LAJMI I FUNDIT:

Wisner-Ischinger-Kharchenko takohen në Vjenë

Wisner-Ischinger-Kharchenko takohen në Vjenë

Treshja ndërmjetësuese e Grupit të Kontaktit për statusin e Kosovës, Wisner-Ischinger-Kharchenko, do të takohet të hënën në Vjenë, për t’i shqyrtuar hapat e mëtejmë në procesin e definimit të statusit të Kosovës, që vazhdon me rundin e katërt të bisedimeve, më 5 nëntor në kryeqytetin austriak.

Mu sikur edhe gjatë takimeve të mëhershme në Vjenë – vendi dhe koha e takimit mbahen sekret – pasi që takimi do të jetë i mbyllur për media.

Tre diplomatët nga SHBA-ja, BE-ja dhe Rusia, pritet që gjatë takimit të ardhshëm me delegacionin e Prishtinës dhe atë të Beogradit, t’ua dorëzojë atyre dokumentin e ri, i cili do të jetë dokumenti i ndryshuar 14-pikësh, sipas vërejtjeve që ka marrë Treshja nga të dyja palët.

Ndërmjetësi ndërkombëtar për statusin, gjermani Wolfgang Ischinger, në një intervistë për televizionin kosovar KTV, ka konfirmuar pohimet e fundit për mundësinë e zgjerimit edhe më tej të dokumentit 14-pikësh, të prezantuar në takimin e fundit në Vjenë.


Ndërkaq sipas agjencisë serbe Tanjug, Ischinger planifikon që statusin e ardhshëm të Kosovës ta zgjidhë sipas marrëveshjes në mes të dy Gjermanive, që ishte arritur në vitin 1972.