LAJMI I FUNDIT:

Berisha thotë se opozita kishte vendosur ultimatum

Berisha thotë se opozita kishte vendosur ultimatum

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, theksoi të shtunën se më 21 janar, kryetari i opozitës i vendosi ultimatum kreut të qeverisë se nëse nuk do të pranonte ultimatumin e tij do të kalonte mbi kufoma. Sipas tij, rreth 200 banditë dhe kriminelë rrethuan institucionin e Këshillit të Ministrave më qëllim përmbysjen me dhunë të qeverisë legjitime.

Deklaratat e kryeministrit Berisha u bënë gjatë një takimi me përfaqësuesin e komunitetit të Sant’Egidios, Imzot Vincenzio Paglion, ku e njohu atë se Prokurorja e Përgjithshme lëshoi pa asnjë hetim urdhër arrestet për të gjithë komandën drejtuese të Gardës së Republikës përfshirë komandantët më të lartë të saj ndërkohë që nuk ka nisur ende hetimet për dhunim të rendit kushtetues duke mashtruar shqiptarët se nuk ka marrë padi për dhunim të rendit kushtetues në një kohë kur Policia e Shtetit e kishte dërguar këtë padi dy ditë më pare.

“Prokurorja e Përgjithshme vazhdoi misionin e saj të paralizës së sistemit të akuzës për hetimin e puçistëve, duke shkelur marrëveshjen e bërë me faktorë shumë të rëndësishëm ndërkombëtarë duke dëshmuar në këtë mënyrë se puçistët shpresojnë akoma në projektin e marrjes së pushtetit me dhunë”, tha Berisha.

Ai akuzoi edhe një herë presidentin Bamir Topi se nuk arriti të shihte për pesë orë dhunë dhe sulm për të përmbysur qeverinë legjitime të vendit. Ai shtoi më tej se situata është krejtësisht nën kontroll, duke shtuar se gjithkush që synon të dhunojë institucionet e vendit do të marrë ndëshkimin maksimal ligjor që meriton. Kryeministri garantoi se askush nuk do të mundë të pengojë bërjen e drejtësisë mbi këtë çështje. /Telegrafi/