LAJMI I FUNDIT:

Hamiti: Kosovës mund t’i imponohet vetëm pavarësia

Hamiti: Kosovës mund t’i imponohet vetëm pavarësia

Dokumenti 14 pikësh i prezantuar këto ditë nga Treshja ndërmjetësuese e Grupit të Kontaktit, nuk mund të imponohet si dokument bazë për statusin e ardhshëm të Kosovës dhe nuk mund ta zëvendësojë planin e Presidentit Ahtisaari, ndërsa Kosovës mund t’i imponohet vetëm pavarësia dhe zgjidhje tjetër nuk ka, është shprehur Muhamet Hamiti, këshilltar i presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një intervistë për portalin Telegrafi.com.

“Nuk shoh mënyrë se si ky (dokument) mund të bëhet bazë për një dokument për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Në të vërtetë, ky do të ishte një mjegullim. Ne kemi nevojë për sqarim, dhe sqarimi, gjegjësisht zgjidhja për Kosovën, nuk bëhet duke u përpjekur që të gjendet një emërues i përbashkët në mes të qëndrimeve të Kosovës dhe Serbisë, sepse nuk ka zgjidhje kompromisi. Ka zgjidhje për Kosovën dhe ajo është pavarësia”, ka thënë Hamiti.

Zgjidhje të mesme nuk ka

Ky dokument sipas Hamitit, nuk ka strukturë të brendshme për të qenë diçka që funksionon. “Kjo mund të jetë një deklaratë, vlerësim i Treshes për procesin e ‘angazhimeve shtesë’ për statusin, por nuk mund të shërbejë si bazë për kurrfarë zgjidhjeje. Treshja ka thënë vetë se nuk do të përpiqet që palëve t’ua imponojë zgjidhjen. Unë besoj se Treshja duhet t’i qëndrojë besnike këtij zotimi”, ka thënë ai.


Hamiti ka shpjeguar se pala kosovare nuk ka marrë pjesë në bisedime për t’u arritur një kompromis në mes të qëndrimit të Kosovës për pavarësi dhe qëndrimit të Serbisë për rikthimin e kontrollit mbi Kosovën. “Zgjidhje të mesme, në mes të qëndrimit tonë për ta sunduar veten, dhe qëndrimit të Serbisë për të pasur njëfarë kontrolli mbi fatin tonë, nuk ka. Kështu që edhe pikat që mund t’i duken dikujt si një lloj emëruesi i përbashkët midis këtyre dy qëndrimeve, nuk mund t’i shërbejnë zgjidhjes për Kosovën”, ka vlerësuar ai.

I pyetur nëse ka gjasa që faktori ndërkombëtar t’ia imponojë Kosovës ndonjë zgjidhje të pafavorshme – Hamiti ka dhënë përgjigje të prerë: “Kosovës ka gjasa t’i imponohet vetëm pavarësia – sepse zgjidhje tjetër nuk ka”. Zgjidhjet e tjera, të ashtuquajtura të mesme, zgjidhjet hibride, sipas Hamitit, Kosova i ka përjetuar edhe në kohën e ish-Jugosllavisë dhe në kohën e pasluftës, me administrim ndërkombëtar.

“Ne tani duam qartësi. Një vend është i pavarur, ose nuk është i pavarur. Nuk mund të qëndrojë pezull në mes njërës dhe tjetrës, të paktën jo në në një afat më të gjatë. Me mungesë të pavarësisë kemi jetuar, dhe, ambiguiteti i statusit të Kosovës në Kushtetutën e ish-Federatës jugosllave, de facto, ka çuar në fund, në konflikt dhe luftë në vitet 90-të të shekullit të kaluar”, është shprehur ai. “Dhe këtë luftë Serbia e ka humbur”, ka konkluduar ai.

“Vetëm zgjidhjet e pastra krijojnë stabilitet dhe paqe afatgjate – zgjidhja e pastër është që Kosova dhe Serbia përfundimisht të jenë të pavarura nga njëra tjetra dhe të jenë bashkë në një organizëm çfarë është Bashkimi Evropian ose eventualisht NATO-ja”, është shprehur Hamiti, i cili ka qenë bashkëpunëtor i afërt dhe këshilltar i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.

Sidoqoftë, ai ka potencuar se pala kosovare dëshiron që këto biseda të stërzgjatura të marrin fund para ose më 10 dhjetor, dhe pastaj Kosova të bëhet shtet i pavarur mbi bazën e planit të Ahtisaarit, pasi që ky është plani që ka marrë edhe mbështetje të gjerë ndërkombëtare.

Çdo gjë është e qartë rreth Kosovës

As shkrimet e fundit mediale për mundësinë e organizimit të një konference ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, nuk e trandin Hamitin. “Mua më duket se çdo gjë është e qartë rreth Kosovës. E kanë të qartë miqtë dhe aleatët tanë ndërkombëtarë, që kanë qenë me ne dhe përkrah nesh në këto vite dhe tashmë edhe dekada. Unë besoj se e kanë të qartë edhe ata të cilët nuk e kanë mbështetur pavarësinë për Kosovën”, ka thënë Hamiti.

I pyetur nëse Kosova do ta shpallë pavarësinë në vitin 2007, Hamiti është përgjigjur:
“Jam i sigurt që Kosova, për t’u bërë e pavarur, duhet ta rishpallë pavarësinë. A do të ndodhë kjo në vitin 2007 apo në fillim të vitit 2008 nuk mund ta them, po është e sigurt se nuk të njeh askush pa e deklaruar veten të pavarur”.

Sidoqoftë, Hamiti pret njohjen e Kosovës nga shtetet e botës, edhe pse, sipas tij, nuk mund të pritet një njohje e rrufeshme en bloc. “Njohja e Kosovës së pavarur nuk do të vonojë shumë, por mund të mos jetë një veprim i rrufeshëm. Megjithatë, jam i sigurt se një numër i madh i vendeve të rëndësishme në sistemin ndërkombëtar do ta njohin Kosovën në valën e parë”, ka thënë Hamiti, duke shtuar se në kohën e fundit, numri i shteteve që përkrahin pavarësinë e Kosovës është në rritje.

Ai nuk pret shumë as nga takimi i radhës në mes të delegacioneve nga Prishtina e Beogradi, pasi që Kosova kërkon status që respekton vullnetin e popullit, ndërsa Serbia ofron statusin e kaluar. “Në jemi në kërkim të statusit të ardhshëm të Kosovës ndërsa serbët po e ofrojnë statusin e kaluar. Zgjidhje të mesme në mes të këtyre dy pozicioneve diametralisht të kundërta nuk shoh”, ka potencuar Hamiti, për të shtuar se “plani i Ahtisaarit është minimumi i minimumeve që mund të pranohet, sepse çfarëdo zgjidhjeje tjetër, një plan Ahtisari i zbutur, do të ishte jofunksionale”.

Zgjedhjet: LDK-ja sërish do t’i fitojë zgjedhjet

Ndërkaq, lidhur me zgjedhjet në Kosovë, Hamiti, i cili është edhe profesor i letërsisë angleze në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se, kohësisht kanë koinciduar me fundin e procesit të bisedimeve për Kosovën, përkundër përpjekjeve që këto dy procese të mos interferojnë. Megjithatë ai ka vlerësuar se është koha për rinovim demokratik të pushtetit në Kosovë.

Hamiti, i cili mban numrin 94 në listën e LDK-së për deputet të Parlamentit të Kosovës, vlerësoi se, zgjedhjet megjithatë do të mbahen më 17 nëntor – ndërsa ka shprehur bindjen e tij se, edhe në këto zgjedhje, do të fitojë Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Unë pres fitore bindëse të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pres rikonfirmimin e vullnetit të shumicës së popullit të Kosovës për t’ia dhënë LDK-së fjalën kryesore, peshën vendimtare, për ta qeverisur Kosovës si shtet i pavarur”, ka thënë Hamiti, duke shpjeguar se bindja e tij vjen nga trashëgimia e LDK-së, nën udhëheqjen e Presidentit Rugova, si ”formacion shtetformues, një veprim historik për cilindo organizim”, dhe shtrirja e plotë e LDK-së në gjithë Kosovën.

“Në Kosovë ka parti të tjera, të cilat thënë më se buti, janë parti me shtrirje rajonale. Ne tash që po dalim komb në vete, në kuptimin politik të fjalës, kemi nevojë për parti me shtrirje nacionale në Kosovë, sepse fundja territori i vendit tonë edhe ashtu është i vogël. Nuk ka Kosova territor aq të madh sa të ketë edhe parti rajonale”, ka thënë Hamiti.

Sidoqoftë 20 vendet e rezervuara sipas Kornizës Kushtetuese, krijojnë situatën kur një parti ose koalicion duhet të marrë 60% të votave të elektoratit për të qenë në pozitë t’i ketë 50% të vendeve në Parlament. Edhe pse pret fitoren e sigurt të LDK-së, Hamiti vlerësoi se – mu për shkak të këtij sistemi – nuk ka parti në Kosovë, dhe nuk do të ketë për një kohë të gjatë, që do ta marrë shumicën prej 61% të elektoratit, respektivisht 51% të vendeve në Parlament simbas sistemit tonë.

Sidoqoftë, ai ka shprehur bindjen se, LDK-ja, siç i ka fituar gjashtë palë zgjedhje në historinë e pluralizmit tonë, do t’i fitojë edhe këto. “LDK-ja i ka fituar të gjitha zgjedhjet në Kosovë që kur është vendosur sistemi multipartiak, më 1992; dy palë para lufte, katër pas lufte. LDK-ja do të rikonfirmojë edhe një herë që është partia më e fuqishme në Kosovë”, përfundoi Hamiti.