Libri i shkëlqyer i Bijan Omranit, Zoti është anglez [God is Englishman], argumenton se fenë tonë kombëtare e marrim si të mirëqenë – dhe se të rinjtë vuajnë si pasojë e kësaj.
Nga: Baroni Rowan Williams, kryepeshkop i Kanterberit në vitet 2002-2012 / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Problemi i vetëm i madh me veprën Zoti është një anglez, një libër frymëzues dhe plot erudicion nga historiani Bijan Omrani, është vetë titulli i tij. Ai sugjeron diçka krejt tjetër nga ajo që është në të vërtetë argumenti i librit. Në vend që të tregojë se si një traditë specifike fetare është e lidhur në mënyrë të pandashme me identitetin anglez, titulli pasqyron një ide shumë më problematike të statusit apo fatit unik fetar të popullit anglez, një mit mbi kulturën “anglo-saksone” si qendrore në qytetërimin “autentik” të krishterë – një mesianizëm apo veçanti angleze që është po aq e rrezikshme sa manifestimet paralele në vetimazhet e Rusisë apo të Shteteve të sotme të Bashkuara.
Ajo që Omrani thotë, në fakt, është thjesht se një pjesë e madhe e asaj që ne e marrim si të mirëqenë rreth kulturës së Anglisë është ashtu për shkak të Kishës së Krishterë. E njëjta gjë do të vlente për Francën, Rumaninë apo Etiopinë; por, ta pranosh këtë nuk do të thotë aspak të minimizosh nevojën për ta theksuar qartë në kontekstin tonë.
Omrani na ofron shumë më tepër sesa një himn – apo, për fat të keq, një elegji – për kishat e vogla të fshatrave, shërbesat e mbrëmjes dhe famullitarët ekscentrikë e simpatikë. Ai e vendos që në fillim rolin thelbësor dhe qendror të Kishës Katolike Perëndimore në formësimin e ligjeve të Anglisë: duke këmbëngulur, në Mesjetë dhe në periudhën e hershme moderne, që fuqia monarkike duhet të jetë e përgjegjshme se kompensimi për dëmin dhe padrejtësinë duhet të jetë i mundshëm për të gjithë, dhe se kontratat duhet të jenë të zbatueshme në mënyrë të drejtë dhe universale. Omrani vëren gjithashtu se ligjet që rregullonin dënimin me vdekje lejonin pezullimin e dënimit nëse i dënuari shpallej i çmendur; parimi ishte që ndëshkimi duhet të ketë një dimension “komunikues”, siç e quajnë teoricienët e drejtësisë – duhet të jetë i kuptueshëm për personin që ndëshkohet. Të gjitha këto, Omrani me të drejtë i lidh me shqetësimet thelbësisht të krishtera për dinjitetin e personit, të cilat kërkonin një sistem penal që ta merrte seriozisht këndvështrimin dhe gjendjen mendore të kriminelit, njësoj si fatin e viktimës.
I njëjti shqetësim për theksimin maksimal të vetëdijes dhe veprimin inteligjent shfaqet edhe në investimin e Kishës në arsimimin në çdo nivel. Omrani ndjek shumë studiues të kohëve të fundit që kanë rrëzuar mitin e një “Epoke të Errët” intelektuale që u përmbys nga Rilindja dhe/ose Iluminizmi; përkundrazi, ai çmon kontributet e prekshme që klerikët mesjetarë kanë dhënë në matematikë, astronomi dhe fizikë (përfshirë Kryepeshkopin e ardhshëm të Kanterberit që arriti të parashikonte llogaritjen e përshpejtimit përpara Galileos). Arti pamor dhe ai letrar janë të mbushura me referenca të krishtera, peizazhi është formësuar ndjeshëm nga veprimtaria e Kishës – dhe njësoj edhe kalendari.
Për më shumë, argumenton Omrani, duhet të harrojmë klishetë moderne që krishterimi perëndimor, në përgjithësi, dhe ai britanik në veçanti, është i cekët në aspektin shpirtëror. Ai na kujton lulëzimin vërtet të jashtëzakonshëm të shkrimeve mbi përsiatjen në Anglinë e shekullit XIV, ku brenda mezi 80 vjetëve u shfaqën të paktën pesë vepra të mëdha të ardhshme të letërsisë “mistike” dhe reflektuese, të shkruara në gjuhën e folur dhe për rrjedhojë të qasshme për një audiencë laikësh. Pak vende të tjera në atë periudhë mund ta rivalizojnë këtë rekord produktiviteti në një gjuhë vendore – megjithëse Gjermania dhe Vendet e Ulëta përbëjnë konkurrencë të fortë – dhe kryeveprat e depërtimit shpirtëror si Reja e mosnjohjes [The Cloud of Unknowing] dhe vegimet e Xhulianës së Norviqitit, pasi u lanë disi pas dore pas Reformacionit, kanë gëzuar një rritje të qëndrueshme në popullaritet gjatë njëqindvjeçarit të fundit.

Omrani na ndihmon të kuptojmë se si zhvillimi i himnit klasik anglez, nga fundi i shekullit XVIII e tutje, krijon një stil dhe shije shumë të veçantë muzikore angleze; deri vonë, një traditë mjaft e pandërprerë e adhurimit të përbashkët në shkollat shtetërore garantonte që kjo trupë muzikore popullore të përbënte një element të fuqishëm të kulturës së përbashkët, të mësuar, të kujtuar përgjysmë, të parodizuar, të shijuar edhe nga mosbesimtarët e moshuar. Siç vëren ai me keqardhje, kjo trashëgimi është zhdukur në masë të madhe pasi himnologjia është zëvendësuar nga këngët fetare bashkëkohore, më specifikisht të drejtuara te fëmijët dhe adoleshentët – duke krijuar përshtypjen fatkeqe se kremtimi fetar është fëmijëror ose edhe foshnjarak. Shumica e klerikëve do të vëzhgojnë me ironi se kur çiftet e fejuara ose familjet e pikëlluara pyeten për të zgjedhur himne për një dasmë apo një varrim, e vetmja gjë që njohin janë këngët nga shkolla fillore.
Por, historia e kishave dhe e priftërinjve e pastorëve të veçantë në mbrojtjen e të pambrojturve dhe në angazhimin me proceset vendimmarrëse të kombit është një çështje pa dyshim e njerëzve të rritur. Fushatat për heqjen e skllavërisë në shekullin XVIII dhe kufizimi i punës së fëmijëve në shekullin XIX – për të përmendur vetëm rastet më të mëdha dhe më të suksesshme – u ushqyen jo nga skeptikë liberalë “iluminuar”, por nga të krishterë thellësisht dogmatikë me një bindje të patundur për dinjitetin njerëzor të dhënë nga Zoti dhe domosdoshmërinë e dhembshurisë. Historianët modernë na kanë nxitur, me arsye, të mos i idealizojmë këto fushata dhe të mos anashkalojmë pikat e dobëta të atyre që i udhëhoqën; por, siç vëren Omrani, pa mëshirën dhe përkushtimin e pashuar për solidaritetin njerëzor që karakterizonte fenë ungjillore të asaj epoke, asnjë përmirësim nuk do të kishte ndodhur.

Në pjesën e fundit te Zoti është anglez, Omrani përpiqet të kuptojë çfarë ndodhi me kulturën e përbashkët që ai ka përshkruar aq mirë. Ai i sheh vitet ‘60 [të shekullit XX] si një moment kyç, dekada në të cilën një stuhi ndryshimesh shoqërore shkatërroi me shpejtësi strukturën e dendur të shoqërive vullnetare që kishin mbizotëruar për rreth një shekull. Ai e quan “krizë të shoqërimit”: njerëzit angazhohen më pak si vullnetarë, anëtarësohen më rrallë në klube dhe shoqata (duke përfshirë partitë politike), dhe shmangin anëtarësimet afatgjata në ekipe sportive apo grupe komunitare.
Me fjalë të tjera – dhe kjo është një pikë që ia vlen të theksohet – mungesa e brezit të ri në Kishë është më pak një shenjë mosbesimi parimor dhe më shumë një simptomë e kësaj prirjeje më të gjerë për të mos u bashkuar me asgjë, për të mos “u regjistruar”. Por, në këtë sfond, dera mbetet e hapur ndaj burimeve të pasura që ka përshkruar Omrani. Vetmia, çorientimi përreth identitetit personal dhe kolektiv, erozioni i hapësirës imagjinative – të gjitha peshojnë rëndë mbi shoqërinë tonë. Do të ishte marrëzi të mos u tregonim njerëzve vendin ku mund të gjendet ushqimi.

Omrani nuk është një evangjelist fetar. Ai është, megjithatë, shumë më tepër sesa një “i krishterë kulturor” që e përdor nostalgjinë në shërbim të pakënaqësisë politike. Ai dëshiron që të shohim dhe të dëgjojmë me vëmendje format reale dhe ritmet e vizionit të krishterë për njerëzimin, ashtu siç është pranuar në Angli gjatë shekujve, dhe të pyesim veten se çfarë na nevojitet me urgjencë nga ky vizion, jo aq që të bëhemi anglezë apo angleze më të mirë/a, por që të bëhemi njerëz më të mirë, këngëtarë më të mirë, shkencëtarë dhe aktivistë më të mirë socialë. Qëllimi – dhe paradoksi – është se ky aspekt i krishterë anglez mund të jetë kundërhelmi më i mirë ndaj përplasjes së trishtuar mes përjashtimit triumfalist nga njëra anë dhe analfabetizmit historik të një universalizmi utopik të rrafshuar e abstrakt nga ana tjetër. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

Publikohet momenti i gjuajtjes me breshëri plumbash ndaj terroristëve serbë në Banjskë

Kush do të jetë Papa i ardhshëm? Kandidatët kryesorë në një garë të paparashikueshme

La Liga i jep Barcelonës lajmin fantastik për sezonin e ri

Avokatja e Diamant Gashit: Babai i tij ishte i tronditur nga përfshirja e të birit në rastin e vrasjes së rreshterit Muhamed Lika

Flick projekton transferimin e ish-lojtarit të Real Madridit te Barcelona

Haradinaj: Nëse Limaj i vazhdon pushtetin Kurtit, është dorë e zgjatur e Serbisë