LAJMI I FUNDIT:

Nuredin Ibishi akuzon Arsim Bajramin për zhdukjen e materialeve të hartimit të Kushtetutës

Nuredin Ibishi akuzon Arsim Bajramin për zhdukjen e materialeve të hartimit të Kushtetutës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nuredin Ibishi, duke e interpretuar aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të 26 gushtit të këtij viti, ka vërejtur se Gjykata Kushtetuese ka pasur mungesë të materialeve të hartimit të Kushtetutës dhe për pasojë Gjykata ka bërë interpretimin e neneve “krye në vete” dhe pa qasje në dokumentet e hartimit të Kushtetutës dhe pa mundësi që të sqarohet me detaje se çka kanë dashur të thonë hartuesit kur e kanë hartuar.

Sipas Ibishit në pikën 101 të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, vetë Gjykata ka konstatuar se ”Gjykata … në rastet e mëhershme kur është bërë fjalë për interpretimin e dispozitave kushtetuese, ka kërkuar shumë herë që t’i dorëzohen Travaux preparatoires (materialet e hartimit të anëtarëve të komisionit për hartimin e Kushtetutës së Kosovës) në mënyrë që të njihet me qëllimin e hartuesve të Kushtetutës. Rezultati gjithmonë ka qenë që Travaux preparatoires nuk janë në dispozicion”.

Duke u nisur nga ky konstatim i Gjykatës Kushtetuese të shprehur në pikën 101 të Aktvendimit të datës 26 gusht, lidhur me anulimin e votimit të Isa Mustafës për kryetar të Kuvendit, deputeti Nuredin Ibishi i ka deklaruar gazetës Bota press se në seancën e radhës do ta pyes Arsim Bajramin si kryetar i Komisionit për hartimin e Kushtetutës së Kosovës se ku janë dokumentet – materialet e hartimit të Kushtetutës (Travaux preparatoires ) dhe përse si kryetar i komisionit për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës nuk ia ka dhënë dhe nuk ia jep as sot e kësaj ditë Gjykatës Kushtetuese këto materiale për t’i pasur në dispozicion me rastin e shqyrtimit të ankesave të ndryshme në Gjykatën Kushtetuese.


Sipas deputetit Ibishi vetë konstatimi se “…Gjykata nuk mund të arrijë në përfundime lidhur me qëllimet e hartuesve të Kushtetutës dhe nuk mund të spekulojë se çfarë kanë dashur të thonë ata (pika 102 e Aktvendimit të 26 gushtit 2014) përbën një hendikep të madh për Gjykatën Kushtetuese dhe për pasojë fajtori kryesor për mungesë të materialeve për hartimin e Kushtetutes bie mbi Arsim Bajramit si kryetar i komisionit për hartimin e Kushtetutës.

Deputeti Nuredin Ibishi shpreh dyshimin e ti se “zhdukjen” e këtyre dokumenteve për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës e ka bërë Arsim Bajrami me qëllim të caktuar që Gjykatën ta vë në lajthitje gjatë marrjes së vendimeve të saj. /Telegrafi/