LAJMI I FUNDIT:

Balluku: Avancojnë punimet për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës

Balluku: Avancojnë punimet për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës

Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës me nga dy korsi në secilën anë, ku njëra do të shërbejë për emergjencat, do ta kthejë atë nga autostradë e kategorisë “B”, në autostradë të kategorisë “A”.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku përcolli sot pamje nga kantieri duke bërë të ditur se punimet kanë avancuar.

“Në autostradën Tiranë-Durrës po avancojmë përditë punimet për finalizimin e këtij projekti të rëndësishëm”, u shpreh ajo.


Shtimi me 4 korsi jep mundësinë për shpejtësi deri në 130 km dhe e sjell në parametrat e të gjitha autostradave të reja që po ndërtohen.

Segmenti i parë ku po ndërhyhet është 6 km, nga Kthesa e Kamzës deri në Mbikalimin e Rinasit.

Përveç zgjerimit me dy korsi, i gjithë trupi i rrugës do të ribëhet me shtresa rrugore dhe asfaltike, për shkak se tashmë kjo rrugë ka mbaruar ciklin e jetës.

Ajo ishte parashikuar për një fluks makinash prej 40 mijë mjetesh në 24 orë, ndërsa tani në pikun e fluksit shkon edhe 94 mijë mjete. Rehabilitimi dhe zgjerimi i të gjithë rrugës kushton 250 milionë euro.

Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullim e automjeteve mes kryeqytetit dhe qytetit bregdetar, veçanërisht gjatë sezonit veror.