LAJMI I FUNDIT:

Mbulim tërësor i kujdesit shëndetësor brenda dy vitesh

Mbulim tërësor i kujdesit shëndetësor brenda dy vitesh

Brenda dy vitesh qeveria do të garantojë mbulimin tërësor dhe real të popullatës me kujdes shëndetësor, deklaroi të hënën ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili gjatë mbledhjes së Komisionit për Shëndetësinë.

Vasili paraqiti dhe mbrojti në Komision projektligjin “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor”, që sipas tij finalizon një përpjekje shumëvjeçare për reformimin e sektorit të shëndetësisë. “Ka qenë një sfidë dhe sforcim i madh për të arritur parametra që respektojnë kërkesat e popullatës për kujdes shëndetësor dhe kërkesat që imponohen nga konteksti social,” tha Vasili.

Duke iu referuar reformës për kujdesin shëndetësor të presidentit Obama në Shtetet e Bashkuara, Vasili tha se nuk do të ishte e tepruar të hiqej një paralele me reformën për kujdesin shëndetësor që qeveria ka ndërmarrë në Shqipëri. “Ashtu si në Shtetet e Bashkuara, edhe ne këtu presim efekte pozitive,” tha Vasili.

Nëpërmjet projektligjit për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, qeveria ndër të tjera përpiqet të bëjë një ndarje të qartë të funksionit menaxherial me funksionin e politikëbërjes në sektorin e shëndetësisë.


“Kemi synuar një sistem të zhdërvjellët dhe elastik. Nga njëra anë synojmë mbulim tërësor të popullsisë me kujdes shëndetësor, nga ana tjetër jemi treguar të kujdesshëm që të mos rritet taksimi, pra punëmarrësit të mos ngarkohen me taksa,” sqaroi Vasili. /Telegrafi/