Në kërkim për të njohur një kronikan shumëdimensional, i cili do të rrëfente udhëtimin e tij, nëpër kohë, shpesh të pakohë, përmes objektivave, synimeve, pasioneve dhe fjalës së lirë, të gjitha kureshtjet na dërguan tek ideja për ta “zbërthyer” profilin e Prof. Atdhe Hykollit, Kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës
Prej vitesh ai është një nga personat publik duke qenë pjesë e shumë ngjarjeve shpeshherë të “nxehta” që ndodhin në mjedisin kosovar. Hykolli i ka besuar instinktit për thuajse të gjitha vendimet që ka marrë në jetë, duke nisur nga ato që i takojnë sferës studentore, deri tek ato akademike. Fokusi i interesit i tij profesional prej vitesh është drejtësia, demokracia sociale, solidariteti. Tashmë organizimi sindikal është çështje prioritetesh, sepse është gjëja që e ka dashur gjithmonë në koshiencën e tij.
Ndryshimet, siç dihet, kërkojnë përpjekje titanike, dije dhe mbështetje. Misioni i tij kërkon durim, aftësi njohëse psikosociale, përvojë por edhe autoritet profesional. Ligji dhe etika profesionale e ngarkojnë me përgjegjësi: armiqtë i numëron me gishta, miqtë me dashuri…
Për synimet, sfidat dhe problemet, Prof. Hykolli, në këtë intervistë, flet si mbrojtës i vërtetë dhe i padiskutuar i interesit të punëtorëve… Mos e humbisni!
Telegrafi: Si e përshkruani rrugën tuaj nga aktivisti i lëvizjes studentore deri te kryetari i Konfederatës Sindikale? Çfarë ju frymëzoi të hynit në fushën e sindikatave?
Prof. Hykolli: Ju faleminderit shumë për interesimin e rrugëtimit tim, po edhe të vet organizimit sindikal. Çfarë t’ju them, apo çfarë t’ju thotë i riu i cili u rrit nën zhurmën e aeroplanëve ushtarakë. Unë vij nga Sllatina ku dikur ishte aeroporti ushtarak i Federatës Jugosllave. Si i vogël ëndërroja të bëhem pilot, po më vonë e kuptova se në vendin në të cilin jetonim një gjë e tillë nuk do t’ia vlente. Ishte ndikimi i babait tim, Mustafës, i cili ia përkushtoi tërë jetën arsimit, të marr rrugën e duhur, po edhe vetë koha e vlimeve të mëdha. Greva e Madhe e Punëtorëve Kosovarë, që u mbajt më 3 shtator 1990 e që u organizua nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës e nën udhëheqjen e prof. dr. Hajrullah Goranit, më gjeti maturant. Demonstratat e studentëve po edhe greva e madhe më ndezën edhe më shumë duke ma shtuar dëshirën dhe vullnetin të jem pjesë e përballjes me sfidat e kohës e për të mirën e përgjithshme.
I takoj asaj rinisë studentore që u shkollua në shtëpitë shkolla, po që nuk u ndal dhe nuk largua nga studimet e mbi të gjitha u mor edhe me aktivitetet studentore. Greva e Madhe e Punëtorëve Kosovarë po edhe demonstrata e protesta historike e 1997 më frymëzuan dhe më drejtuan të jem mbrojtës i të drejtave të atyre që derdhin djersën për të mirën e përgjithshme – punëtorëve.
Telegrafi: Profesor Hykolli, si e shihni ndikimin e përvojës suaj si profesor universitar në punën tuaj si kryetar i sindikatës? Si kombinohet kjo përvojë për të adresuar çështjet e punonjësve në sektorin e arsimit?
Prof. Hykolli: Ju e dini se puna e profesorit nuk lidhet e ndërlidhet vetëm me mësimdhënien, por ka edhe ngarkesën e hulumtimit shkencor. Identifikimi i problemeve shkencore dhe gjetja e zgjidhjeve të duhura me zbatimin e metodave shkencore përkatëse është ajo që na kalitë neve profesorëve dhe na hapë rrugë për veprime të shumta në të mirë të zhvillimit të përgjithshëm shoqëror. E posaçërisht mua më ka ndihmuar shumë, se edhe në universitet isha pjesë e organizimit sindikal dhe nga aty erdha në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ku përfaqësova arsimin e lartë e ku më vonë u zgjodha nënkryetar dhe nga 2 tetori 2021 edhe Kryetar. Edhe sot në organizimet botërore sindikale, në ITUC (Konfederata Ndërkombëtare e Sindikatave) pjesë e së cilës është BSPK po edhe në ETUC (Konfederata Evropiane e Sindikatave) ku BSPK është vëzhguese e që pritet brenda vitit të jetë anëtare e plotë, trajtohen çështjet e punëtorëve të arsimit në komisionet e komitetet e veçanta pjesë e të cilave jam në cilësinë e Kryetarit të BSPK-së. Si Kryetar i BSPK-së më bie barra po edhe jam përgjegjës që të përfaqësoj të gjithë sindikalistët e Federatave Sindikale që janë anëtare të BSPK-së. Por, pasi që vij nga fusha e arsimit të lartë, po edhe përvoja që kam në arsim më japin fuqi ndryshe në adresimin e çështjeve të punonjësve në sektorin e arsimit pa i lënë anash edhe çështjet e punonjësve të sektorëve të tjerë, dhe këtë e bëj sa herë që gjendem përballë partnerëve socialë e sidomos para qeverisë.
Telegrafi: Cilat janë sfidat kryesore që punonjësit e sektorit të arsimit po përballen me to sot? Si mund të përmirësohen kushtet e punës dhe cilësia e arsimit në të njëjtën kohë?
Prof. Hykolli: Shpërndarja e fondeve për arsimin shpesh është e pamjaftueshme për të mbuluar nevojat e shkollave dhe universiteteve në aspektin e materialeve mësimore, të teknologjisë, të infrastrukturës dhe të trajnimit të mësimdhënësve.
Ndërkohë që teknologjia mund të përmirësojë mësimin dhe mësimdhënien, shpeshherë ajo vjen me sfida të tilla si mungesa e pajisjeve dhe akcesit të barabartë për studentët nga komunitetet më të varfra.
Zbulimi i metodave mësimore që u përshtaten nevojave të ndryshme të studentëve është një sfidë në vete e tejet e vështirë. Kjo kërkon një angazhim të vazhdueshëm për inovacion në mësimdhënie, dhe në ndjekjen e zhvillimeve të fundit në arsim.
Shkollat dhe universitetet përballen shpesh me sfida në menaxhimin e diversitetit kulturor, gjuhësor dhe socio-ekonomik të studentëve e sidomos të nxënësve. Përfshirja e të gjithëve në një mjedis mësimor të barabartë është sfidë e vështirë, por e rëndësishme për përmirësimin e arsimit.
Mësuesit dhe pedagogët përballen me një ngarkesë të madhe pune, përfshirë përgatitjen e mësimdhënies, vlerësimin e nxënësve e të studentëve por edhe me çështjet administrative. Kjo mund të çojë në stres dhe lodhje e stërlodhje të shpejtë.
Përgatitja e mësimdhënësve për të trajtuar sfidat e mësipërme dhe për të përdorur metoda mësimore efektive është e rëndësishme. Mungesa e trajnimit të vazhdueshëm dhe të përshtatshëm mund të ndikojë në cilësinë e arsimit.
Për të përmirësuar kushtet e punës dhe cilësinë e arsimit në të njëjtën kohë, autoritetet duhen të ndërmarrin hapat e duhur:
Qeveria dhe organizatat e arsimit duhet të investojnë më shumë në infrastrukturë, pajisje, teknologji dhe trajnime për mësimdhënësit.
Për mësuesit dhe pedagogët duhet të ofrohen trajnime të rregullta për të mbajtur veten në hap me metodat e reja të mësimdhënies po edhe me teknologjitë e reja.
Teknologjia duhet përdorur për të përmirësuar mësimin dhe mësimdhënien, por duhet të sigurohet që ajo të jetë e arritshme për të gjithë nxënësit dhe studentët.
Shkollat dhe universitetet duhet të krijojnë mjedise gjithëpërfshirëse dhe të diversifikuara, duke promovuar kulturën e respektit ndaj ndryshimeve.
Institucionet e arsimit duhet të inkurajojnë hulumtimin dhe inovacionin në mësimdhënie dhe mësim, për të zbuluar metodat më efektive.
Përmirësimi i kushteve të punës dhe cilësisë së arsimit është një sfidë komplekse, por me angazhim të përbashkët të institucioneve, mësimdhënësve, nxënësve e studentëve po edhe të shoqërisë në përgjithësi e sidomos sindikatave, mund të arrihen ndryshime pozitive.
Telegrafi: A ka përputhje midis qëllimeve të lëvizjes studentore dhe qëllimeve të sindikatave? Si e shihni rolin e studentëve në mbështetjen e çështjeve të punonjësve?
Prof. Hykolli: Ka disa potenciale përputhjeje midis qëllimeve të lëvizjes studentore dhe qëllimeve të sindikatave, por gjithashtu ka edhe dallime që mund të reflektojnë ndryshimet në fushat e interesave dhe në kontekstin socio-ekonomik. Disa nga pikat ku mund të hasim përputhje dhe dallime janë:
Përputhje:
Të drejtat dhe përmirësimi i kushteve të punës: Së bashku, lëvizja studentore dhe sindikatat mund të ndërmarrin nisma për të kërkuar dhe mbrojtur të drejtat e punonjësve, përmirësimin e kushteve të punës, uljen e orarit të punës dhe paga të drejtpërdrejta dhe indirekte.
Kundërshtimi ndaj padrejtësive dhe eksploatimit: Të dyja grupet mund të jetë të interesuara të kundërshtojnë padrejtësitë dhe eksploatimin në vendet e tyre, si dhe të ndërmarrin veprime për të ndihmuar ato komunitete që janë më shumë të prekura nga këto sfida.
Dallime:
Studentët përqendrohen kryesisht në arsim dhe çështjet e ndërlidhura me atë, si p.sh., qasja në arsim, kostot e arsimit, etj. Nga ana tjetër, sindikatat përqendrohen më shumë në të drejtat e punës, përmirësimin e kushteve të punës dhe të drejtat e punonjësve.
Sindikatat kanë një histori më të gjatë dhe më të fortë të ndikimit në politikat e punës dhe në tregun e punës, sepse ato përfaqësojnë direkt punonjësit. Studentët, megjithatë, mund të kenë më pak fuqi dhe ndikim në këto aspekte, pasi ata nuk përfaqësojnë një forcë pune të organizuar në të njëjtën mënyrë.
Roli i studentëve në mbështetjen e çështjeve të punonjësve:
Studentët kanë potencial të madh për të mbështetur çështjet e punonjësve dhe sindikatat në mënyra të ndryshme:
Ata mund të shprehin solidaritet me punonjësit duke marrë pjesë në demonstrata dhe protesta, duke ndarë informacion rreth kërkesave të tyre dhe duke ndihmuar në ngritjen e vetëdijes ndaj çështjeve të punonjësve.
Përmes hulumtimeve dhe studimeve, ata mund të ofrojnë të dhëna që mund të përdoren për të mbështetur argumentet dhe kërkesat e sindikatave, duke i bërë ato më të bindshme dhe të kredibile.
Përputhjet dhe dallimet midis qëllimeve të lëvizjes studentore dhe qëllimeve të sindikatave mund të ndikojnë në mënyrën se si ato bashkëveprojnë dhe në sa mënyrë mund të krijojnë sinergji për të arritur qëllimet e tyre të përbashkëta.
Telegrafi: Cila është fuqia reale e sindikatave për të siguruar mbrojtjen e dinjitetit të punëtorëve?
Prof. Hykolli: Fuqia e sindikatave për të siguruar mbrojtjen e dinjitetit të punëtorëve rrjedh nga vetë Kushtetuta e Republikës së Kosovës, nga Ligji për organizimin sindikal në Kosovë; Ligji për grevat; Ligji për tubimet publike; Këshilli Ekonomiko Social, e sidomos nga historia e sindikatave, por edhe nga vetë organizimi sindikal i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Republikës së Kosovës.
Është infrastruktura ligjore e tradita a edhe organizimi i mirë që na jep fuqinë që të mund të negociojmë me partnerët tanë socialë, qeverinë dhe punëdhënësit.
Fuqia që kemi, na bën të rëndësishëm dhe tejet veprues në mbrojtjen e dinjitetit të punëtorëve.
Nuk duhet harruar edhe solidaritetin në mes punëtorëve që e mban sindikatën aktive dhe vepruese në rolin e rëndësishëm që ka në përcaktimin e kushteve të punës.
Telegrafi: Z. Hykolli, me vite jeni pjesë e sindikatës, por, veprimtaritë sindikaliste sikur janë të vakëta dhe pothuajse mbretëron një apati e pashpjegueshme. Si e shpjegoni këtë letargji dhe pse mungon njëfarë ‘rebelimi’ sindikalist?
Prof. Hykolli: Deri sa ka infrastrukturë ligjore, sindikata kujdeset që veprimet e saja të jenë ligjore. Qëllimi i sindikatës e sidomos i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës është që t’i krijojë të punësuarve sindikalistë e edhe familjeve të tyre një mjedis të qëndrueshëm e të mirëfilltë të mirëqenies ekonomike e sociale ku djersa shpërblehet. Mund t’ju duket veprimtari e vakët e apati, por jo. Sindikatat ishin ato që me mjetet ligjore e vunë në veprim partnerin social duke e shtyrë të bëjë plotësim ndryshimin e ligjeve të nevojshme për rregullimin si duhet të mjedisit ligjor për ngritjen e mirëqenies ekonomike e sociale të punonjësve.
Thoni letargji dhe mungesë ‘rebelimi’ sindikal, por jo – nuk është gjendje e fjetur dhe ka rebelim ndërtues e jo shkatërrues. BSPK ka vepruar, vepron dhe do të veprojë dhe e gjitha kjo është bërë, bëhet dhe do të bëhet se ekziston organizimi i mirë dhe i duhur sindikal e mbi të gjitha solidariteti midis punonjësve për të mbrojtur e për të avancuar të drejtat që u takojnë.
Sa e njohin punëtorët e sotëm organizimin sindikal, pra mundësitë për realizimin e interesave të tyre kolektive dhe individuale? Konkretisht, a ka interes midis punëtorëve për t’u bashkuar dhe mbështetur aktivizmin sindikal?
Prof. Hykolli: Kosova ka kulturë dhe histori sindikale, punëtorët e sotëm e njohin fort mirë organizimin sindikal si edhe mundësitë për realizimin e të drejtave të veta kolektive e individuale.
Organizimi sindikal ndihmon punëtorët të njohin legjislacionin e punës e edhe të organizimit sindikal e po ashtu edhe të përdorimit të mjeteve të fuqishme sindikale të tubimit, të protestës e të grevës.
Sindikatat me informacionin veprues e mban interesin dhe interesimin sindikal të punëtorëve për të qenë pjesë e sindikatave. Dhe vetë veprimi dhe ekzistimi i BSPK-së e cila ka në gjirin e saj sindikatat më të fuqishme të vendit, tregon se ekziston interesi i punëtorëve të rrinë në sindikatë dhe dita-ditës edhe t’u bashkohen sindikatave. Kemi kërkesa, por ka dhe rregulla që i përcakton infrastruktura ligjore.
Një faktor i rëndësishëm që punëtorët e kanë kuptuar interesin e të qenët sindikalist është se ata ndiejnë se sindikatat janë në gjendje të ofrojnë ndihmë reale dhe të ndryshojnë situatën e tyre në vendin e punës.
Telegrafi: Ekziston perceptimi se një pjesë e punëtorëve janë të pakënaqur nga disa kryesindikalistë. Njëfarë reputacioni i shpifur, me gjasë ka krijuar mure ndarëse në relacionin punëtor udhëheqës – sindikal. A mendoni se punëtoria e Kosovës e meriton një shpërfillje deri në fyerje?
Prof. Hykolli: Ka veprime të pamatura dhe herë të qëllimshme për të paraqitur një realitet krejt ndryshe duke u munduar të paraqesin pakënaqësinë e pa qenë të sindikalistëve me kryesindikalistët, por jo. Se po të ishte e vërtetë nuk do të mund të ecte se organizmi sindikal që ekziston në Kosovë e pamundëson një gjë të tillë, dhe kryesindikalistët e zgjedhur në mënyrë demokratike do të hiqeshin po në mënyrë demokratike.
Telegrafi: Nuk ka dilemë se sindikatat në Kosovë janë të përçara. A mund të arrijnë ato një konsensus, se paku për çështje kruciale?
Prof. Hykolli: Është perceptim i gabuar. Po të ishin sindikatat e përçara nuk do të kishim protestat dhe grevat që patëm. Krijimi i konteksteve për opinion artistik nuk ec me organizimin sindikal. Ne kemi pasur dhe kemi e edhe do të kemi veprim të përbashkët për të gjitha çështjet që prekin të drejtat e punëtorëve, dhe që prishin dhe rrezikojnë mirëqenien e tyre ekonomike e sociale.
Telegrafi: A mund të flitet për ndonjë bashkëpunim ndërmjet apo ende vazhdon lufta konkurruese, shpeshherë joparimore dhe klaniste?
Prof. Hykolli: Çështjet individuale dhe cytëse nuk kanë mundur ta prishin kurrë organizimin e mirëfilltë dhe të fortë e të qëndrueshëm sindikal. E kemi parë historikisht këtë, dhe e pamë edhe me grevën e fundit. Besoj fort se nuk mund të ndalet veprimi sindikal e as të manipulohet në dëm të mbështetjes dhe të promovimit të vlerave të mirëfillta sindikale.
Jemi mirë të organizuar dhe fuqishëm veprues, prandaj lufta konkurruese, joparimore dhe klaniste nuk ka vend dhe nuk mund të ketë vend në organizimin tonë sindikal se këtë nuk e lejon dhe nuk e duron solidariteti i punëtorëve.
Telegrafi: Ndërsa, duket se disa qëllim kryesor e kanë faktorizimin vetanak për ta ‘rehatuar’ vetveten dhe egot e tyre të pluhurosura dhe të ‘sejmenëve’ që i rrethojnë?
Prof. Hykolli: Organizimi sindikal ka energjinë e duhur që Ia gjenerojnë profesionistët brenda vatrës sindikale, mbështetja ndërkombëtare e organizimeve sindikale botërore e evropiane dhe partnerët e shumë janë afër sindikatave për të përkrahur e për të këshilluar. Rehatia për vetveten dhe egoja e pluhurosur e pa pluhurosur nuk zë e nuk ndez brenda organizimit tonë sindikal.
Telegrafi: Cilat sipas jush janë arritjet e lëvizjeve sindikale aktuale, krahasuar me nomenklaturat e kaluara, për te cilat trumbetohet se kishin njëfarë afërsie me pushtetin?
Prof. Hykolli: Nuk jemi organizim politik që të garojmë e të themi edhe ato që nuk janë e që nuk duhet thënë, e shumë më pak të krahasojmë punën me organizimet e mëparshme sindikale, kur organizimin sindikal e përbëjnë punëtorët të cilët në fokus kanë mbrojtjen e të drejtave të veta dhe ruajtjen e ngritjen e mirëqenies ekonomike e sociale të vetvetes. Sindikatat partnerin kryesor social e kanë qeverinë dhe bashkëpunimi me të nuk është afërsi ashtu si duan dhe si do të donin ta kualifikonin ata që u pengon organizimi i mirëfilltë sindikal.
Telegrafi: Çfarë projektesh apo fushatash kryesore po përgatit Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës në këtë kohë? Cilat janë qëllimet tuaja të afërta dhe të gjata për të mbrojtur të drejtat e punonjësve?
Prof. Hykolli: Në përgjithësi, sindikatat mund të përfshihen në shumë lloje projektesh dhe fushatash që kanë të bëjnë me të drejtat e punonjësve dhe përmirësimin e kushteve të punës.
BSPK është duke punuar në këtë drejtim dhe tashmë ka konkurruar bashkërisht me disa vende të Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian në një projekt katërvjeçar të Bashkimit Evropian që ndërlidhet me Programin ERSAMUS+ e që ka të bëjë me formimin e Qendrave të Ekselencës Profesionale në vendet e Ballkanit Perëndimor.
BSPK nuk e ka ndalur angazhimin po ka punuar me të madhe në negociata me punëdhënësit për të siguruar paga të rritura, kushte më të mira të punës dhe të drejta të tjera për punonjësit e sidomos në nënshkrimin e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, drafti i së cilës ka kohë që i është dorëzuar partnerit social, si edhe për skemat pensionale proporcionale dhe për sigurimin shëndetësor.
BSPK është gjithmonë në veprim për të mbështetur punonjësit në rastet e konflikteve të punës, përjashtimeve, ose shkeljeve të të drejtave të tyre. Sa herë na kërkohet mundohemi të ofrojnë këshillim dhe ndihmë ligjore.
BSPK-ja mundohet të ndihmojnë në rritjen e vetëdijesimit dhe të ndërgjegjësimit rreth të drejtave të punonjësve dhe në ndikimin e tyre në shoqëri. Për këtë edhe kemi bërë fushata të cilat kanë synuar të ndryshojnë opinionin publik dhe t’i bëjnë njerëzit të kuptojnë rëndësinë e sindikatave dhe të drejtave të punonjësve.
Si BSPK jemi përqendruar në përmirësimin e kushteve të punës, duke përfshirë sigurinë dhe shëndetin në punë, kohën e pushimeve, orarin e punës, etj.
BSPK ka këmbëngulur që të jetë e përfshirë në procesin e hartimit të ligjeve dhe politikave që kanë të bëjnë me të drejtat e punonjësve, duke përpjekur të ndikojnë në ndryshimet dhe përmirësimet e nevojshme.
Telegrafi: Si e vlerësoni ndikimin e teknologjisë dhe të automatizimit në tregun e punës? Si po përpiqet sindikata të sigurojë që punonjësit të kenë siguri në punë dhe të drejta të barabarta në këtë kontekst?
Prof. Hykolli: Teknologjia dhe automatizimi kanë ndikim të madh në tregun e punës dhe sjellin ndryshime të thella në mënyrën si puna bëhet dhe si organizohen kompanitë dhe organizatat. Tashmë duhen disa nga ndikimet e tyre:
Teknologjia dhe automatizimi mund të rrisin produktivitetin dhe efikasitetin e punës, duke lejuar kompanitë të kryejnë detyrat më shpejt dhe më saktë. Kjo mund të ndikojë në nevojën për numër më të ulët punonjësish për detyrat të cilat janë tashmë të automatizuara.
Teknologjia ndryshon natyrën e punës. Detyrat rutinore dhe të përsëritshme mund të zëvendësohen nga automatizimi, ndërsa kërkesa për aftësi të avancuara dhe kreativitet rritet.
Disa profesione mund të zhduken plotësisht për shkak të automatizimit, ndërsa të tjerat mund të pësojnë ndryshime të mëdha. Kjo mund të ndikojë në tregun e punës dhe në nevojën për trajnime të reja për të përshtatur punëtorët me aftësi të reja.
Teknologjia mund të krijojë mundësi të reja të punës, por edhe të ndikojë në uljen e të ardhurave për profesionet të cilat mund të zëvendësohen nga automatizimi.
Në këtë kontekst, BSPK ka rol të rëndësishëm për të siguruar që punonjësit të kenë siguri në punë dhe të drejta të barabarta. Disa nga mënyrat sesi e bëjmë këtë dhe si mundohemi të kemi rolin e duhur që na takon është:
BSPK vepron dhe këmbëngulë që të jetë pjesë në diskutime dhe negociata rreth implementimit të teknologjisë dhe automatizimit, për të siguruar që punonjësit të përfshihen në këto procese dhe të mbeten të punësuar.
BSPK ka kërkuar trajnime dhe aftësime të reja për punonjësit, për t’i përshtatur ato me ndryshimet në tregun e punës, dhe për këtë edhe ka bashkëkonkurruar në Projektin e BE-së për ngritjen e Qendrave të Ekselencës Profesionale në të cilat do të bëhet riaftësimi i punonjësve të cilëve mund t’u rrezikohen vendet e punës nga futja e teknologjive të reja.
BSPK në bashkëpunim me sindikatat simotra nga bota dhe BE-ja ndihmon punonjësit dhe gjithmonë kërkon rrugë të reja për të ndihmuar punonjësit të ndërgjegjësohen rreth ndryshimeve në tregun e punës po njëkohësisht mundohet dhe t’i ndihmojnë ata të përshtaten me këto ndryshime.
Përputhja midis sindikatave dhe ndikimit të teknologjisë mund të jetë sfiduese, por është e rëndësishme që BSPK është aktive dhe mundohet të përshtatet me kohën, duke siguruar mbrojtjen dhe të drejtat e punonjësve në këtë kontekst të ndryshuar të tregut të punës.
Telegrafi: Si funksionon bashkëpunimi dhe dialogu ndërmjet sindikatave, punonjësve dhe punëdhënësve në përmirësimin e kushteve të punës? Cilat janë sfidat që po hasni në këtë aspekt?
Prof. Hykolli: Bashkëpunimi dhe dialogu midis BSPK-së, punonjësve dhe punëdhënësve është thelbësor për të arritur përmirësimin e kushteve të punës dhe për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për sfidat e tregut të punës. Ky proces ndihmon në ndërtimin e marrëdhënieve të ndërsjella dhe në gjetjen e kompromisit për të përmbushur interesat e të gjitha palëve. Disa nga hapat dhe sfidat kryesore në këtë aspekt janë:
Bashkëpunimi dhe Dialogu:
BSPK dhe punonjësit mundohen të shprehin hollësisht nevojat dhe kërkesat për përmirësimin e kushteve të punës dhe të drejtat në mënyrë të hollësishme.
BSPK përfaqëson interesat e punonjësve në negociatat kolektive me punëdhënësit, për të arritur marrëveshje që i përmbushin të dyja palët, për këtë edhe ka paraqitur draftin e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës e që pritet të nënshkruhet së shpejti.
Komunikimi i hapur dhe i ndershëm midis të gjitha palëve është thelbësor për të ndarë informacion dhe për të zgjidhur konfliktet në mënyrë paqësore, dhe BSPK mundohet siç është munduar deri më tash që me mjete demokratike e ligjore por pa lejim të pështjellimeve politike të arrijë këto qëllime.
BSPK është plotësisht e vetëdijshme dhe përkujdeset vazhdimisht për bashkëpunimi duke e ditur se bashkëpunimi sjell nevojën për të gjetur kompromise të pranueshme për të gjitha palët, që i përmbushin nevojat e punonjësve dhe që janë të qëndrueshme për kompanitë.
Sfidat:
BSPK, punonjësit dhe punëdhënësit mund të kenë interesa të ndryshme dhe kjo është normale. Por BSPK ka punuar dhe punon në gjetjen e kompromiseve dhe në zgjidhjen e konflikteve të interesave edhe pse është e vetëdijshme se kjo është tejet sfiduese.
Ndonjëherë, mungesa e besimit midis palëve mund të pengojë një bashkëpunim të efektshëm dhe dialogun e hapur, dhe kjo ndodh në Kosovën tonë se ndërhyrjet jo parimore mundohen të përçajnë organizimin sindikal.
Tregu i punës dhe kompanitë po ndryshojnë shpesh po edhe politikat zhvillimore. Kjo po sjellë sfida për BSPK-në për të përmbushur kërkesat e punonjësve në një mjedis të ndryshueshëm.
Për shkak të ndikimit të teknologjisë dhe automatizimit, marrëdhëniet e punës po ndryshojnë. Kjo mund të sjellë sfida në lidhje me mënyrat se si BSPK do të përfaqësojë punonjësit.
BSPK e di fort mirë se bashkëpunimi dhe dialogu efektiv ndihmon në gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për sfidat e tregut të punës dhe në mbrojtjen e të drejtave të punonjësve. Gjithsesi, ky është një proces i ndërlikuar që kërkon angazhim dhe përkushtim nga të gjitha palët për të arritur një konsensus të përbashkët, e sidomos nga partnerët tanë socialë – qeveria dhe punëdhënësit.
Telegrafi: Si e shihni rolin e sindikatave në promovimin e diversitetit dhe përfshirjes në ambientet e punës? Si mund të kontribuoni në ndryshimin pozitiv të kulturës organizative?
Prof. Hykolli: Sindikatat kanë një rol të rëndësishëm në promovimin e diversitetit dhe përfshirjes në ambientet e punës. Prandaj BSPK synon të ndihmojë në krijimin e një mjedisi të punës ku të gjithë punonjësit, pavarësisht prej origjinës së tyre, gjinisë, orientimit seksual, etnisë, ose aftësive, të trajtohen me respekt dhe dinjitet. Roli i BSPK-së në këtë aspekt është:
1. Promovimi i ndërgjegjësimit: BSPK synon të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit rreth rëndësisë së diversitetit dhe të përfshirjes në vendin e punës, duke informuar punonjësit rreth vlerës që sjellin ndryshimet në ekipet e punës.
2. Mbështetja për politika dhe praktika të përfshirjes: BSPK luan rol të rëndësishëm në ndihmën dhe mbështetjen e politikave dhe praktikave të përfshirjes që ndihmojnë në sigurimin që të gjithë punonjësit të kenë një mundësi të barabartë për të kontribuar dhe për të përfituar.
3. Ngritja e ndërgjegjësimit rreth ndikimit pozitiv të diversitetit: BSPK ndihmon në ndërgjegjësimin e partnerëve socialë, punëdhënësve dhe punonjësve rreth ndikimit pozitiv që diversiteti dhe përfshirja kanë në produktivitet, krijim të ideve të reja dhe në ndërthurjen e perspektivave të ndryshme.
4. Krijimi i rrjeteve dhe platformave për diskutim: BSPK me organizatat sindikale simotra nga bota dhe BE-ja ka zhvilluar takime të punonjësve për diskutuar çështjet e diversitetit dhe përfshirjes dhe të ndarjes së përvojave dhe sugjerimeve.
5. Ndihma në zgjidhjen e konflikteve dhe paragjykimeve: BSPK luan rolin e ndërmjetësuesit në raste kur konfliktet ose tensionet vijnë nga moskuptimi i ndryshimeve kulturore.
Ndryshimi pozitiv i kulturës organizative lidhur me diversitetin dhe përfshirjen kërkon angazhim të përbashkët nga të gjithë aktorët. BSPK, si zëri përfaqësues i punonjësve, ka ndikuar në këtë proces duke përmirësuar ndërgjegjësimin dhe duke kërkuar përmirësime në politikat dhe praktikat e punës.
Telegrafi: Çfarë mesazhesh keni për të rinjtë që janë të interesuar të bëhen pjesë e sindikatave dhe të angazhohen në luftën për të drejtat e punonjësve dhe përmirësimin e kushteve të tyre të punës?
Prof. Hykolli: Për të rinjtë të cilët janë të interesuar të bëhen pjesë e sindikatave dhe të angazhohen në luftën për të drejtat e punonjësve dhe përmirësimin e kushteve të punës, unë kam disa mesazhe frytdhënëse dhe inkurajuese:
1. Ndikoni në ndryshim: Të rinjtë kanë energji, pasion dhe vullnet të ndryshojnë gjërat në mënyrë pozitive. Përmes angazhimit në sindikata, të rinjtë mund të ndikojnë në ndryshimet që ndikojnë në jetën e punonjësve dhe të krijojnë një impakt të vërtetë.
2. Solidariteti është fuqia: Përfshirja në sindikata të rinjve ju jep mundësinë të jenë pjesë e një grupi të organizuar që punon për të drejtat e të gjithë punonjësve. Solidariteti është fuqia që mund të ndikojë në ndryshime të mëdha.
3. Mësimet dhe përvoja: Duke u bashkuar me sindikatat, të rinjtë kanë mundësinë të mësojnë nga punonjësit e tjerë, të fitojnë përvojë në negociata, në organizim dhe në kërkimin e të drejtave.
4. Ndihma dhe mbështetja: Sindikatat ofrojnë një platformë ku mund të kërkohet ndihmë dhe mbështetje nga kolegët po edhe nga persona me përvojë më të madhe. Të rinjtë duhen ta dinë se nuk janë vetëm në këtë rrugëtim.
5. Ndikim në politika dhe shoqëri: Përmes sindikatave, të rinjtë mund të ndikojnë në politikat dhe vendimet që ndikojnë në tregun e punës dhe në shoqëri. Të rinjtë kanë mundësinë të kujdesen për të drejtat veta e njëkohësisht edhe për të drejtat e të tjerëve.
6. Kontributi në mirëqenien: Punonjësit e rinj të cilët angazhohen në sindikata kanë shanse më të mëdha për të përmirësuar kushtet e punës, pagat dhe të drejtat e tyre. Duke i ndihmuar të tjerët, të rinjtë mund të kontribuojnë në mirëqenien e gjithë shoqërisë.
Telegrafi: Si po ndihmojnë sindikatat për të siguruar që politikat dhe ligjet e punës të reflektojnë vërtetë interesat dhe të drejtat e punonjësve? Cilat janë përpjekjet tuaja për lobim dhe ndikim politik?
Prof. Hykolli: Dihet se sindikatat luajnë rol të rëndësishëm në sigurimin që politikat dhe ligjet e punës të reflektojnë vërtetë interesat dhe të drejtat e punonjësve. Për këtë qëllim, BSPK ka ndërmarrë disa përpjekje të ndryshme për lobim dhe ndikim politik:
BSPK bën analiza dhe hulumtime për të identifikuar sfidat dhe problemet aktuale të punonjësve në lidhje me politikat dhe ligjet e punës. Këto hulumtime përdoren si argumente të fuqishme në ndikimin politik.
BSPK ndan informacion dhe të dhëna me qëllim që punonjësit të jenë të informuar për çështjet e rëndësishme të politikave dhe ligjeve të punës.
BSPK lobon te politikanët dhe zyrtarët qeveritarë për të ndikuar në procesin e hartimit dhe të miratimit të politikave dhe ligjeve të punës. BSPK e bënë duke nëpërmjet takimeve, fushatave të ndryshme dhe me organizimin e prezantimeve në forume të ndryshme ku janë të përfshirë partnerët tanë socialë.
Sa herë që harxhohen mjetet e bashkëbisedimit parimor, BSPK organizon demonstrata dhe protesta për të rritur ndërgjegjësimin e opinionit publik dhe për të kërkuar ndryshime në politikat dhe ligjet e punës.
BSPK ka bashkëpunim të vazhdueshëm dhe fort të mirë me organizata të tjera, përfshirë organizatat jo-qeveritare dhe akademikët, me ambasadat dhe me KFOR-in, po edhe me organizatat ndërkombëtare si me ITUC dhe ETUC e me ILO për të ndikuar në proceset e politikave dhe të ligjeve të punës.
BSPK angazhohet maksimalisht në përfshirjen në dialogun social me qeverinë dhe punëdhënësit për të diskutuar dhe negociuar çështjet e politikave dhe të ligjeve të punës.
BSPK sa herë që ka nevojë organizon fushata të ndryshme për të ndërgjegjësuar opinionin publik rreth ndryshimeve të nevojshme në politikat dhe ligjet e punës.
Këto përpjekje të BSPK-së kanë ndikuar dhe ndikojnë në krijimin e një mjedisi më të përshtatshëm për punonjësit dhe në sigurimin që politikat dhe ligjet e punës të jenë të drejta, dhe të reflektojnë interesat e punonjësve. BSPK ka luftuar dhe do të luftojë vazhdimisht duke u bazuar në argumente të fuqishme dhe në organizim të përshtatshëm që të bëhen ndryshimet e nevojshme ë të mirë të ngritjes së mirëqenies ekonomike e sociale për punonjësit e kësisoj edhe për gjithë shoqërinë tonë.
A mendoni se, sot, punonjësit në Kosovë mund t’ia besojnë fatin e punës së tyre, sindikatës, e cila angazhohet seriozisht për zgjidhjen e problemeve me te cilat përballen?
Prof. Hykolli: Po, dhe fuqishëm e them – po, se po të mos na besonin nuk do të ekzistonim si organizim sindikal. Janë vetë punonjësit që na bëjnë të fuqishëm dhe kuptojnë seriozisht se bashkërisht kemi vepruar dhe veprojmë e edhe do të veprojmë për të mirën e përbashkët.
Telegrafi: Dhe, krejt në fund, një pyetje jo-sindikaliste: Cilat janë pasionet tuaja jashtë petkut zyrtar, pastaj, cilat janë planet tuaja të afërta dhe cili është libri që po e lexoni aktualisht?
Prof. Hykolli: Unë jam profesor universitar dhe detyra e profesorit është ajo që vetvetiu më mban të angazhuar e në rrjedha të jetës letrare. Përveç leximit dhe shkrimeve kritike dhe hulumtimeve shkencore në kohë të lirë i bie edhe kitarës e çiftelisë, por edhe fyellit. Leximi i librit është detyrim, po për të vënë mendjen në veprim relaksimi lexoj edhe romane, tash porsa jam duke e përfunduar së lexuari romanin “Dimri i njerëzve” të shkrimtarit frëng, Lionel Duroy, që në frëngjisht ka titullin “L’Hiver des hommes” e që të shqipëruar na e ka sjellë Krenar Hadëri. Është roman që duhet lexuar se në të shkrimtari eksploron tema të reflektimit personal, të identitetit dhe të kompleksitetit të marrëdhënieve njerëzore. Një kritik e thotë se “kush është pjellë e urrejtjes dhe marrëzisë duket se është i dënuar të prodhojë vetëm urrejtje dhe marrëzi.”
Unë ju falënderohem në emrin tim po edhe të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës për gjithë interesimin rreth organizimit dhe veprimit sindikal dhe për hapësirën që edhe sindikatat të thonë e të flasin. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Musa Sylejmani: Jemi duke punuar për një film, i cili do të realizohet nga dy produksione shqiptaro-zvicerane IFTP& Helvetia Film
Prof.dr. Florim Cuculi: Kam implantuar me mijëra stenta në karrierën time dhe i bëj përafërsisht 500-600 intervenime në vit
Inva Mula: “Ne nuk mund të shpresojmë te gjenerata e re, pa investuar te fëmijët tanë“
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Cristiano Ronaldo mund të kthehet në Evropë, trajneri i njohur tashmë e ka telefonuar
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje