LAJMI I FUNDIT:

Daul gati për një “Krokodil 2” midis Berishës dhe Ramës

Daul gati për një “Krokodil 2” midis Berishës dhe Ramës

Kreu i Grupit të Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, Joseph Daul është gati të bëhet pjesë e një tryeze negociuese ndërmjet kryeministrit Sali Berisha dhe kryesocialistit Edi Rama.

Daul ka thënë në një intervistë të botuar të hënën nga e përditshmja Mapo se nuk duhet të lejohet një përkeqësim i situatës, apo dalja e saj jashtë kontrollit.

“Jam i gatshëm të marr pjesë nëse do të shikohet e nevojshme, në një tryezë bisedimesh ‘Krokodil 2’. Por, përpara kësaj, më duhet të shoh shenja reale të një bashkëpunimi midis forcave politike në vend”, ka thënë Daul.

Deputeti evropian përsëriti kërkesën e tij për të gjitha forcat politike demokratike në Shqipëri, që të ndalin luftën politike në rrugë dhe të kthehen në Parlament. “Nisur nga ngjarjet vdekjeprurëse të ditëve të fundit, unë i kërkoj zotit Edi Rama që të reagojë në mënyrë konstruktive dhe me përgjegjshmëri,” tha Daul, ndërsa u bëri thirrje edhe deputetëve demokratë që të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive për të ardhmen e vendit.


Ndërkohë, e përditshmja Mapo raporton se Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë të hënën pasdite për ngjarjet në Shqipëri dhe situatën politike në vend. Përmes Këshillit të Ministrave të Jashtëm, BE pritet të dalë me një deklaratë me konstatime për situatën politike dhe vlerësimet konkrete për zgjidhjen e kësaj krize. /Telegrafi/