LAJMI I FUNDIT:

Ahmeti merr pjesë në konferencën ministrore të Evropës Juglindore

Ahmeti merr pjesë në konferencën ministrore të Evropës Juglindore

Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Qemajl Ahmeti, bashkë me stafin e tij, sot ka udhëtuar në Sarajevë, ku do të marrë pjesë në Konferencën ministrore të Evropës Juglindore për zhvillimin e shoqërisë së informacionit dhe Konferencën e tretë të shoqërisë së informacionit e-qeverisja dhe reforma e administratës publike, që do të mbahet në Sarajevë, prej 29-30 tetor 2007.

Këtë konferencë ndërkombëtare e kanë organizuar Ministria e Telekomunikacionit dhe Transportit e Bosnjë e Hercegovinës, Programi i zhvillimit i Kombeve të Bashkuara dhe Pakti i Stabilitetit për Evropën Juglindore.

Ahmeti do t’u drejtohet pjesëmarrësve të kësaj konference, ku do të prezantojë vizionin për zhvillimin e shoqërisë së informacionit në Kosovë.

Në konferencë pritet të miratohet dhe të nënshkruhet "Agjenda Plus" e Brezit të gjerë elektronik për Evropën Juglindore, e cila përvijon dhe përcakton kahet e zhvillimit të teknologjisë së informacionit në Evropën Juglindore dhe zbatimin e rregulloreve të Bashkimit Evropian në komunikimet elektronike brezgjerë, si dhe Deklaratën ministrore, me të cilën vendet e rajonit zotohen për zhvillim të koordinuar të teknologjisë së informacionit, njofton Shefki Ukaj, zëdhënës i Ministrit të MTPT-së.