LAJMI I FUNDIT:

Si përfundoi në fajde furrtari nga Prizreni?

Si përfundoi në fajde furrtari nga Prizreni?

Brenda pak muajsh në Prizren janë arrestuar mbi 10 persona të dyshuar për fajde. Grupet kriminale kishin arritur të zhvatin qindra mijëra euro kamata.

Emisioni “KallxoPernime” ka transmetuar të gjithë operacionin, gjatë të cilit në flagrancë u arrestua grupi, i cili dyshohet se janë pjesë e këtij rasti.

Një tjetër skemë e fajdeve në Prizren u deshifrua nga Prokuroria e Prizrenit dhe Krimet ekonomike në fund të vitit 2024.


Një burrë rreth të 40-ve, vendosi ta denoncojë ish-partnerin e tij në biznes, i cili i kishte dhënë para me fajde.

Deklarata e tij e marrë në kushte shumë diskrete të Prokurorisë, tregonte se vlera e borxhit të tij kishte arritur në rreth 18 mijë euro për shkak të kamatave dhe pamundësisë për t’i paguar këstet.

Një ekip special i hetuesve të Policisë dhe Prokuroria u angazhuan për të hetuar këtë ngjarje në secilin hap.

Prokurori Atnor Skoro, i cili ishte vënë në krye të hetimit, solli detaje nga operacioni që rezultoi më disa të arrestuar.

“Viktimë e rastit ka qenë një furrtar që e ka hapur një furrë me të dyshuarin dhe në momentin që biznesi nuk ka shkuar mirë i dyshuari në vazhdimësi i ka kërkuar para me fajde viktimës dhe kjo ka ndikuar në gjendjen financiare por edhe emocionale te viktimës. Vlera është 20 mijë euro. Kamatat kanë fillu me 10-15% sikurse në rastin e parë duke filluar me 300 euro, 500 euro fillimisht mujore e pastaj javore, tha Skoro.

Presioni ndaj viktimës që t’i paguajë këstet e fajdesë ishte i formave të ndryshme.

“I dyshuari përmes telefonatave dhe takimeve e ka kërcënuar në vazhdimësi viktimën dhe lidhur me këtë rast edhe një anëtar të familjes që e ka kanosur viktimën pas arrestimit të të dyshuarit për fajde e kemi arrestuar edhe atë dhe ja kemi caktuar masën e paraburgimit”, theksoi prokurori Skoro.

Sipas prokurorit të Prizrenit, masa e paraburgimit në raste të tilla është shumë e rëndësishme.

“Të pandehurit në të dy rastet janë në paraburgim. Masa e paraburgimit është shumë e rëndësishme në këto raste sepse parandalon ndikimin në hetime, ndikimin në dëshmitarë, ndikimin në të dëmtuar”, theksoi prokurori Skoro.

Prokurori i çështjes e kishte bindur viktimën që në masa të fshehta të bëj dorëzimin e parave tek i pandehuri, i cili në vazhdimësi kishte përfituar nga fajdetë.

Takimi midis viktimës dhe të pandehurit ishte caktuar në hapësirat e një parkingu. Hetuesit kishin arritur të arrestojnë të dyshuarin dhe bashkë me të t’i kenë në dorë edhe paratë të cilat ishin dhënë për fajde.

Këto pamje i sjell ekskluzivisht emisioni “KallxoPernime”.

Më pas u bastisën edhe shtëpitë e të dyshuarave.

Prokurori Atnor Skoro, pret që të ketë edhe viktima të tjera të fajdeve në Prizren, teksa i inkurajon që t’i paraqesin rastet në Prokurori, qoftë fizikisht apo përmes adresave elektronike. /Kallxo.com/