LAJMI I FUNDIT:

Luli fascinoi serbët, kërkojnë 600 milionë euro për Graçanicën e Re

Luli fascinoi serbët, kërkojnë 600 milionë euro për Graçanicën e Re

Ish-shefi i urbanizmit në komunën e Prishtinës, Lulzim Nixha, i cili "shihte ëndrra në ditë me diell", duke projektuar trena futuristik të cilët do të kalonin mbi qytetin e Prishtinës dhe i prezantonte si projekte të zbatueshme duke mos marrë parasysh koston financiare, ka bërë dhe një projekt tjetër megaloman.

Ky projekt i cili quhet “Gracanica e Re”, parasheh zhvillimin e këtij fshati në një qytet modern dhe për t’u realizuar kushton plot 600 milionë euro.

Projekti që kushton plot 600 milionë euro është prezantuar në publik nga zyrtarë të Partisë së Pavarur Liberale Serbe (SLS).

Kryetari i SLS-së, Slobodan Petrovic, deklaroi në një konferencë me gazetarë se ky projekt është shumë i madh dhe do të japin çdo gjë nga ana e tyre që të prezantohet ashtu si duhet në konferencën e donatorëve.


“Së pari falenderoj Qeverinë e Kosovës, Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, kryeministrin dhe të gjithë njerëzit që kanë ndihmuar në këtë projekt dhe që janë të interesuar të ndihmojnë gjithë qytetarët pa dallim për projektin ‘Graçanica e re’ që parashihet të ndërtohet një qytet modern në disa faza, për secilën fazë nga 100 milionë euro”, tha ai.

Graçanica është një fshat i cili sipas planit të Ahtisaarit do të kthehet në komunë. Për shkak të afërsisë me Prishtinën dhe zgjerimin e madh që është duke pasur qyteti brenda pak vitesh mund të përfshihet brenda kryeqytetit. Ky plan prish zgjerimin e Prishtinës së Re që është menduar të ndërtohet në këtë pjesë.

Petrovic tha se plani i Ahtisaari-t parasheh decentralizimin, apo formimin e komunave të reja, e njëra nga to është edhe komuna e Graçanicës ku në këtë drejtim dëshirojnë të japim shans që serbët të pranojnë një gjë të tillë, që edhe institucionet e Kosovës janë duke punuar në këtë drejtim për një jetë të përbashkët për gjithë qytetarët.

Sipas tij, ideja nuk është që Graçanica të jetë një vend vetëm për serbët, por edhe për qytetarët shqiptarë dhe komuniteteve tjera që jetojnë në këtë vend, për të pasur një jetë më të mirë në të ardhmen e tyre dhe një bashkëjetesë të mirë.
“ Ky nuk është projekt individual, por në kuadër të Qeverisë së Kosovës’, tha ai. /Telegrafi/