LAJMI I FUNDIT:

PS: Deklarata e policisë e turpshme

PS: Deklarata e policisë e turpshme

Partia Socialiste tha të dielën se deklarata e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, lidhur me kërcënimin me jetë ndaj kryetarit të opozitës Edi Rama, ishte e turpshme.

Burgaj tha se kërcënimi kishte ardhur nga një person të cilit demonstruesit i kishin djegur makinën e parkuar pranë kryeministrisë dhe i kërkonte shefit të opozitës me një sms, zhdëmtimin për makinën e tij.

Anëtarja e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Megi Ajtyresa, tha se deklarata e Burgajt ishte e turpshme dhe qartësisht kuptimplotë. Ajtyresa tha se Burgaj tregon se nuk i shërben shtetit, por pushtetit.

"Në një vend ku, me urdhër të kryeministrit, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk ekzekuton urdhër-ndalimet e prokurorisë pas tre vrasjesh me pushkë nga Garda Republikane në mes të bulevardit, s`ka asnjë arsye të mendosh se kjo polici e dhunuar politikisht mund të mbrojë qytetarët nga pushteti”, tha Ajtyresa.


Ajo tha gjithashtu se Rama është njoftuar nga truproja i tij, i cili ishte informuar nga vetë komandanti i gardës për ekzistencën e një plani për asgjësimin e tij fizik. Ajtyresa tha se Rama nuk ka ndërmend "të ndryshojë qëndrim e rrugë në krye të popullit opozitar, për asnjë arsye apo interes vetjak”. /Telegrafi/