LAJMI I FUNDIT:

Sa ishte pjesëmarrja e votuesve në tri zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë?

Sa ishte pjesëmarrja e votuesve në tri zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë?

Pjesëmarrja në zgjedhje është një tregues i rëndësishëm i angazhimit të qytetarëve në proceset demokratike dhe ecurisë së institucioneve të shtetit.

Në tri zgjedhjet parlamentare të fundit në Kosovë, mund të vërehet një trend i ndryshimeve të pjesëmarrjes, i cili tregon për një luhatje të interesimit dhe angazhimit të qytetarëve në procesin zgjedhor.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, Kosova kishte 1.888.059 votues të regjistruar.


Nga këta, 747.228 qytetarë morën pjesë në zgjedhje në secilin vendvotim, ndërkohë që 32.501 votues përdorën mundësitë e votimit jashtë vendvotimit (përmes kushteve speciale si VPNV dhe postës).

Kjo solli një pjesëmarrje totale prej 41.30 përqind.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, numri i votuesve të regjistruar ishte më i lartë, 1.961.213. Pjesëmarrja në vendvotime ishte gjithsej 826.916 votues, ndërsa votimi jashtë vendvotimit kishte përfshirë 47.035 votues.

Përkundër rritjes në numrin e votuesve, pjesëmarrja në zgjedhje arriti në 44.56 për qind, duke treguar një rritje të vogël të interesit dhe angazhimit të qytetarëve në krahasim me vitin 2017, por ende shumë më poshtë nivelit të dëshiruar.

Ndërsa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Kosova regjistroi një numër total të votuesve të regjistruar prej 1.851.927.

Në këto zgjedhje, 814.129 qytetarë votuan në vendvotime, dhe 89.257 votues përdorën mundësitë për të votuar jashtë vendvotimit (me kusht, VPNV dhe postë).

Pjesëmarrja në votime ishte 48.78 për qind, një rritje dukshme krahasuar me dy vitet e mëparshme.

Ndërkaq, në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 të drejtë votë kanë 1,970,944, mirëpo ende nuk është kryer i gjithë procesi i numërimit për të ditur saktë numrin e atyre që morën pjesë në procesin zgjedhor.