LAJMI I FUNDIT:

Arrestohen liderët kyç të opozitës në Venezuelë

Arrestohen liderët kyç të opozitës në Venezuelë

Dy liderë të opozitës në Venezuelë, Leopoldo Lopez dhe Antonio Ledezma, janë arrestuar nga forcat e policisë në një kohë kur vendi po përjeton ende protesta kundër presidentit Nicolas Maduro.

Ata ndodheshin në arrest shtëpie për akuzat e nxitjes së dhunës gjatë protestave anti-qeveritare të vitit 2014.

Familjarët e tyre kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për vendin ku i kanë çuar forcat e policisë pas arrestimit.


Prangosja vjen vetëm dy ditë pas votimit kontradiktor për ndryshimet kushtetuese, gjatë të cilit u regjistruan dhe aktet më të rënda të dhunës në vend, që lanë të paktën 10 të vdekur.

Më 1 maj presidenti Nicolas Maduro thirri mbajtjen e asamblesë për të rishkruar kushtetutën e Venezuelës, pavarësisht protestave.

Ai argumentoi se një gjë e tillë do të krijonte kushtet për paqe dhe dialog, duke bërë së bashku sektorë të ndryshëm të shoqërisë së polarizuar venezueliane.

Por opozita e akuzoi presidentin se po e rishkruante kushtetutën për të zgjeruar kompetencat e tij dhe për të izoluar parlamentin e kontrolluar nga opozita. Për rrjedhojë anëtarët e opozitës bojkotuan votimin e dy ditëve më parë dhe u bënë thirrje qytetarëve që të dilnin në rrugë.

Votimi për ndryshimin e kushtetutës u kritikua edhe nga liderët e vendeve latine, Bashkimi Europian dhe SHBA. Dita e votimit ishte më e rënda deri tani, që nga nisja e valës së protestave. /kp/