LAJMI I FUNDIT:

Ischinger: Zgjidhja me kompromis e mundur, por kërkohen lëshime

Ischinger: Zgjidhja me kompromis e mundur, por kërkohen lëshime

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në treshen ndërmjetësuese për Kosovën, Wolfgang Ischinger, beson se, është e mundur të gjendet zgjidhje kompromisi para 10 dhjetorit, por për ta arritur këtë, është e nevojshme që Prishtina e Beogradi të shfaqin më shumë gatishmëri për lëshime serioze në këtë "fazë vendimtare".

"Të dyja palët duhet ta kuptojnë se nuk mund të marrin 100 për qind të asaj çfarë kërkojnë. Duhet të kuptojnë që nëse zgjidhin 50 për qind (të kërkesave të tyre), atëherë ky është rezultat më i dëshirueshëm për të dyja palët, sesa asnjë marrëveshje", ka thënë Ischinger në një intervistë dhënë sot të përditshmes londineze "Financial Times".

Kur bëhet fjalë për qëndrimet e kundërta të SHBA-së dhe Rusisë, Ischinger ka thënë se, Moska gjithmonë ka thënë se nuk duhet të ngutet me zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por muajin e kaluar ajo ka mbështetur deklaratën e Grupit të Kontaktit që “zgjidhja duhet të gjendet… pa zvarritje".

Ischinger ka shtuar se, definicioni amerikan i pavarësisë, është identik me atë evropian, dhe nuk nënkupton pavarësi të pakufishme por "pavarësi të kontrolluar saktësisht" me praninë e misionit të BE-së dhe NATO-s dhe me autorizime për të marrë vendime.