LAJMI I FUNDIT:

Zjarret rrezikojnë 10 mijë shtëpi në Kaliforni

Zjarret rrezikojnë 10 mijë shtëpi në Kaliforni

Zjarrfikësit në Kaliforni përfituan për pak kohë nga zbutja e erës dje dhe shënuan përparim në përpjekjet për të shuar zjarret e pyjeve. Megjithatë, zjarrfikësit po përgatiten për temperatura të larta dhe stuhi që do të godasin bregdetin e Paqësorit nga fundi i javës.

200 trupa shtesë nga Garda Kombëtare u mobilizuan për të luftuar dje zjarret. Qindra vatra zjarri vazhdojnë nga pjesa veriore e Kalifornisë deri në qytetin Santa Barbara.

Agjencitë e menaxhimit të emergjencave thonë se mbi 200 mijë hektarë janë përfshirë nga flakët dhe zjarret kërcënojnë mbi 10 mijë shtëpi në bregdetin e Oqeanit Paqësor. Një nga zjarret më shkatërrimtare kërcënon pikën turistike Big Sur në bregdetin e Kalifornisë, ku shpatet e pjerrëta të maleve zbresin në brigjet e Oqeanit. /VoA/