin e bombarduesve të padukshëm B-2

Barcelona ishte e vetëdijshme për thyerjen e rregullave ndaj Osasunas – pse nuk morën masa?

Çka e shkaktoi tërmetin e Myanmarit - dhe pse bëri që një kullë të shembet në Bangkok?

Rama prezanton modelin e pasaportës shqiptare evropiane

Zëvendëskryeprokurori apo Prokuroria Speciale dhe Këshilli Prokurorial, kush po e thotë të vërtetën?

Shefi i klubit të njohur anglez e pranon haptas se po synojnë transferimin e Arda Guler