LAJMI I FUNDIT:

A kanë të drejtë gazetarët të jenë humanë?

Isha i vogël kur më vdiq baba. Aq sa është Sokoli tash. Edhe pse janë bërë shume vite që jetoj pa baben, Sokoli në ditën kritike më ktheu në mendje tek vetja historinë time të asaj dite gushti. Ishte e tmerrshme. Tek shikoja Sokolin 10 vjeçar që përqafohej nga të gjithë m’u kujtuan ato përqafimet që më bëheshin atëbotë. Me dukej sikur krejt bota kujdesej për mua. Humba babën por dhimbja bëhej më e lehtë kur të gjithë më mbanin në prehër e më përkëdhelnin dhe me kujtonin herë pas here se unë, nuk duhet të mërzitem.

E gjithë kjo “dashuri” zgjati aq sa zgjati edhe e pamja. Të nesërmen nuk shihja njerëz përreth. Më mungonin përqafimet e tyre, ndërsa nana ime ndali lotët. Ajo s’kishte kohë ta qante burrin, sepse i duhej të mendonte për ekzistencën time, të vëllezërve dhe motrave të mija. Përqafimet bashkë me ata njerëz që m’i dhuronin, më s’u duken. Vdekjen e vërtetë të babës e kuptova atëherë kur u nisa në shkollë – 7 ditë pas varrimit. Askush nuk ishte kujdesur për t’m’i blerë librat, ndërsa unë dalloja nga shokët edhe me rrobat e vjetra që s’m’i kishte përtërirë askush.

Në fakt ky dallim me shoqëroi vite të tëra, derisa unë të mos përfundoj shkollimin dhe të punësohem në profesionin tim prej gazetari. Tash jam mirë. Nuk dalloj nga të tjetër; por mbase kam një dozë më të madhe të shpirtit human. Me kohë e kam kuptuar se ato përqafime ishin të kota dhe sfidat për jetë nuk tejkalohen me përkëdhelje të rreme.
A i duhen Sokloit këto përqafime që mashtrojnë, apo një ndihmë për të që nuk do t’ia kujtoj vdekjen e babit, që në ditën e parë kur ai pas pushimit shkon në shkollë.


Unë them që atë duhet ndihmuar. Dhe nëse kjo iniciative mungon nga shteti, shoqatat apo sindikata e policisë, pse të mos merren edhe të tjerët. Çka i ndalon gazetarët ta bëjnë një gjë të tillë, aq më tepër kur ata e kanë parë nga afër vdekjen e Enverit dhe padyshim që i ka prekur kur momentet e fundit të jetës së Enverit, i kanë ndarë bashkë.

Habitem se si dikush e gjykon të padrejtë një iniciativë humane të gazetarëve, të cilët pikërisht ata që i prijnë kësaj kampanje kanë qenë bashkë me Enverin pak para momentit kur ai është vrarë, duke qenë në krye të një detyre tjetër humane; atë të raportimit.
Apo është dominimi i logjikës së gabuar se gazetarët nuk kanë shpirt human.

Nëse fillojmë të gjykojmë një kampanje humanitare të gazetarëve, se gjoja ata paskan dal jashtë profilit që e kanë, atëherë duhet të gjykojmë edhe lotët e tyre që i kam parë duke derdhur për vdekjen e Enverit, apo edhe “statuset” dhe postimet në Facebbok, në përkrahje të familjes së heroit të Kosovës.

Nëse dikush përmes profesorit të tij në pension merr informacione për ngjarjet në veri, apo edhe për fatin e Enverit, është dashur të ulet pranë televizorit dhe të shikoj. Aty ka qenë mundësia për të parë ata gazetarë që i ka pa në ballë të kampanjës për Enverin, duke raportuar nga veri, pa ma të voglin anim, madje duke rrezikuar edhe jetën; apo edhe duke qëndruar të ngujuar për orë të tëra në pikat kufitare 1 dhe 31’ siç ndodhi me dy gazetarët tanë nga Televizioni Publik. Fatin më të keq e pati edhe gazetari i Klan Kosovës, që u rrah në ato pikat e informimit që dikush i kërkon në veri.

Fatkeqësisht pata rastin ta jap unë lajmin për vdekjen e tij, 10 minuta pasi Enveri ndërroi jetë.
Nuk dua të mendoj në përsëritjen e ngjarjeve të tilla, por nëse ato ndodhin, gazetarët duhet të jenë në krye të detyrës së tyre humane; raportimit neutral, siç edhe e dëshmuan në ngjarjet në veri, por pa hequr dorë edhe nga ndjenja njerëzore që ata kanë.

P. S
Ndihmojeni familjen e Heroit

Sokol Zymeri
Xhirollogaria
ProCredit Bank: 1164006854300137
TEB: 2016000041102764