LAJMI I FUNDIT:

SHBA: Politika për ngritjen e bizneseve të reja nga sipërmarrësit

SHBA: Politika për ngritjen e bizneseve të reja nga sipërmarrësit

Shumë vende, me ndërgjegje ose pa dashje, ndjekin politika që e bëjnë të vështirë për sipërmarrësit të ngrenë biznese të reja. Disa sipërmarrës ankohen se duhet të paguajnë rryshfete për të marrë leje për biznesin e tyre. Të tjerë ankohen për burokracitë e shumta. Por gjërat duket se po ndryshojnë.

Për sipërmarrësin nga San Francisko Kreg Njumark, fillimi i biznesit ishte i lehtë. Një dekadë më parë pa leje ose miratim zyrtar, ai thjesht ndërtoi faqen elektronike dhe buletinin e tij.

Sot faqja craigslist.org është një nga destinacionet më popullore të internetit me borde buletini për mbi 500 qytete.

"Kemi një faqe të thjeshtë elektronike, ku njerëzit mund të mbarojnë punët e përditshme, të gjejnë një punë ose një vend ku të jetojnë. Është si një treg dhe funksionon. Pjesë e suksesit tonë ishte fillimi."
Por shumë qeveri nuk janë të gatshme të lehtësojnë këtë fillim. Në Rusi, bizneset paguajnë zakonisht rryshfete për të marrë leje.


Jana Jakovleva, drejtuese e një kompanie kimike kaloi shtatë muaj në burg pasi refuzoi të kërcënohej nga një burokrat. Ajo thotë se rruga e paligjshme vazhdon pasi sistemi juridik i Rusisë është i korruptuar.

"Nuk është funksioni i prokurorit që të hetojë. Funksioni i tij është të demonstrojë efektshmëri. Dhe efektshmëria është ajo që mungon në një numër çështjesh që janë për gjykim dhe në numërin e vendimeve të marra për fajësi."

Partneri i saj Aleksei Protski, ankohet rreth rregullave të panevojshme dhe kërkesave të shumta.

"Për një menaxher, dokumentat e shumta do të thonë humbje kohe dhe ulje e produktivitetit."

Në Venezuelë, një biznesmen që merrt me shpërndarjen e mallrave ushqimore në Karakas, Santiago Alvarez thotë se burokracia atje është e thellë dhe armiqësore ndaj biznesit.

"Ka shumë hapa, rregulla dhe kërkesa që duhet të plotësosh për të marrë lejen e biznesit. Njoh njerëz që e kanë lënë biznesin vetëm për shkak të kësaj burokracie."

Në Islamabad, specialisti i restorantit Ashar Hafez thotë se kufizimet e biznesit janë lehtësuar vitetet e fundit por përsëri ka pengesa.

"Sigurisht në këtë biznes duhet të kalojmë disa pengesa, sigurimet shoqërore, taksat dhe qeverinë lokale."

Banka Botërore publikon një raport ku radhit vendet për nga lehtësia e fillimit të një biznesi. Aty mbulohen dhjetë kategori. Disa janë, marrja e liçencës, regjistrimi i pasurisë, marrja e kredisë, pagimi i taksave dhe zbatimi i kontratave.

Specialistja e Bankës Botërore Dalia Kalifa thotë se ka tendencë për të ndihmuar sektorin privat.Mendoj se qeveritë po e kuptojnë rolin e tyre si regullatorë dhe mundësues të ambjentit të biznesit.

Brenda këtij konteksti ato po bëjnë pikërisht këtë. Ato po reformohen, po ndryshojnë ligjet që kanë qënë të vjetëruar dhe që nuk funksionojnë më në botën e sotme.Egjypti u vlerësua si vendi më i reformuar vitin e kaluar, pasuar nga Kroacia, Gana, Maqedonia dhe Gjeorgjia.

Egjypti pakësoi kapitalin e kërkuar për të filluar një biznes thotë Banka Botërore. Pakësoi tarifat për regjistrimin e pasurisë dhe lehtësoi burokracitë që bllokonin marrjen e lejes së ndërtimit.Por sipërmarrësit thonë se megjithëse është bërë përparim, ka nevojë për më shumë./WOA/