LAJMI I FUNDIT:

Ambasadori izraelit: Lindja e Mesme të marrë shembull nga Kosova dhe Serbia

Ambasadori izraelit: Lindja e Mesme të marrë shembull nga Kosova dhe Serbia

Yossef Levy, ambasador i Izraelit në Beograd, përgëzon Kosovën dhe Serbinë për marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Duke i parë si një progres të madh për Ballkanin Perëndimor, diplomati izraelit arsyeton sfidat dhe problemet në zbatimin e këtyre marrëveshjeve.

“Të dyja anët janë të bindura se kanë të drejtë prandaj ka kokëfortësi. Kur i dëgjoj serbët nganjëherë e ndjej se e kuptoj çka thonë, kur i dëgjoj shqiptarët ndiej se edhe këta kanë të drejtë. Prandaj nuk ka një të vërtetë absolute, siç më pati thënë gjyshja ime njëherë. Ndoshta e vërtetë është në mes, pra e vërteta e të vërtetave lidhja magjike është kompromisi”, tha ambasadori Levy.

Ambasadori Levy thotë se mënyra se si Kosova dhe Serbia po i zgjidhin problemet mes vete duhet të jetë shembull edhe për Lindjen e Mesme.


“Ju keni bërë shumë, ne në Lindjen e Mesme jemi shumë më prapa. Besoj se kur bëhet fjalë për raportet e Kosovës me Serbinë më e keqja ka marrë fund, kapitulli i së keqes është mbrapa jush, mendoj se ju jeni fokusuar vetëm në të ardhmen, keni delegacione që po shkojnë dhe po vijnë. Njësoj nuk mund të thuhet edhe për Lindjen e Mesme”, tha ai.

Në këtë intervistë për RTK-në Levy, foli edhe për marrëdhëniet e dobëta ekonomike mes Kosovës dhe Izraelit.

Sipas tij Kosova është atraktive për investitorët izraelit por se fillimisht duhet përgatitur terreni për ata.