LAJMI I FUNDIT:

Sivjet nis autostrada me tunel Elbasan-Tiranë

Sivjet nis autostrada me tunel Elbasan-Tiranë

Kryeministri Sali Berisha, ka deklaruar të hënën në qytetin e Elbasanit se “këtë vit do të nisë ndërtimi i rrugës me tunel Elbasan-Tiranë”. Nga qyteti i Elbasanit, i pranishëm në inagurimin e shkollës së re 9-vjeçare “Qamil Guranjaku”, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha bëri të ditur se "projekti për autostradën Tiranë- Elbasan ka përfunduar".

“Informoj se qeveria gjatë këtij viti nis ndërtimin e kësaj rruge”, tha kryeministri duke shtuar se “ky projekt jo vetëm shkurton me tunelin e tij në mënyrë të ndjeshme distancën Elbasan –Tiranë, por shkurton ndjeshëm edhe distancën Korçë -Tiranë, Berat – Tiranë dheTepelenë – Tiranë”
Kryeministri Berisha nënvizoi se “autostrada Tiranë -Elbasan, do të jetë pas rrugës së Arbrit, një nga projektet më madhore të qeverisë gjatë këtyre katër viteve".

Kryeministri Berisha shtoi se “jemi të vendosur që Shqipëria e vitit 2013 të jetë një Shqipëri krejt tjetër ku shqiptarët të lëvizin në të katër anët të vendit në një kohë më të shkurtër për të kapur kryeqytetin e tyre”.