LAJMI I FUNDIT:

Zenel Rami hedh poshtë komplotin për vrasjen e kryetarit të opozitës

Zenel Rami hedh poshtë komplotin për vrasjen e kryetarit të opozitës

Zenel Rami, babai i Luan Ramit të arrestuarit kryesor si organizator i një komploti për vrasjen e kreut të opozitës Edi Rama ka thënë se revoltimi i djalit të tij ishte veprim i nxituar në këto kohë të vështira, por sipas tij, dyshimet për përfshirjen e tij në një komplot janë qesharake.

Rami tha në një intervistë botuar të hënën në të përditshmen Mapo se i biri është revoltuar pasi më 21 janar i kanë thyer xhamat e makinës disa nga protestuesit dhe se nuk ishte në dijeni të faktit se i biri i ka dërguar një ‘sms’ kreut socialist Edi Rama.

“Më kanë thënë se ka dërguar një mesazh në telefon. Në qoftë se ka bërë vërtet, shumë gabim ka bërë dhe është shenjë papjekurie dhe nxitimi. Sepse në këtë situatë të tensionuar shkojnë koka njerëzish e nuk diskutohet fare pse u thyen dy xhama makine”, ka thënë Rami.

Babai 73 vjeçar i njërit nga tre personat që kishin kërcënuar kryetarin e opozitës, ka thënë se djali i tij mund të ketë qenë nën efektin e alkoolit në momentin që ka dërguar sms, duke sjellë për pasojë këtë situatë, sipas tij të keqkuptuar.


“A është serioze dhe a ka logjikë që një njeri që na paska plane për një vrasje politike shumë të rëndë, t’i çojë ‘sms’ kreut të opozitës, që ishte në këtë rast edhe objektivi? Kjo është një histori qesharake dhe e them me përgjegjësi”, tha ai. /Telegrafi/