LAJMI I FUNDIT:

Ad Multos Annos, Gazeta Illyria

(Me rastin e 20-vjetorit të Botimit)

Në fund të kësaj javë, gazeta e njohur shqiptaro-amerikane, Illyria që botohet në New York, feston 20-vjetorin e themelimit të saj, me një darkë madhështore, ku janë të ftuar personalitete të njohura të politikës amerikane dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan. Ky është një përvjetor, për të cilin jo vetëm themeluesi dhe botuesi i parë, Zoti Harry Bajraktari (1991-1998), botuesi i dytë, Zoti Ekrem Bardha (1998-2006) dhe botuesi i tanishëm, Zoti Vehbi Bajrami, por i gjithë komuniteti shqiptaro amerikan është krenar për kontributin e kësaj gazet, qe tanimë është bërë një institucion i pandarë i komunitetit shqiptaro-amerikan. Për më tepër, pasi zakonisht në dhjetë faqet e para ajo boton lajme e informacione në anglisht, gazeta Illyria është bërë edhe një burim ndërkombëtar lajmesh, duke numëruar në radhët e lexuesve të sajë anëtarët më me influencë të Kongresit e të qeverisë amerikane dhe më gjerë, të cilët kanë qenë dhe janë të interesuar për çështjet shqiptare.

Megjithëse kanë kaluar 20 vjet nga botimi i numrit të parë dhe bota ka ndryshuar dhe vazhdon të ndryshojë çdo ditë, gazeta Illyria nuk është larguar as nuk ka devijuar nga parimet mbi të cilat u themelua, duke mbuluar, në mënyrë të paanshme dhe objektivisht, ngjarjet në trojet shqiptare në Ballkan dhe në botë dhe ka pasqyruar me anë intervistash e deklaratash, qëndrimet e qeverisë amerikane ndaj ngjarjeve në trojet shqiptare, sidomos gjatë luftës për pavarësi të Kosovës.


E them me plot bindje se rolin që luajti gazeta Dielli në fillim të shekullit të kaluar për pavarësinë e Shqipërisë, atë rol luajti gazeta Illyria në fund të shekullit 20 dhe në fillim të shekullit 21 për pavarësinë e Kosovës.

Menjëherë pasi filloi botimin, gazeta Illyria zhduku një boshllëk që ekzistonte deri atëherë, sidomos në informimin e të huajve, komunitetin shqiptaro-amerikan dhe me gjerë, duke u dhënë njohuri e perspektiva mbi gjendjen e shqiptareve në Ballkan, e sidomos mbi gjendjen në Kosovë dhe mbi demokracinë e re në Shqipëri, që në ka kohë kishte filluar të hidhte hapat e parë.

Mua dhe disa personave të tjerë, duke përfshirë edhe disa politikanë të shquar amerikanë dhe miq të shqiptarëve, si Senatori Robert Dole dhe Kongresmeni William Broomfield, na u kërkua ne atë kohë të komentonim në lidhje me rëndësinë e gazetës Illyria për komunitetin dhe më gjerë si dhe influencën qe filloi te gëzonte kjo gazetë prej fillimit. I sjell këto komente, gjithnjë aktuale, të 20 vjetëve më parë, për të ilustruar faktin se megjithëse gjatë viteve u ndryshuan botuesit dhe redaktorët – disa prej tyre shumë të aftë, si Dalip Greca dhe redaktori i tanishëm Ruben Avxhiu – gazeta Illyria vazhdoi tu qëndrojë besnike traditave më të mira të etikës se gazetarisë amerikane. Po i sjell sipas rendit që u botuan në atë kohë deklaratat spontane.

Udhëheqësi i republikaneve në Senatin amerikan në atë kohë, dhe një përkrahës i fortë i shqiptarëve, sidomos i çështjes së Kosovës, dhe mik i ngushtë i Presidentit Ibrahim Rugova, ka thënë se:

“Illyria ka bërë një mbulesë të mrekullueshme të Ballkanit, sidomos të ngjarjeve që kanë të bëjnë me konfliktin në ish-Jugosllavi. Përveç mbulimit në kohë të ngjarjeve, ajo ka raportuar efektivisht mbi rolin e komunitetit ndërkombëtar në atë rajon. Illyria është një burim shumë i çmueshëm informacioni për anëtarët e Kongresit, siç jam unë. Pres që të lexoj gazetën Illyria për shumë vite në të ardhmen”.

Zoti Kristofer Hailand, ish- Drejtori Politik i grupit të Tranzicionit të Presidentit Klinton pat bërë këtë deklaratë mbi rëndësinë që kishte për të gazeta e re Illyria:

“Si drejtor politik i grupit të tranzicionit të Presidentit Klinton, Illyria vazhdon të më informojë mbi ngjarjet tragjike në zonën e Ballkanit, mbi demokracinë e re në Shqipëri dhe mbi komunitetin shumë të rëndësishëm shqiptaro-amerikan. Duke lexuar gazetën Illyria gjatë 15 muajve të fundit, unë kam shtuar njohurinë time mbi krizën e paqëndrueshme në Evropën Lindore. Unë e përshëndes gazetën Illyria si një mbrojtëse krenare të demokracisë dhe barazisë dhe pres me ankth zgjerimin e mbulimeve të lajmeve dhe ngjarjeve anë e mbanë botës”.

Xhorxh Keni i entit jo-qeveritar Karnegie Endouvment për Paqe Ndërkombëtare pat thënë këto për gazetën Illyria:

“Më pëlqen të lexoj gazetën Illyria dhe ua rekomandoj komunitetit shqiptaro-amerikan dhe amerikanëve të tjerë. Illyria është e dedikuar ndaj standardeve më të larta gazetareske. Në secilin numër, ajo demonstron objektivitetin si edhe angazhimin e saj për gjendjen njerëzore. Kjo është një gazetë me influencë”.

Unë në atë kohe isha nëndrejtor i entit të Zërit te Amerikës për ish-Bashkimin Sovjetik dhe bëra këtë deklaratë:

“Gazeta Illyria është gazeta shqiptare më informuese dhe më objektive për çështjet shqiptare si për shqiptarë ashtu dhe për amerikanë, si edhe për persona të tjerë anglishtfolës kudo. Illyria shërben si burim i besueshëm lajmesh dhe informacionesh të freskëta për qarqet qeveritare dhe akademike, rreth gjendjes në Shqipëri, në Kosovë dhe më gjerë. Me botimin e kësaj gazete, ata që merren më Shqipërinë dhe me Shqiptarët kudo, tani mund të lexojnë dhe të mësojnë e të informohen rreth çështjeve shqiptare që gazeta Illyria i shpjegon duke u bazuar në traditën më të mirë të shtypit të lirë amerikan”.

Ish-Kongresisti Villiam Brumfild, anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Deputetëve dhe mik i çmuar i shqiptarëve vlerësoi kështu në atë kohë, gazetën Illyria:

“Gjendja politike në ish-vendet komuniste të Evropës Lindore është e paqëndrueshme dhe e rrezikshme. Është e domosdoshme që këto vende të jenë të vetëdijshme në lidhje me këtë situatë dhe të kuptojnë se ngjarjet e tanishme do të afektojnë këto vende në zhvillim dhe krejt botën perëndimore. Gazeta Illyria më ka ndihmuar shumë të kuptoj më mirë krizën e vazhdueshme në Ballkan dhe në Evropën Lindore. Kjo gazetë ka një mprehtësi dhe vlerë të madhe për mua”.

Dhe me ne fund, Zoti Xhim Harf, president i firmës Ruder Fin për Çështje Botërore përmblodhi vlerësimet e asaj kohe për gazetën Illyria duke thënë:

“Në vorbullën e mjedisit të Uashingtonit, ku dijenia dhe njohuria e fakteve është një fuqi ose forcë (politike), gazeta Illyria është një burim i shkëlqyeshëm informacioni për anëtarët e Kongresit, për Administratën, për diplomatët dhe për gazetarët ndërkombëtarë. Kjo gazetë është një burim i pazëvendësueshëm për të kuptuar Ballkanin”.

Megjithëse kanë kaluar 20 vjet, unë do të beja sot të njëjtën deklarate dhe vlerësim, dhe jam i bindur se edhe personat e lartpërmendur do të bënin të njëjtën gjë. Duke marre parasysh rrethanat e sotme ekonomike dhe në një kohë kur Interneti po zëvendëson burimet tradicionale të shpërndarjes së lajmeve dhe informacionit, gazeta Illyria mbetet gjithnjë një burim i besueshëm lajmesh e komentesh. Me këtë rast uroj botuesin dhe stafin e vogël, por krenar të gazetës Illyria për punën e madhe që kanë bërë gjatë këtyre 20 vjetëve të kaluar dhe për detyrën e madhe që kryejnë edhe sot duke u dëshiruar “Ad Multos Annos”, Për Shumë Vjet e Gëzuar 20 Vjetori Botimit.

Në trend

Më shumë
Ditë e re, provokim i ri për të mos reaguar - kësaj radhe në shtëpinë e BBVA futet Livia për të zgjuar banorët nga gjumi

Ditë e re, provokim i ri për të mos reaguar - kësaj radhe në shtëpinë e BBVA futet Livia për të zgjuar banorët nga gjumi

Magazina
I dërguari i Trumpit largohet nga Moska pas një takimi me Putinin - ai ka një mesazh të rëndësishëm për SHBA-në

I dërguari i Trumpit largohet nga Moska pas një takimi me Putinin - ai ka një mesazh të rëndësishëm për SHBA-në

Botë
Prokuroria autorizon policinë që të nisë hetimet ndaj Sami Kurteshit

Prokuroria autorizon policinë që të nisë hetimet ndaj Sami Kurteshit

Lajme

"Policë evropianë që vijnë të veshur si paramilitarë, si hajdutë, si bandita", Behrami kritikon përcjellësit e Thaçit

Lajme
Xheneta reagon pasi takoi Gjestin në BBVA: Hiç prej shtëpisë mos me dalë, si ti 100 i gjejë

Xheneta reagon pasi takoi Gjestin në BBVA: Hiç prej shtëpisë mos me dalë, si ti 100 i gjejë

Magazina
Gjyqtari Marciniak thyen heshtjen, tregon se si erdhi deri te anulimi i penalltisë së Julian Alvarez

Gjyqtari Marciniak thyen heshtjen, tregon se si erdhi deri te anulimi i penalltisë së Julian Alvarez

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori