LAJMI I FUNDIT:

A është fati bashkëshoqërues i të guximshmëve…?

U bënë mbi 12 vite, e diçka më shumë, që shqiptarët mbushnin topthat me frymë për të shpërthyer në një vrimë- dy pikat doganore 1 dhe 31. Të dirigjuar më herët nga zyrtarë të të gjitha vendeve të botës, të tëra racave, të ardhur nga të gjitha kontinentet, të ardhur “enkas” për t’i ndihmuar Kosovës dhe shqiptarëve; ua mësuan zanatin e hajnisë e të humbjes së dinjitetit, zanatin e prostitucionit e të dragomanisë… E politikanët të dalë e të pa dalë nga lufta u treguan shumë inventivë në ngritjet personale, u bënë “hisenikë” -bashkëpjesëmarrës të buxhetit të Kosovës, gjë pa bë s’lanë…

Dhe komandantët mburreshin se kanë bërë luftën, kanë çliruar vendin, dhe filluan të mburren para të huajve, duke bërë be e rrëfe se janë demokratë “të sertë”, u thoshin se kanë vuajtur shumë, duke pretenduar se kështu rrisin vlerat e tyre dhe të popullit në sytë e botës, ua tregonin edhe vrimat e shpuara të rripit. Përnjëherë shpërtheu “duhmi” demokratik, dhe vrimat e rripit filluan të shtohen, u rritë edhe kapitali, edhe kompanitë lulëzonin, çdo gjë bëhej për popullin dhe në emër të popullit.


Dhe pastaj ndodhi 2004, u fshehën politikucët, u vranë të rinjtë, në ta u zbrazën edhe plumbat e KFOR-it, u vranë me dhjetëra shqiptarë, u mbyll kaptina…, thuajse nuk ndodhi gjë, humbën jetët, u regjistruan vetëm humbjet materiale dhe askush nuk doli nga subjektet politike, as qeveria për të komunikuar me popullin… E ç’bënë ata, pse nuk biseduan me KFOR-in, pse nuk ndalej turri “popullor”, a kishte qeveri apo s’kishte, kishte parti politike apo s’kishte, asgjë nuk dihej, as që kuptuam kush i organizoi dhe cili ishte qëllimi? Mirë kishte SHIK atëherë apo nuk kishte? Pse nuk u dha asnjë informatë zyrtare për atë që ndodhi, dhe mu atëherë përfundimisht ndahej Mitrovica. U dogjën shtëpitë e shqiptarëve, u vranë shqiptarët, u vra polici shqiptar nën komandën e kolonel Sheremet Ahmetit, pse ai të mos dekorohet për punën e kryer profesionale në vendngjarje, u krijuan “rojet e urës”, u nda ura mbi Mitrovicën e ndarë me tel gjemborë, dhe askush nuk u përgjigj për humbjet në njerëz dhe për ndarjen e Kosovës.

Ju të nderuar liderë e politikanë, edhe shkencëtarë të mëvonshëm, e filluat decentralizimin pa e bashkuar Mitrovicën, e si mund të ndodhë procesi i decentralizimit pa sovranitet të plotë shtetëror. Demonstruan anëtarët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, hapën hartat e decentralizimit për t’ua hapë sytë pushtetarëve, për t’u treguar se kështu po prehej harta e Kosovës dhe po qepej një e re, ndërsa në media sulmohej “Vetëvendosja”, liderit të saj i viheshin ofiqe të ndryshme për të spekuluar me realitetin e hidhur. I tëri ky orkestrim xhuxhësh u dëgjua edhe nga ulëset e parlamentit, parlamentit i adresohej kryenegociatorja e cila nuk jepte asnjë shpjegim për bisedimet, ajo ligjëronte për patriotizmin dhe pseudo-patriotizmin, ndërsa kolegu i saj bashkëbisedues, hyn legalisht e ilegalisht në Kosovë, bashkërenditet me qytetarët serbë, dhe i udhëzon ata se çka duhet bërë, ai nga një situatë e pandalshme, riktheu gjendjen me një marrëveshje të hartuar me komandantin e KFOR-t, gjeneralin Erhard Buehler. Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Buehler, vlerësoi se mungesa e shtetit juridik dhe strukturat e forta kriminale janë shkaku kryesor i krizës aktuale në veri të Kosovës. Buehler, për gazetën gjermane “Tagesshpigel”, tha se në veri të Kosovës kohë më parë është dashur të vendoset shteti i së drejtës.

“Ky është njëri nga shkaqet e problemit. Shumë gjatë është lejuar që këtu të formohen strukturat radikale. Në rend të parë janë strukturat e forta kriminale, të cilat fjala bie, janë ndërtuar si multietnike – ato janë kosovare –shqiptare dhe kosovaro-serbe”, tha Buehler. “Pikërisht atyre strukturave, radikale dhe kriminale, iu intereson ta ruajnë fuqinë. Fjala është për paratë”, tha Buehler. Sipas fjalëve të tij, ato struktura qeverisen edhe me forca të armatosura dhe i financojnë ato, ato udhëheqin në barrikada dhe paguajnë njerëz që qëndrojnë atje. Të njëjtin definicion gati të përafërt e kishte dhënë më herët edhe presidenti serb Tadic.

Kosova pra cilësohej si një nga vendet ku lulëzonte krimi i organizuar, trafikimi me qenie njerëzore…, që shpërtheu në mënyrën më brutale dhe më primitive në lumin “Tisa”, ndërsa në Kosovë lavdëroheshin proceset demokratike nga vendorët e të huajt. Ky është një pohim që vinte nga vetë ne shqiptarët dhe nga përfaqësuesit zyrtarë, qe mbase dolën më “ballëlartë” me procesin e tjetërsimit të pronës, përmes metodologjisë “spin-off”, por edhe përmes procesit të mëvonshëm të privatizimit, që quhej fazë tranzicioni, dhe nga i cili proces dolën shumë të palara, atëherë filluan të bëjnë edhe krahasimin me vendet tjera që dalloheshin për shkallën e lartë të korrupsionit. Edhe pse “miqtë” nuk i kanë hyrë thellë këtij kategorizimi, por duket se edhe jashtë kufijve të Kosovës zotëron i njëjti mendim konformist për ne. E ç’ndodhi pastaj, filloi të lëkundet godina qeveritare përbrenda, filloi me kërkesën që të votohet rezoluta për mendimin kushtetues rreth imunitetit, për t’u hapur mundësia që Gjykata Kushtetuese të jepte mendimin, u paralajmëruan edhe arrestime të reja nga EULEX-i, dhe përfundimisht Thaçi u kushtëzua që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Pakënaqësia në popull vetëm rritej, edhe besimi i qytetarëve në policinë e Kosovës, si garant i rendit dhe qetësisë filloi të zbehej me grushtimin dhe rrahjen e qytetarëve të cilët kishin dalë të protestonin kundër ardhjes së shefit të grupit negociator serb Stefanovicit, edhe Cooper i paralajmëroi shqiptarët se nuk i kishin punët mirë në bisedime, pas arritjes së marrëveshjes, e cila u bishtërua si “konkluzë”, ai u dha palëve kohë për pushim. Pastaj dolën në shesh publikisht gabimet katastrofale të palës kosovare. Po në atë kohë filluan edhe protestat paralajmëruese për ndërtimin e xhamisë së re, edhe ato të veteranëve të luftës për ligjin që duhej të procedohej në parlament. U hap edhe çështja e keqpërdorimeve në PTK dhe dirigjimi i kryeministrit për t’u nënshkruar kontrata me Dardafon. E ç’duhej të bënte Thaçi atëherë, bëri potezin më të rëndësishëm në karrierën e tij politike dhe ushtarake, pasi që shkarkoi drejtorinë e PK-së, mori frenat në dorë dhe dërgoi njësitin special në pikat 1 dhe 31, duke rrezikuar jetët e policëve dhe karrierën e tij politike. Fati ishte në anën e tij, fati është bashkëshoqërues i të guximshmëve.