LAJMI I FUNDIT:

Asselborn: Të koordinohet deklarata e pavarësisë së Kosovës

Asselborn: Të koordinohet deklarata e pavarësisë së Kosovës

Bashkimi Evropian do të punojë fuqishëm me qëllim që të arrihet një marrëveshje e cila do të çonte deri të koordinimi dhe jo te një deklaratë e njëanshme për pavarësinë e Kosovës. Kështu ka thënë sot, ministri i jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, në Bruksel, në prag ta takimit të ministrave të jashtëm të BE-së.

Asselborn ka thënë se pret që ky proces, i cili do të çonte kah një marrëveshje e tillë, do të përmbyllej deri në shkurt, pas zgjedhjeve presidenciale në Serbi.

“Deri atëherë, në fillim të shkurtit, do të mbesim në proces me kosovarët, me bashkësinë ndërkombëtare dhe me serbët, sepse do na duhej që serbëve t’u ofrojmë diçka shumë konkrete”, ka thënë shefi i diplomacisë luksemburgiane.

“Nuk dëshirojmë deklaratë të njëanshme për pavarësinë, kjo do të ishte katastrofë…reaksione do të kishte në njërën apo anën tjetër”, ka thënë, Asselborn, i cili ka përmendur 3 shkurtin si datë kur mund të mbahen zgjedhjet presidenciale në Serbi.


“Është e nevojshme deklarata e koordinuar (e pavarësisë së Kosovës) e cila do t’i eliminonte të gjitha aspektet negative”, ka thënë Asselborn.

“E dimë se nuk mund të gjendet zgjidhje për faktin se nuk ka vullnet politik…plani i Ahtisaarit mbetet bazë, këtë në fakt – tërë kohën – e ka përsëritur Wolfgang Ischinger”, ka thënë Asselborn, duke shtuar se puna e Treshes, e cila është mbështetur në përfundimet e Ahtisaarit, nuk ka qenë e shkëlqyeshme.