LAJMI I FUNDIT:

Akademia e Ajaxit zbarkon në Kosovë

Akademia e Ajaxit zbarkon në Kosovë

Dy përfaqësues të akademisë së Ajaxit do të qëndrojnë këto ditë në Kosovë, ku do ta shikojnë mundësinë e bashkëpunimit me akademinë më të suksesshme në vendin tonë, atë të 2 Korrikut. Të dërguarit nga Holanda fillimisht do ta mbajnë një seminar, derisa të dielën do t’i shohin nga afër duke stërvitur të rinjtë e klubit verdh e kaltër.

Pas Milanit, edhe Ajaxi mund të zbarkojë me akademinë e saj në Kosovë. Dy persona nga akademia e klubit të famshëm holandez do ta vizitojnë këto ditë akademinë më të suksesshme të vendit tonë, atë të 2 Korrikut, ku do ta shohin mundësinë e bashkëpunimit me klubin prishtinas.

Siç mëson ekskluzivisht Expressi, këta dy ekspertë të futbollit, nesër do të takohen me stafin e 2 Korrikut, ndërsa më pas do ta mbajnë një seminar. “Pas këtij prezantimi, ata të dielën do t’i vizitojnë grupmoshat e reja 2 Korrikut, të cilët do t’i shohin duke luajtur”, njofton një burim i besueshëm.

Express e ka kontaktuar drejtorin e klubit prishtinas, Shaban Baholli, i cili as nuk e ka pohuar e as mohuar zbarkimin e holandezëve në kryeqytetin kosovar, duke thënë se për çdo detaj, opinioni do të njoftohet me kohë.


Siç dihet, gjiganti italian – Milan, çdo vit mban kampe në Kosovë, ku mundohet të nxjerrë talente, të cilët më pas i transferon në Itali për t’u testuar. Njëjtë flitet se mund të veprojë edhe gjiganti tjetër evropian – Barcelona. /Express/Telegrafi/