LAJMI I FUNDIT:

“Rebelohet” administrata e LDK-së, të pakënaqur me pagat

“Rebelohet” administrata e LDK-së, të pakënaqur me pagat

Shtatë punëtorë të LDK-së kanë vendosur të kërkojnë rritje të pagave për punën e tyre. Ata, po kërkojnë që pagat e tyre të jenë mbi 300 euro, e jo 185 sa marrin tash.
Këta punëtor thonë se po ndihen të harruar dhe diskriminuar nga udhëheqësit e partisë, të cilët sipas tyre nuk kanë plotësuar “një kërkesë njerëzore” të tyre për rritje ta pagave.

Murat Ajeti, punonjës në këtë parti për shumë vite, thotë se është vetëm njëri nga shtatë punëtorët e administratës të cilët kanë bërë një kërkesë të tillë. Ai tregon se merr një pagë prej 185 eurosh, që sipas tij nuk plotëso as përafërsisht kërkesat për një jetë normale.

“Unë i kam shokët e luftës dhe ata do të ma mundësojnë ekzistencën, por, këta punëtorë e punëtore që me mundësitë e tyre kanë bërë të pamundurën për LDK-në, rrezikohen të mbesin në rrugë. Kjo do të ishte katastrofë edhe për moralin politik të LDK-së”, thotë ai. Kërkesën për rritje të pagave thotë ta kenë bërë më 4 dhjetor të vitit të kaluar.


Për më tepër, thotë se partia iu hakmor pas një kërkese të tillë, duke shtuar se pas kësaj, janë avancuar vetëm disa punëtorë të cilët nuk u nënshkruan në listën e punëtorëve që kërkuan rritje page.

“Çka do të thotë kjo për një parti si LDK-ja?”, pyet Ajeti, shkruan Insajderi.

Lidhja Demokratike e Kosovës e themeluar në fund të vitit 1989, ishte për shumë gjatë partia më e madhe në vend. Aktualisht është në një koalicion qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës në një qeveri të madhe të përbërë prej 21 ministrish.

Tani, Ajeti thotë se kjo parti po i mban dyert e mbyllura të zyrave për siç thotë, privatizimin e partisë nga disa individë.

“Shumë udhëheqës të kësaj partie sot i kanë zënë kolltuqet ministrore, duke i mbajtur çelësat e zyrave të LDK-së të mbyllura, vetëm e vetëm që mos të afrohet askush në ato zyre, t’u pamundësohet ardhja e kuadrove të reja, rezervimi dhe privatizimi i LDK-së e cila është formua nga njerëzit më të devotshëm të këtij vendi, në të cilin proces morën pjesë edhe punëtorët të cilët rrezikohen të mbesin pa punë fare”, ka shtuar ai.

Ajeti thotë se u ka shërbyer shumë zyrtarëve të lartë të kësaj partie në kohë të vështira duke qenë në përcjellën e tyre.

E sot, sipas tij, “harrohen ato momente nga ata që i kanë zënë kolltuqet e atëherë as që i kam njohur ata.”

“Tani ata na e bëjnë gjyqin sipas huqeve të tyre, të cilët kishin qenë të parrezikuar dhe në rehati”, ka shtuar ai.