LAJMI I FUNDIT:

Rruga drejt mirëqenies

Rruga drejt mirëqenies

Nga: Radosław Sikorski, ministër i Punëve të Jashtme të Polonisë

Duke lexuar mediat sociale kohët e fundit, kam gjetur një hartë që tregon të gjitha vendet me Prodhim të Brendshëm Bruto (PBB) për frymë më të lartë se Polonia në vitin 1990 dhe 2018. Bie në sy një ndryshim shumë i madh ndërmjet këtyre dy viteve. Ndërsa 35 vjet më parë nuk ishin të pakta vende të tilla, jo vetëm në Evropë, por edhe në Amerikën e Jugut, Azi dhe Afrikë, me kalimin e kohës numri i tyre është ulur ndjeshëm.

Në vitin 2018, në hartë nuk figuron më asnjë shtet i Amerikës së Jugut apo Afrikës. Në vitin 2025, ky grup është zvogëluar edhe më tej. Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), PBB-ja e Polonisë në vitin 1990 ishte vetëm 6 690 dollarë amerikanë (llogaritur në dollarë aktualë). Në vitin 2024 ky tregues u rrit pothuajse tetëfish, duke arritur 51 630 dollarë amerikanë. E gjithë kjo u realizua në vetëm tri dekada, brenda një gjenerate. Dhe, vazhdon të ndodhë. Sipas parashikimit të Komisionit Evropian, në vitet 2024-‘25 ekonomia polake do të jetë ajo me rritjen më të shpejtë ndër ekonomitë e mëdha të Bashkimit Evropian.


Si u arrit ky stad?

Përveç punës së shkëlqyer të qytetarëve tanë, në këtë sukses ekonomik kanë pasur ndikim edhe dy faktorë kryesorë, ose më saktë, dy institucione: NATO dhe Bashkimi Evropian. Institucioni i parë, të cilit Polonia iu bashkua në vitin 1999, ofroi garanci sigurie dhe ndihmoi në kapërcimin e ndarjes prej dekadash ndërmjet Evropës Lindore dhe Perëndimore. Institucioni i dytë, të cilit iu bashkuam pesë vjet më vonë, e çoi procesin e reduktimit të pabarazive të trashëguara në një stad më të lartë. Ai u dha vendeve të reja anëtare akses në të ashtuquajturat “fondet e kohezionit”, por ajo që ishte më e rëndësishmja, në tregun e përbashkët evropian.

Burimet e suksesit

Pas rënies së komunizmit në Poloni në vitin 1989 dhe fillesave jo të lehta të demokracisë, me gjithë grindjet e përditshme të partive politike, një gjë mbeti konstante: vendosmëria e Polonisë për t’u bashkuar me dy organizatat e sipërpërmendura, pavarësisht se cila forcë politike ishte në pushtet.

Pse?

Ne jemi një komb i madh, por gjithsesi një vend mesatar për nga madhësia. Ne e shohim me admirim historinë tonë të gjatë; ky vit shënon njëmijëvjeçarin e kurorëzim it të mbretit tonë të parë, por popullsia jonë është shumë më e vogël se ajo e Pekinit dhe Shangait, të marra së bashku. Polonia ka nevojë për aleatë, për të rritur potencialin e saj në arenën ndërkombëtare. Ajo ç’ka qenë e vërtetë për Poloninë e vitit 1990, një vend i varfër pas katër dekadave të dominimit rus dhe keqmenaxhimit ekonomik, mund të jetë e vërtetë edhe për shumë vende nga grupi i të ashtuquajturave “fuqi të mesme” në Azi, Afrikë dhe Amerikën e Jugut, të cilat kërkojnë hapësirë për t’u zhvilluar.

Këto vende, shpesh kanë nevojë për ato që Polonisë i nevojiteshin dëshpërimisht para 35 vjetësh dhe nga të cilat ende përfiton: qeverisja e mirë dhe investimet e huaja, pa imponuar detyrime të pafavorshme, por mbi të gjitha stabiliteti politik; sundimi i ligjit dhe mjedisi i parashikueshëm ndërkombëtar, me fqinjët e prirur për të punuar së bashku për përfitim reciprok, e jo për të zhvilluar luftëra. Në fakt, nga këta faktorë mund të përfitojë çdo vend, pavarësisht nga niveli respektiv i PBB-së.

Sot rendi ndërkombëtar po përballet me sfida në shumë fronte. Ndonjëherë për arsye kuptimplota. Institucione që veprojnë prej dekadash, duke përfshirë OKB-në dhe Këshillin e Sigurimit të saj, po dështojnë të përfaqësojnë komunitetin global dhe po rezultojnë të paafta për të zgjidhur situatat me të cilat ndeshemi. Ajo që këto organizata kanë nevojë aktualisht, është që të reformohen tërësisht, por jo të refuzohen plotësisht.

Iluzionet imperialiste

Për ata që janë të etur për ndryshime, përdorimi i forcës mund të duket tërheqës. Do të ishte në fakt një gabim. Braktisja e forumeve të dialogut ndërkombëtar dhe ushtrimi i dhunës nuk do të na çojnë larg. Le të marrim në shqyrtim agresionin e paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës. Sipas propagandës së Kremlinit, ky është një reagim i justifikuar ndaj imperializmit perëndimor, që pretendohet se kërcënon sigurinë e Rusisë. Në fakt, është një luftë koloniale e ditëve moderne kundër popullit ukrainas, i cili ashtu si ne polakët 30 vjet më parë, kërkon një jetë më të mirë dhe e kupton se nuk mund ta arrijë kurrë këtë qëllim, duke u rikthyer te nënshtrimi ndaj Rusisë. Kjo është ajo për të cilën ata po ndëshkohen, përpjekja për t’u çliruar nga kontrolli i një ish-metropoli.

Agresioni i Kremlinit është një luftë e dëshpëruar e një perandorie të dështuar, për të rivendosur sferën e ndikimit. Fitorja e Rusisë, që uroj të mos ndodhë kurrë, nuk do të krijonte një rend global më të drejtë. Nga kjo nuk do të përfitonin as vendet që janë të pakënaqura me gjendjen aktuale. Nuk do të sillte as një Rusi më të drejtë dhe më të begatë. Mjafton të thuhet se tani në Rusi janë më shumë të burgosur politikë sesa ishin në vitet 1980, kur Bashkimi Sovjetik pushtoi Afganistanin.

Viktimat do të ishin më të shumta. Lufta nuk është kurrë një rrugë e shkurtër drejt begatisë. Gjatë mijëvjeçarit të fundit Polonia përjetoi pjesën e saj të pushtimeve dhe kryengritjeve kundër forcave pushtuese. Ishin tri dekada paqe, ato që më në fund na sollën mirëqenie, parashikueshmëri, bashkëpunim ndërkombëtar dhe stabilitet politik. Kjo është arsyeja, pse me marrjen e presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, Polonia e bëri të qartë prioritetin e saj, sigurinë në dimensionet e saj të shumta, nga ato ushtarake, ekonomike e deri tek ato digjitale. Nga Evropa e sigurt, e begatë dhe e hapur për biznes mund të përfitojnë jo vetëm evropianët, por edhe një komunitet më i madh global. Ashtu siç përfitoi Polonia gjatë tri dekadave të fundit. Mund të tingëllojë e mërzitshme, por funksionoi. Mjafton të shihni numrat. /Opinion i shkruar për gazetën “Panorama” të Shqipërisë/