LAJMI I FUNDIT:

Arsyet e vërteta të mbivlerësimit të lekut

Arsyet e vërteta të mbivlerësimit të lekut
Ilustrim

U bë kohë e gjatë që ekonomia shqiptare përjeton një situatë të pazakontë në tregun e këmbimeve valutore të monedhës vendase me valutat e huaja, veçanërisht me atë evropiane, euro. Rënia e fortë e kursit të këmbimit, përkthyer si forcim i lekut apo dobësim i euros, është në fakt një ekuacion me shumë variabile, për analizën e të cilave është folur mjaft. Institucionet, përfshirë këtu edhe Qeverinë shqiptare si dhe Bankën Qendrore e kanë interpretuar këtë mbivlerësim të lekut, si shprehje të forcimit të ekonomisë kombëtare, si produkt të një hopi të madh ekonomik, të një rritje të paparë dhe se leku manifeston një pozitë shumë më të favorshme në raport me valutat e huaja. Edhe specialistët e ekonomisë e kanë vënë theksin te një numër i madh faktorësh që ndikojnë në të dy krahët e ekuacionit të këmbimeve valutore.

Është sjellë argumenti se janë rritur eksportet e ekonomisë shqiptare, por statistikat nuk e konfirmon një gjë të tillë. Eksportuesit humbën 225 milion euro vitin e kaluar nga rënia e kursit të euros me 6.6 lekë. Është thënë gjithashtu se është rritur dhe po rritet fluksi i të hyrave nga turizmi. Kjo është e vërtetë, por rritja e të ardhurave nga turizmi nuk ka forcë të shpjegojë një përçmim kaq të fortë, kaq afatgjatë, dhe kaq të brishtë të euros në raport me lekun. Rënia e euros ndaj lekut ka filluar që para një viti dhe ka ndodhur dhe po ndodh edhe në ato stinë kur fluksi i lëvizjeve turistike ka qënë modest, apo në kuotat minimale. As dërgesat e emigrantëve dhe as investimet e huaja, nuk kanë dhënë dhe nuk kanë si të japin këtë efekt të përçmimit të euros, apo të mbiforcimit të lekut. Këta faktorë janë si të thuash tradicionalë në ekonominë shqiptare.


Nuk shfaqen sot për herë të parë dhe nuk mund të shkaktojnë përmbysje të fortë të kurseve të këmbimit sa të hutojë dhe të habisë edhe vetë Bankën e Shqipërisë. Logjika ekonomike dhe një analizë e shpejtë profesionale të çon në një përfundim tjetër që shpjegon në mënyrë të arsyeshme këtë mbivlerësim të lekut. Pse konkretisht kemi këtë situatë në tregun e këmbimeve valutore? A është vërtetë befasuese rritja ekonomike e ekonomisë shqiptare? A ka aktualisht ekonomia shqiptare bilanc super suficitar në import eksportet me ekonominë evropiane? A ka edhe faktorë jo ekonomikë që shpjegojnë këtë situatë, faktorë të cilët nuk i përmend as qeveria dhe as Banka e Shqipërisë, të cilat janë në unison në qëndrimet që mbajnë zyrtarisht?

Pa u futur akoma në thelbin e analizës, dëshiroj të nënvizoj për lexuesin jo ekonomist, se apriori, raportet e rritjes ekonomike, të rritjes së çmimeve (lexo të inflacionit), të tregtisë me jashtë, midis ekonomisë shqiptare dhe ekonomisë evropiane janë të tilla që tregojnë se kursi i këmbimit të euros me lekun ose duhet të kishte pësuar luhatje të lehta, ose duhet të kishte qëndruar në nivelin stabël të para një viti. Ky këndvështrim dhe penetrimi më thellë në të më merr shumë kohë dhe më largon nga arsyeja kryesore pse vendosa të bëj këtë analizë të shpejtë në ndihmë, qoftë të analistëve të ekonomisë, të gazetarëve të ekonomisë, të publikut apo qoftë edhe në ndihmë të institucioneve financiare dhe të qeverisë.

Pasojat e prishjes së këtij ekuilibri tashmë janë thënë: mbivlerësimi i lekut po dëmton eksportet dhe po ekspozon dukshëm, fort, shumë shpejtë dhe jo për faj të tyre, të gjithë bizneset që punojnë me fason, gjithë eksportuesit, gjithë operatorët turistikë, të gjitha subjektet që ofrojnë shërbime për klientët e tyre jashtë Shqipërisë, duke përfshirë këtu edhe dobësimin e rolit të ekonomisë shqiptare në rajon. Shpesh herë, ne bëjmë një gabim të rëndë nëpër analizat tona: merremi shumë me pasojat, futemi thellë në efektet, në shqetësimet që krijon një situatë e padëshirueshme, por nuk ndalemi te shkaqet. E pra cilat janë shkaqet e vërteta të mbivlerësimit, po e nënvizoj, shumë të dëmshëm të lekut? Përpara se të rendis disa nga këta faktorë, duhet thënë shqip se mbivlerësimi i lekut është i dëmshëm, madje shumë i dëmshëm për ekonominë. Dëmi nuk duhet parë vetëm te dekurajimi i eksporteve.

Eksportuesit, fasonistët, gjithë operatorët që shesin në euro dhe paguajnë në lekë, janë duke u ballafaquar ndaj një risku të karakterit sistematik, që vjen për shkak te përdorimit prej tyre si monedhë kombëtare lekun tonë. Ata nuk kanë mundësi zgjedhjeje: jetojnë dhe punojnë në Shqipëri dhe janë të detyruar të pranojnë dhe të punojnë me monedhën tonë kombëtare. A është në fakt leku duke kryer funksionin e tij si monedhë e vetme kombëtare? Si realizohet zhvillimi ekonomik dhe vihet në qarkullim ekonomia shqiptare? Cila monedhë e luan rolin e matësit të vlerës tek ne? Me fjalë më të thjeshta: në çfarë monedhe mendojnë, punojnë dhe kryejnë transaksione shqiptarët? Pikërisht këtu fillon analiza.

Ekonomia shqiptare sot nuk është ekonomi e lekut

Duhet të ishte, por nuk është. Mbi 55-60 përqind të transaksioneve (në fakt të xhirove, jo të numrit të transaksioneve) që realizohen në ekonominë shqiptare përmbushen duke përdorur si monedhë euron dhe jo lekun. Po përmend vetëm disa prej tyre sa për të dhënë idenë. Pasuritë e paluajtshme vlerësohen dhe shiten e blihen në euro. Qiratë e banesave shprehen, kontraktohen dhe ekzekutohen në euro. Çmimet e hoteleve dhe pagesat janë të shprehura vetëm në euro. Blerjet dhe shitjet “online” po kështu. Biletat e avionëve gjithashtu.

Çmimet e restoranteve, taksitë, punimet në ndërtimin e banesave, në lyerjen e shtëpisë, përmbushjen e një detyrimi midis personave, blerja dhe shitja e makinave, dhënia me qira e makinave, guidat turistike, “rafting” në lumë apo shëtitje në det, shitja dhe blerja e mobilieve, faturat e restoranteve (pjesërisht), faturimi i bujtinave, etj., realizohen në euro. Kjo do të thotë që ekonomia shqiptare nuk është ekonomi e lekut, por ekonomi në të cilën funksionet e monedhës (në të katra funksionet klasike të monedhës: masë e vlerës, mjet këmbimi, rezervë e vlerës dhe standard i pagesave të ardhshme) nuk i kryen leku, por ose bashkërisht me euron, ose me preferencë nga euro. Ky nuk është një problem i thjeshtë. Leku është i mbivlerësuar se është bërë i rrallë, përdoret rrallë, edhe pse në shtëpinë e vet.

Monedha jonë nuk ka konvertueshmëri të plotë, por të njëanshme, vetëm brenda vendit. Në Evropë nuk paguan dot me lekë, por vetëm në euro të konvertuar nga llogaria jonë bankare. Madje, as në Maqedoni, as në Kosovë dhe as në Malin e Zi nuk paguan dot në lekë. Ashtu sikurse edhe në Shqipëri nuk kryen dot pagesa në dinarë maqedonas. Njerëzit kryejnë/mbarojnë punë me euro. Kredidhënia në lekë, që do të mund të shërbente si rubinet për të shtuar lekun në qarkullim, për të rregulluar raportin kërkesë ofertë me euron, ka rënë. Rënia e kredidhënies, apo më saktë një lloj stanjacioni i saj, është e lidhur me rritjen ekonomike.

Banka e Shqipërisë duhet ta menaxhojë si duhet këtë fenomen. Ajo është shtëpia e lekut, të cilin, monedhat e tjera (kryesisht euro) e kanë nxjerrë nga shtëpia, i kanë zënë vendin, po e zëvendësojnë në kryerjen e funksioneve. Zgjerimi i përdorimit të euros mund të jetë i arsyeshëm, por jo i justifikuar në këtë masë. Jemi në kushtet e një euroizimi të pjesshëm, jo zyrtar të ekonomisë shqiptare, por që rritet me ritme të shpejta. A e lejon Banka e Shqipërisë dhe Qeveria që subjektet shqiptare të përdorin euron edhe për pagesat e pagave aq lirshëm dhe me atë lehtësi që përdorin euron në transaksionet tregtare? A do pranohej që operatorët të kryenin transaksione të realizuara prej përdorimit si monedhë, le të themi dinarin maqedonas? Ja ky është problem numër një.

Ekonomia e pagesave me lekë në dorë është zëvendësuar me pagesat me euro në dorë

Në ekonominë tonë ka një informalitet të lartë. Këtë e pranojnë të gjithë. Pastrimin e parave e ka pranuar edhe vetë Qeveria dhe edhe institucionet ndërkombëtare. Por, nuk është nevoja të thuhet prej ndërkombëtarëve për tu pranuar si i vërtet një fakt që dihet prej të gjithëve. Numri i transaksioneve të blerjeve dhe shitjeve të pasurive të paluajtshme prej të huajve dhe prej emigrantëve, si alternativë investimi, për një banesë dytësore në një vend mesdhetar me çmime akoma relativisht të ulëta, apo për ta dhënë me qira, në një kohë të dytë, është rritur në mënyrë eksponenciale. Por, kjo analizë sipërfaqësore nuk mjafton për të kuptuar fenomenin e mbivlerësimit të lekut. Agjencitë e pasurive të paluajtshme, apo edhe shitësit, përfshi edhe ndërtuesit apo agjentët shitës të banesave, nuk pranojnë kurrsesi që të bëjnë kontratë shitje me pagesë nëpërmjet bankës për vlerën totale të banesës së shitur/blerë. Çmimet e shitjes janë rritur mjaft gjatë vitit të fundit. Në ato lagje të Tiranës që çmimi i referencës për metër katror është të themi 1100 euro, sot çmimet e banesave janë dyfishuar.

Shitësit nuk pranojnë pagesë me bankë, qoftë edhe me ndërmjetësimin prej noterit, për çmimin e shitjes, por vetëm për atë pjesë të vlerës që është në sinkron me çmimin e referencës. Pse ndodh një fenomen i tillë? Sepse Qeveria rriti para një viti e gjysmë, apo diçka më shumë, shkallën tatimore të tatimit mbi të ardhurat nga tjetërsimi i pasurive të paluajtshme nga tre përqind që ishte në 15 përqind. Në këto kushte shitësit, kushdo qofshin ata, kërkojnë gjysmën e pagesës kesh, në dorë. Hapur, ashiqare. Një blerës të rregullt e vënë para përgjegjësisë: tërhiqi nga banka dhe mi paguaj në dorë, se ndryshe paguaj shumë tatime. Kjo është fuqia çudibërëse e tatimeve dhe taksave. Po qe se nuk e njeh këtë fuqi dhe në se nuk di ta menaxhosh këtë efekt në vend të heqësh vetullat, nxjerr sytë. Kjo pagesë në dorë, që është gati gjysma e vlerës së pasurisë së paluajtshme, akumulohet në euro. Ajo kërkon të konvertohet në lekë.

Oferta për lekun është e kufizuar, oferta në euro është e rritur. Një pjesë e këtyre parave në euro, që vijnë edhe nga kanalet e padeklaruara (nënkupto: pastrim të parave të drogës, të fushatave elektorale, të korrupsionit, të emigracionit të paligjshëm, të punës në të zezë jashtë, e tjera, e të tjera). Ekuacioni është i thjeshtë: Oferta në euro është e lartë, kërkesa në euro është e ulët. Shqiptarët nuk kërkojnë euro se importet ruajnë atë nivel që kanë pasur, se shqiptarët nuk kryejnë investime jashtë, se pagesat në euro për shërbimet jashtë të lidhura me veprimtaritë kulturore, me bursat dhe pagesat e emigrantëve, dhe nevoja të tjera, janë modeste. Edhe flukset dalëse të qytetarëve shqiptarë që shkojnë jashtë si turistë janë gjithashtu modeste në raport me flukset hyrëse prej turizmit “incoming” (turistëve që vizitojnë vendin tonë).

Pse duhet marrë hua shtetërore në euro në tregjet evropiane?

Faktori i tretë që ka ndikuar dukshëm në prishjen e ekuilibrit te euros me lekun, dhe që sipas mendimit tim ka dhënë një goditje tjetër në mbivlerësimin e padobishëm të lekut, është lëvizja e qeverisë për marrjen e një huaje në euro në tregjet evropiane, prej afërsisht 600 milion euro. Kjo ka ndodhur afërsisht 6-7 muaj më herët. Çfarë nënkupton ky fenomen? Në një treg të përmbytur nga euro, pse duhet të shtosh akoma euro? Njëlloj sikur në një qytet të përmbytur të hapësh portat e shkarkimit të një lumi. Kjo është logjika elementare. Sigurisht, këtu ka edhe faktorë të tjerë të lidhur me koston e huas, apo me kërkesat për ristrukturimin e huas, por qeveria mund dhe duhet të luante në mënyrë më të kujdesshme.

Pjesën dërmuese të huamarrjes ta realizonte duke ju drejtuar operatorëve vendas, të merrte hua në tregun e brendshëm, në sistemin tonë bankar të nivelit të dytë dhe pse jo edhe prej bizneseve që kanë rezerva valutore në euro. Në këtë mënyrë, qeveria si aktor i rëndësishëm ekonomik luan në drejtimin e kundërt me drejtimin që e tërheqin ekonominë tonë faktorët e ligjshëm dhe të paligjshëm. Qeveria me lëvizjet e saj, në harmoni me politikën monetare të Bankës së Shqipërisë, ndikon në reduktimin e ofertës në euro.

Dy fjalë për kuptimin dhe menaxhimin e riskut

Bizneset janë të ekspozuara ndaj një numri të madh risqesh që kanë të bëjnë me aktivitetin e tyre tregtar, me konkurrencën, me teknologjinë, me furnitorët, me klientët, me bankat, tatimet, taksat, e të tjera. Ky është risku tregtar. Menaxhimi i këtij risku është problem dhe përgjegjësi e stafeve menaxheriale dhe profesionistëve. Ndërkohë, risqet që vijnë nga institucionet janë përgjegjësi e shtetit.

Shteti, shtetet, qeveria, qeveritë, nuk duhet të luajnë keq me paranë, duhet të përmbushin me korrektesë funksionet dhe përgjegjësitë e tyre, nuk duhet të luajnë shpesh me ligjet dhe me administratën, nuk duhet të përdorin ligjet dhe të cenojnë shinat e ekonomisë për interesa elektorale, nuk duhet të cenojnë barazinë para ligjit dhe të manifestojnë preferenca subjektive për subjekte të veçanta, nuk duhet të dëmtojnë institucionet e demokracisë apo ti bëjnë ato të paqëndrueshme me lojën e tyre politike.

Në se bizneset vuajnë pasojat e risqeve që provokohen prej politikës dhe institucioneve, atëherë këto të fundit (shteti dhe institucionet publike) duhet të njohin përgjegjësitë e tyre dhe të hartojnë politika që inkurajojnë zhvillimin ekonomik, bizneset vendase dhe nxisin klimën e të bërit biznes. Në të kundërt rrjedhojat mund të jenë më të ashpra nga sa mendohet.

Po t’i shtosh kësaj edhe faktorët e karakterit psikologjik, të besimit, të preferencës, të lehtësisë, të komoditetit, është e qartë se euro ka përparësi në përdorim. Autoriteti monetar/prestigji i lekut në treg është i pjesshëm. Ekonomia monetare shqiptare është mikse. Këtu ka natyrshëm dy monedha: euro dhe leku. Njëra zyrtare por që nuk ka autoritetin e nevojshëm, tjetra ka autoritet dhe teren por nuk është zyrtare. Presioni monetar që bën ekonomia që na rrethon gjeografikisht si ekonomi e zonës së euros dhe ekonomia evropiane, në këndvështrimin tregtar, është i fortë.

Në ekonominë tonë hyjnë çdo vit rreth 12 deri 13 miliardë euro, nga burime të ligjshme dhe të padeklaruara, të cilat nuk kanë nevojë të konvertohen në lekë për tu përdorur. Euro ka terrenin e vet. Kanalet e qarkullimit janë të ngopura me euro, ndërkohë që leku kërkohet. Kjo e forcon, e mbiçmon artificialisht lekun. Komuniteti i mbi 5000 eksportuesve, me mbi 200 mijë të punësuar, që jep sipas shoqatës së eksportuesve shqiptarë një kontribut afërsisht me 23 % të PBB të vendit tonë, janë të ekspozuar ndaj një risku, risku i kursit të këmbimit, që kap vlerën gati 20 % të aktivitetit të tyre.

Kjo është shumë e lartë, krahasohet me risqet e vendeve në prag lufte. Këta operatorë nuk kanë pse të kërkojnë ekspertizën e institucioneve financiare ndërkombëtare, ndërkohë që paguajnë tatime dhe taksa për të qenë të mirinformuar dhe të asistuar nga institucionet e tyre. Risqet individuale të secilit biznes ti menaxhojnë stafet menaxheriale për biznesin e tyre, ndërsa risqet sistematike ti menaxhojë dhe zgjidhë shteti për të gjitha bizneset dhe gjithë ekonominë. Banka Qendrore duhet të zhvillojë përgjegjësitë e saj institucionale që burojnë nga nenet 60 dhe 61 të ligjit për Bankën e Shqipërisë, që rregullon veprimtarinë e saj për këmbimet valutore, për regjimet valutore, rezervat, politikat valutore dhe kontrollin e këmbimeve valutore. Ndaj kemi nevojë për shtet dhe për institucione.

Çfarë duhet bërë?

Gjëja e parë që më vjen menjëherë në mënd, ka të bëjë me faktin që të vërtetat duhen parë dhe vlerësuar drejt. Siç u shpreha më sipër, të merremi me shkaqet dhe jo thjesht të qajmë për pasojat. Për opinionin tim, fenomeni i mbiçmimit të lekut ishte dhe është fenomen i pritshëm. Banka e Shqipërisë duhet të veprojë në përputhje me atributet që i jep ligji, të dalë në tregun e hapur me operacione legale dhe të ndikojë në kërkesë ofertën për euro dhe lekë. Të shtojë rezervën valutore në euro dhe ta përdorë atë në shërbim të bankave të nivelit të dytë.

Të dekurajojë euron në qarkullim me masa të karakterit administrativ dhe rregullativ, në përputhje me kompetencat. Të ndihmojë, me instrumentet e politikës monetare, kredidhënien në lekë. Qeveria të njohë dhe të marrë përsipër përgjegjësi konkrete për të evituar një process zinxhir falimentimesh të bizneseve të eksportit dhe shkurtime të të punësuarve në këtë sektor. Mbi të gjitha, të pranohet fenomeni dhe të mos injorohet apo të përdoret politikisht.