LAJMI I FUNDIT:

Prifti: Po rikthehet ’97-ta në Shqipëri, Meta do të më helmojë

Prifti: Po rikthehet ’97-ta në Shqipëri, Meta do të më helmojë

Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti vlerëson se Shqipëria po kthehet frikshëm në periudhën e viteve ’96-’97, kur sipas tij “Berisha kontrollonte me grusht të hekurt çdo pushtet në vend”.

“Në Shqipëri janë kufizuar liritë themelore të njeriut… Në Shqipëri nuk ka liri ekonomike për biznesin e palidhur me pushtetin. Pra, Shqipëria ka bërë hapa prapa në të gjitha aspektet e të drejtave themelore të njeriut. Është bërë vendi ku ke frikë të jetosh dhe të investosh”, tha Prifti për Gazetën Shqiptare.

Duke komentuar ngjarjet e 21 janarit, ish-ministri i Ekonomisë tha se protestuesit nuk ushtruan dhunë, por shprehën revoltë në mënyrë paqësore. “Dhuna u ushtrua nga policia dhe nga Garda e Republikës. Këta të fundit provokuan demonstratën me gaz lotsjellës dhe ujë me kimikate asfiksuese, në një kohë kur njerëzit ishin akoma në bulevard dhe nuk kishin mbërritur akoma përpara kryeministrisë”, tha Prifti.

Më tej, njeriu që ndezi politikën shqiptare, tha se ndihej i kërcënuar nga kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. “Jam i kërcënuar nga Ilir Meta dhe banditët e tij. Kam informacione të besueshme se ai ka aktivizuar disa kriminelë kundër meje. Porosia është dhënë për helmin dhe jo vrasje. Unë kam marrë masat e mia”, tha Prifti, ndërsa hodhi poshtë zërat se ka kërkuar strehim politik në Shtetet e Bashkuara. /Telegrafi/