LAJMI I FUNDIT:

City rrëmben pozitën e katërt

City rrëmben pozitën e katërt

Manchester City është ‘ulur’ në pozitën e katërt të Ligës Premier falë fitores së lartë prej 6-1 në fushë të Burnleyt.

‘Qytetarët’ shënuan pesë gola në pjesën e parë, tre prej të cilëve në shtatë minutat e para të takimit. Emmanuel Adebayor hapi rezultatin në minutën e katërt të ndeshjes, ndërsa një minutë më pas Craig Bellamy e dyfishoi atë. Pas edhe dy minutash tjera, Carlos Tevez shënoi golin e tretë të takimit (7’).

Pjesa e parë solli edhe dy gola, së pari Patrick Vieira çoi Cityn në avantazh të katërfishtë në minutën e 20-të dhe në fund të pjesës së parë Adebayor shënoi golin e tij të dytë dhe të pestin për ekipin mysafir.

Pjesa e dytë filloi duke premtuar gola, me Vincent Kompany që shënoi golin e gjashtë të Cityt në minutën e 58-të. Megjithatë pjesa tjetër e ndeshje solli vetëm edhe një gol, që ishte edhe i nderit për vendasit, i shënuar nga Steven Fletcher (71’).


Tre pikët e reja e ngrenë Cityn në pozitën e katërt të tabelës me 59 pikë, një më shumë se Tottenhami që më herët u mposht nga Sunderlandi me rezultat 3-1. /Telegrafi/