LAJMI I FUNDIT:

I kërcënoi tha se do t’i privonte nga jeta – Prokuroria ngre aktakuzë ndaj Fikrim Damkës dhe nipit të tij

I kërcënoi tha se do t’i privonte nga jeta – Prokuroria ngre aktakuzë ndaj Fikrim Damkës dhe nipit të tij

Prokuroria Themelore e Prizrenit, ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit njëherit kryetarit të KDTP-së Fikrim Damka dhe nipit të tij për “sulm” dhe “kanosje”.

Prokuroria ka thënë se ekziston dyshimi i bazuar se secili veç e veç kanë kryer veprat penale “Sulmi” nga neni 184 par.1, dhe “Kanosja” nga neni 181 par.2 lidhur me par.1, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Sipas aktakuzës, i pandehuri i parë F.D.(1972), me datë 09.02.2025, rreth orës 17:20 min, në Prizren, përdor forcën fizike ndaj të dëmtuarve A.M., dhe M.J., për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëhershme në mes tij dhe të dëmtuarit M.J., lidhur me publikimin e disa informatave dhe lajmeve në rrjetet sociale, për partinë “KDTP” dhe për kryetarin e partisë-të pandehurin F.D.(1972), derisa të dëmtuarit ishin duke qëndruar në parkun e lagjes me disa anëtarë tjerë të partisë së tyre “YTHP”, për një moment i pandehuri hyn në park dhe me vrull i afrohet të dëmtuarës, dhe i drejtohet me fjalë kanosëse, dhe më pas me dy duart e kap të dëmtuarën nga pjesa e supeve dhe e shtynë, ku më pas aty ndërhyjnë të pranishmit dhe e largojnë të njëjtën nga parku, më pas i pandehuri i drejtohet të dëmtuarit M.J., me fjalë kanosëse dhe menjëherë e sulmon, duke e goditur me trupin e tij, trupin e të dëmtuarit dhe me kokën e tij e shtyen kokën e të dëmtuarit, me ç`rast tek i dëmtuari shkakton dhimbje fizike. Me këto veprime, i njëjti kryen veprën penale “Sulmi” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.


Prokuroria tutje shton se i pandehuri i parë F.D. (1972), seriozisht i kanosë me fjalë, të dëmtuarit A.M., dhe M.J., se do t`i privojë nga jeta, me ç`rast të dëmtuarve u shkakton frikë, ankth dhe pasiguri personale. Me këto veprime i njëjti, kryen veprën penale “Kanosja” sipas KPRK-së.

Kryetari i KDTP-së, Fikrim Damka mohon akuzat, pretendimet për sulm e kanosje i quan fushatë shpifëse
Lexo po ashtu Kryetari i KDTP-së, Fikrim Damka mohon akuzat, pretendimet për sulm e kanosje i quan fushatë shpifëse

Ndërsa, i pandehuri i dytë F.D. (1992), me datë 09.02.2025, rreth orës 17:20 min, në Prizren, përdor forcën fizike ndaj të dëmtuarit M.J., në atë mënyrë që për shkak të rrethanave të cekura si më lart, të njëjtin e sulmon duke e shtyer me duar nga gjoksi i të dëmtuarit, me ç`rast tek i dëmtuari shkakton dhimbje fizike.

“Me këto veprime, i njëjti kryen veprën penale “Sulmi” sipas KPRK-së. Gjithashtu, pandehuri i dytë F.D. (1992), seriozisht e kanosë me fjalë të dëmtuarin M.J., se do t’i shkaktojë ndonjë të keqe, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, në atë mënyrë që, pasi e sulmon të dëmtuarin, i drejtohet me fjalë kanosëse, me ç`rast tek i dëmtuari shkakton frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Kanosja” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit. /Telegrafi/