LAJMI I FUNDIT:

Këto video-lojëra askush nuk i ka blerë

Këto video-lojëra askush nuk i ka blerë

Nga studio zhvillimi Techland është konfirmuar përfundimisht se askush nuk e ka blerë edicionin e çmendur të lojës Dying Light, i cili u shite për 386 mijë dollarë.

Cila është loja më e shtrenjtë në botë? Kjo varet nga se si e definoni.

Një kopje e paprekur e video-lojës Super Mario Bros. nga viti 1985 u shit në një ankand disa vite më parë për dy milionë dollarë, prandaj mund të thuhet se ky është shuma më e madhe ndonjëherë e paguar për një video-lojë.


Simulimi hapësinor Star Citizen kushton 45 dollarë, por për të pasur të gjithë përmbajtjen në këtë video-lojë, ju nevojiten 48 mijë dollarë. Pra, kjo është ndoshta pakoja më e shtrenjtë e përmbajtjes në një video-lojë.

Megjithatë, çmimi më i kërkuar për një lojë në shitje të lirë i përket Dying Light nga viti 2015, ose më saktë edicionit të veçantë të kësaj loje, të quajtur My Apocalypse Edition. Ky edicion u shite për 386 mijë dollarë, dhe ndër të tjera premtonte mësime për parkur, pelena për të rritur dhe më e shtrenjta nga të gjitha – një strehë e ndërtuar për apokalipsën me zombie.

Në dhjetë vitet e fundit nuk ka ndodhur një apokalips zombie (pavarësisht se disa mund të thonë se doomscrolling ka shndërruar njerëzit në zombie në kërkim të dopaminës), kështu që nuk kishte nevojë për strehën e edicionit My Apocalypse të Dying Light. Edhe ato pelena për të rritur, ndoshta mbetën të papërdorura. Faktikisht, kohët e fundit, në një bisedë për Insider Gaming, ekipi i Techland ka zbuluar se nuk kishte asnjë blerës për edicionin e video-lojës prej 386 mijë dollarësh.

“Ky ishte një truk PR që na solli shumë vëmendje mediatike për shkak të ekzagjerimit të çmendur, i krijuar për të nxitur diskutime rreth lojës para daljes së saj. Ishte një truk i shkëlqyer për reklamimin e lojës, por për fat të mirë, askush nuk e bleu”, zbuloi Paulina Dziziak nga Techland. /Telegrafi/