LAJMI I FUNDIT:

Tregu i përbashkët i punës Shqipëri-Kosovë

Tregu i përbashkët i punës Shqipëri-Kosovë

Liberalizimi i tregut të punës Shqipëri-Kosovë, jo vetëm që do të shmang burokracitë dhe procedurat e panevojshme në aplikimet për punë, por do të ndikojë edhe në uljen e numrit të papunësisë tek qytetarët e të dy vendeve. Kështu u shpreh ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së Shqipërisë, Erion Veliaj, gjatë një interviste për KosovaPress, ku foli për akt-marrëveshjet e firmosura mes dy qeverive, mbi zgjerimin e tregut të punësimit.

"Shumica e stafit që vjen nga Kosova ose Lugina e Preshevës, janë njerëz shumë të specializuar ose njerëz që kanë një veprimtari biznesi. Kjo do të thotë që kërkojnë të hapin një sipërmarrje e cila punëson njerëz. Pra, nuk është se po marrin nga tregu i punës në Shqipëri, përkundrazi po kontribuojnë që tregu i punës të zgjerohet. Kështu që për të gjitha këto arsye ne morëm një vendim që ta heqim të gjithë burokracinë e lejeve të punës, për qytetarët e Kosovës dhe qytetarët e Luginës së Preshevës, pra vetëm për ata me kombësi shqiptare, si një mënyrë për të inkurajuar dhe për ta bërë më të thjeshtë hapjen e vendeve të punës në Shqipëri por edhe punësim in e tyre”,ka thënë ai.

Më tej ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj shpjegoi se ky lloj afrimi i tregut të punësimit Kosovë-Shqipëri ndihmon edhe për shkëmbim eksperiencash, sidomos në ato profesione ku Shqipëria ka mangësi, siç janë informaticientët; teknologët kosovarë të cilët janë trajnuar në Zvicër apo Gjermani.

"Nëse shikojmë statistikat e punësimit shumica e atyre që nuk hapin biznese, por që punësohen në Shqipëri nga Kosova apo Lugina e Preshevës janë në zanate ku Shqipëria ka nevojë, dhe nuk ka mjaftueshëm kapacitete, siç është teknologjia e informacionit, njerëz që dinë të shkruajnë softwer, njerëz që janë teknologë dhe që kanë një eksperiencë të madhe dhe në perëndim në Zvicër, apo në Gjermani. Kështu që në këtë sens jo vetëm që nuk është prishur tregu i punës por kemi nevojë për ato lloj punësh të cilat tregu këtu me inflacion avokatësh nuk ka më nevojë, dhe për ato që hapin biznes bëhet gjithashtu më e lehtë dhe gjykoj që përtej patriotizmit turbofolk, kjo është diçka konkrete dhe diçka që impakton jetë njerëzish sidomos të atyre që janë të rinj nga Kosova dhe Lugina e Preshevës”, ka thënë Veliaj.


Këtë javë qeveria ‘Rama’ mori një vendim për liberalizimin e tregut të punës Shqipëri-Kosovë, ndërkohë që në muajin janar të këtij viti është firmosur një marrëveshje për krijimin e një tregu të përbashkët punës midis dy vendeve tona. /kp/Telegrafi/