LAJMI I FUNDIT:

Amnezia e Jeremiqit…

Kanë mbetur edhe tri javë kur në Hagë pritet të nisë procesi për të shqyrtuar ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Në "fushën e mejdanit" do të dalin Kosova dhe Serbia. "Kartonin e kuq" Serbia do ta marrë edhe në Hagë. Kjo është logjika juridike, matematika, si një e një që bëjnë dy.

Serbia kujton se do të bien në ujë aktet e njohjes së pavarësisë që i bënë Amerika, Britania, Franca… vendet më të fuqishme në botë. Para mund të ndodhë kiameti, se sa të bëhet ajo që sheh ëndërr Serbia.

Serbisë do t’i bien "pendlat" në Hagë. Le të zgjedhë pastaj variantin, të merret me Kosovën, apo të hyjë në Bashkimin Evropian (BE). Dy bostane nuk mbahen në një dorë, thotë një urti e popullit. Këtë nuk e lejon as Evropa.


E di Serbia se do të humb edhe në Hagë. Megjithëkëtë, politikanët e saj kanë dhënë deklarata patetike se edhe nëse humbin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, nuk do të lëshojnë pe ndaj Kosovës, do t’i përdorin "të gjitha mjetet politike dhe diplomatike". Ku do t’ i përdorin këto mjete…, në ndonjë shoqatë kishtare, a?!

Mu për shkak të këtij procesi, politikanët serbë kanë aktivizuar propagandën, "vjershën", copy paste, e cila është bërë e mërzitshme për diplomatët e huaj.
Politikanët serbë "vjershën" e tyre për Kosovën e kanë përsëritur disa herë në seancat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. E përsëritën edhe tash në Parlamentin Evropian në Bruksel. Serbët e paturpshëm nuk e kanë dert se u bënë gazi i botës, i grahin propagandës bajate "deri në fund":

Pavarësinë e Kosovës e kanë njohur deri më tani 62 shtete, Amerika, Franca, Gjermania, Italia, Turqia, Japonia, Kanada, Mali i Zi, Maqedonia… Ndërkaq, ministri serb Vuk Jeremiqi qiti "tym prej goje" në Bruksel. Kërkoi qe 22 vendet e Bashkimit Evropian t’i bien pishmanit, ngase qenka shkelur e drejat ndërkombëtare ! Audienca e Parlamentit Evropian s’po e ditka ç’është e drejta ndërkombëtare!

I gjori Jeremiq, ua mban një ligjëratë "të fortë" eurodeputetëve. U thotë atyre se Serbia deri kah fundi i këtij viti do të paraqet kandidaturën e vet për të hyrë në BE. Në kontekst të kësaj, shpreh ai "zemërgjerësinë" se në BE duhet të integrohen edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, përmend Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kroacinë. "Harron" ta përmend Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi.

Jeremiqi nuk e përmendi Maqedoninë as Malin e Zi, ngase këto i nxorën telashe Serbisë, e nxorën nga takti për shkak se brenda një dite e njohën pavarësinë e Kosovës. Kësaj i thonë: E dorëzon lutjen për ndonjë vend të punës, në emrin tënd, jo edhe të komshive!

Në fjalorin e politikës dhe diplomacisë nuk ekziston ndajfolja "kurrë", që do të thotë: Asnjëherë, në asnjë kohë, në asnjë rast…. Serbët e dinë këtë marifet, por ua kënda të shfryhen, të qojnë inat ndaj Kosovës. E përdorin këtë shprehje, u mor vesh, sa për të mos ua prishur qejfin të vetëve, të mos u bie imazhi.

Beogradi pati rënë në shok kur brenda një ditë e njohën pavarësinë e Kosovës dy vendet – Mali i Zi dhe Maqedonia. Ishte presioni ndërkombëtar se kështu duhet të ndodhë, s’bën ndryshe. Kjo i nxori nga takti politikanët serbë t’i quajnë politikanët e këtyre dy vendeve "tradhtarë". Pas shokut, u këndellën, i normalizuan marrëdhëniet diplomatike me fqinjët e tyre.

Jeremiqi nuk e harroi as Kosovën. Për të përsëriti "vjershën", copy paste, se Serbia "kurë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës".
Nuk kris kiameti pse Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Kjo është çështje e saj. Por, kurrën e kurrës s’mund t’i ndalë aktet e njohjes së pavarësisë, s’ ka kaçik për këtë.

Ndajfoljen "kurrë" e ka përmendur edhe në parlamentin e botës, në OKB, jo vetëm ky, por edhe "gazda" i tij Boris Tadiqi. Fjalimit të Jeremiqit në Bruksel, gazeta serbe "Veçernje novosti", e 5 nëntorit 2009, i jep publicitet të madh. Kjo gazetë citon Jeremiqin të ketë thënë se Serbia i ka përmbushur "të gjitha kushtet për të hyrë në zonën e Shëngenit", se "tërësisht po bashkëpunon me Tribunalin e Hagës".

Jeremiqi para eurudeputetëve shtiret të jetë proevropian, përmend "sovranitetin", ligjet, të drejtën ndërkombëtare, "shkeljen e të drejtës ndërkombëtare", thuajse ata që e dëgjuan qenkan budallenj, nuk e dinë gjendjen në Kosovë.

Jeremiqi, madje, ç’është ironia, kërkoi në këtë parlament që 22 vendet e BE-së që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës t’i bien pishmanit, t’ia mbajnë anën Serbisë. Foli ai si të ishte në "varoshin" serb, në çarshinë e Kralevës, e jo në qendrën e diplomacisë evropiane, Bruksel.

Kur përmend "bashkëpunimin e ngushtë" me Tribunalin e Hagës, Jeremiqi del qesharak. Ai harron se pas shumë vitesh të strehimit të Radovan Karaxhiqit në Serbi, me emrin tjetër, është dorëzuar në Hagë. Harron Jeremiqi të përmend edhe të akuzuarin tjetër për gjenocid dhe krime të luftës, i cili fshihet në Serbi, Ratko Mlladiqin. Ky dhe Karaxhqi vetëm në Srebrenicë i kanë ekzekutuan më tepër se 8000 myslimanë.

Për popullin e vet Jeremiqi thotë se është "liridashës". Tipat, si Boris Tadiqi, Vuk Jeremiqi e të tjerët, pos që kanë rënë në delerium tek ta po shprehet edhe amnezia, nga truri i tyre janë "shlyer" krimet makabre që i kanë bërë të vetët jo vetëm në Bosnjë e Hercegovinë por edhe në Kosovë. ‘

Atë çka flet Tadiqi e Jeremiqi për Kosovën, foli në një emision të RTK-së – "Jeta në Kosovë" edhe ministri i punëve të brendshme Ivica Daciqi. Ky kryepolic, Republikën e Kosovës e quante "provincë serbe", Kosovë e Metohi, Kosmet. Nuk gabonte Daciqi, e përsëriste shprehjen "… Metohi". Shprehte sadizmin e tij politik, krekosej se po bënte punë të madhe. Apo, ndoshta, kjo ishte një harakiri shpirtëror i tij.

Drejtuesja e emisionit "Jeta në Kosovë", Jeta Xharra bashkëbiseduesin e saj e bëri "talim", por i përkëdheluri i Sllobodan Millosheviqit, "espëesi" Daciqi nuk dorëzohej, përsëriste këngën e vjetër, këngën copy paste. Ministri i MUP-it të Serbisë, Ivica Daciq u zu pisk edhe sa i përket shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët krahasuar me pakicën serbe ne Kosovë, janë të diskriminuar në të gjitha fushat e jetës. Daciqi tregoi se s’ është gjë tjetër pos alter ego i Sllobodan Millosheviqit.

Amerikanët, anglezët, francezët… nuk lejojnë që dikush të mbaj fjalim në vendin e tyre, ta quaj shtetin e tyre ndryshe. Këtë e lejojnë vetëm politikanët e Kosovës, të cilët tregohen liberalë, tolerantë, i lejojnë përfaqësuesit e partive të ndryshme politike serbe të vjellin helm e vrer, ta shajnë Kosovën. Në RTK programin e partisë së tij e promovoi edhe ish-politikani komunist, "harmonikashi" Momçillo Trajkoviqi. Edhe ky, si të tjerët, Kosovën e quante Kosmet, fliste ai si të ishte në Shumadi !

Serbisë ia kanë "ngrehur veshin" diplomatët amerikanë, britanikë, por edhe ish – i deleguari i OKB-së për Kosovën, Martti Ahtisaari. Bile, Ahtisaari ia ka thënë troç Serbisë se s’mund të hyjë në Bashkimin Evropian pa e njohur pavarësinë e Kosovës. Serbia s’mund të jetë "shah ne vete" në familjen evropiane, ngase edhe këtu janë do rregulla që duhet të përmbushen, BE-ja s’ është kafe e rakisë të hyjë në të kujt t’i teket.

Në trend

Më shumë

"SHBA me gjasë do të njoftojë tërheqjen masive të ushtarëve amerikanë nga Evropa", paralajmëron kreu i Konferencës së Sigurisë së Mynihut

Botë
Shtëpia e Big Brother VIP Albania kthehet 'përmbys' nga

Shtëpia e Big Brother VIP Albania kthehet 'përmbys' nga "ninxhat" gjatë natës

Magazina
Minerale të rralla në këmbim të garancisë së sigurisë - Ukraina i dorëzon marrëveshjen SHBA-së

Minerale të rralla në këmbim të garancisë së sigurisë - Ukraina i dorëzon marrëveshjen SHBA-së

Botë
Një person mbajti peng gruan brenda QKUK-së - policia, zjarrfikësit dhe QKUK japin detaje të rastit

Një person mbajti peng gruan brenda QKUK-së - policia, zjarrfikësit dhe QKUK japin detaje të rastit

Lajme
Reagimi i Gjestit kur pyetet se çfarë do të bënte në rast se Xheneta do të futej si banore në Big Brother VIP Albania

Reagimi i Gjestit kur pyetet se çfarë do të bënte në rast se Xheneta do të futej si banore në Big Brother VIP Albania

Magazina
Për herë të parë, Zelensky bisedon me kryeministrin britanik - zbulohen detaje nga biseda

Për herë të parë, Zelensky bisedon me kryeministrin britanik - zbulohen detaje nga biseda

Botë
Kalo në kategori