LAJMI I FUNDIT:

Gjykimi i të akuzuarit për masakrën në Burgun e Dubravës, dëshmitari: Nja gjashtë herë më kanë qitë me m’vra

Gjykimi i të akuzuarit për masakrën në Burgun e Dubravës, dëshmitari: Nja gjashtë herë më kanë qitë me m’vra

Në gjykimin ndaj Gavrilo Milosavleviqit, i akuzuar për masakrën në Burgun e Dubravës, në seancën e së enjtes, më 06.02.2025, është dëgjuar dëshmitari Nijazi Kryeziu, i cili gjatë dëshmisë së tij rrëfeu se si i kishin dërguar në Burgun e Dubravës dhe mënyrën se si i kishin trajtuar ata.

I pandehuri Gavrilo Milosavleviq po akuzohet se në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore ndaj të burgosurve civilë të nacionalitetit shqiptar.

Dëshmitari Nijazi Kryeziu rrëfeu se më 30.04.1999 në ora 09:15 ose 10:00 paradite, me sa i kujtohej, e kishin pritur gardianët e Burgut të Dubravës dhe porsa kishin dalë nga autobusi në të cilin kishin qenë kishin filluar goditjet “tradicionale” dhe për ta ishte paraparë Pavijoni B.

“23 ditë më ka ra të rri në atë burg dhe kur kemi hyrë në atë burg natyrisht kam qenë për herë të parë në Burgun e Dubravës. Kemi pasë me vete ish të burgosur të cilët kanë qenë më herët të burgosur në Dubravë dhe janë transferuar për Serbi për çështje sigurie mirëpo janë kthyer së bashku me ne. Mbi 8 që i kam njohur personalisht të burgosur nga Prizreni dhe ata i kanë njohur të gjithë me emra dhe mbiemra” – tha Kryeziu.

Ai po ashtu bëri të ditur se gardianët e kishin pasur një slogan: “Ne nuk rrahim por vrasim”. Ndërsa gjatë kohës që i kishin rrahur ai tha se nuk kishin lënë që të ngrinin kokën.

”Arsyeja pse kurrë nuk na kanë lanë me ngritë kokën ka qenë mos me i mbajtë mend” – tha Kryeziu.

“Nëse ke qenë përveç shqiptar dhe ushtar i UÇK-së je kanë i preferuar 2 herë për me u rrahë ma shumë” – shtoi tutje Kryeziu.

Ndërsa më 22.05.1999 Kryeziu tha se i kishin grumbulluar të gjithë, kinse për t’i transferuar në burgje të tjera por ende pa përfunduar grumbullimi i të burgosurve tha se kishte nisur ekzekutimi.

Dëshmitari tha se ka qenë një ekip prej 6 personave për t’i numëruar se kush ishin të gjallë, e kush ishte i plagosur e në mesin e tyre tha se kishte qenë edhe vetë. Dëshmitari Kryeziu tha se në fund ky ekip ka vendosur t’i numërojë edhe të vdekurit. Sipas numërimit që kishin bërë ai tha se mendon se kishin qenë 174 të burgosur të vrarë.

Ai rrëfeu se gjatë qëndrimit 28 ditësh në pavijonin “B” kishte pasur lëndime të rënda, kishte qenë pa vetëdije, kishte pasur dhimbje dhe nuk kishte mundur të flinte natën dhe gjatë asaj kohe në Dubravë ia kishin vendosur një nofkë “Lugat”. “Nja 6 herë më kanë qitë me m’vra, por qe gjallë jam” – tha Kryeziu.

“Këta e kanë pasur një lloj krenarie mes veti se kush më shumë po rreh shqiptarë” – tha dëshmitari Kryeziu gjatë seancës së sotme.

“Çfarë veprime ka ndërmarrë konkretisht tani i akuzuari në Burg të Dubravës qoftë ndaj teje apo dikujt? – e pyeti prokurori Kastriot Memaj.

“Personalisht jam dëshmitar i pranimit te dera e Burgut të Dubravës më 30 prill (1999), ky ka qenë pjesë e ekipit në pritje dhe më 12 ose 13 maj nuk më kujtohet a ka qenë e mërkure apo e enjte dhe ka qenë pjesëmarrës” – tha Kryeziu.

Më 22.05.1999 kur i kishin nxjerrë jashtë burgut (të salla e sportit) ai rrëfeu se e ka parë të akuzuarin Gavrilo Milosavleviq dhe i njëjti kishte qenë pa maskë tërë kohën me dy apo tre persona të tjerë.

Po ashtu në seancën e sotme para këtij dëshmitari është paraqitur në gjykatore edhe dëshmitari Ukë Thaqi. Për të Prokuroria i kishte përfunduar pyetjet në seancën e kaluar ndërsa mbrojtja e të akuzuarit nuk pati ndonjë pyetje për të.

Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i përbërë nga Vesel Ismaili – kryetar, dhe Arben Hoti dhe Kujtim Krasniqi – anëtarë.

Shqyrtimi gjyqësor i radhës pritet të mbahet gjatë muajit mars 2025.

Aktakuza ndaj të pandehurit Gavrilo Milosavleviq ishte ngritur më 29.11.2023, ndërsa shqyrtimi fillestar ishte mbajtur më 07.12.2023.

Gjatë shqyrtimit fillestar i akuzuari Milosavleviq pas leximit të aktakuzës nga Prokuroria kishte deklaruar se e ka kuptuar veprën për të cilën po akuzohet, mirëpo, kishte deklaruar se nuk ndihet fajtor.

Dosja e e prokurorisë

Sipas dosjes së Prokurorisë, në periudhën kohore 1998-1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, i pandehuri Gavrilo Milosavleviq në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore ndaj të burgosurve civilë të nacionalitetit shqiptarë.

Sipas aktakuzës, Gavrilo Milosavleviq në bashkëkryerje me njësitë policore serbe kishin kryer vrasjen masive të të burgosurve shqiptarë, me ç’rast në ditën e incidentit kishin urdhëruar që në oborrin e burgut, i njohur si fusha e sportit”, të dalin 1 mijë të burgosur, me arsyetimin se do t’i numëronin të burgosurit dhe do t’i dërgonin në ndonjë vend tjetër më të sigurt për t’i mbrojtur të burgosurit nga bombardimet e NATO-s.

Tutje, sipas aktakuzës, menjëherë pas rreshtimit të të burgosurve njësitë policore serbe i kishin gjuajtur me të gjitha llojet e armëve, si kallashnikovë, mitralozë, mortaja dhe armë të tjera, kurse nga mbrapa murit të burgut me granata dore.

Nga ky operacion i vrasjes, i cili kishte filluar nga 22.05.1999 dhe kishte zgjatur deri me 24.05.1999, si rezultat i këtyre sulmeve kishin mbetur të vrarë 109 të burgosur dhe 108 të burgosur kishin mbetur të plagosur.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Milosavleviq në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë ushtarakë serbë kishin shkuar thuajse çdo ditë në pavijonet “B” dhe “C” (pavijonet e Burgut të Dubravës), duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore të burgosurit civilë shqiptarë, duke i ofenduar dhe maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, pa ndonjë arsye, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.

Për këto veprime, i akuzuari Gavrilo Milosavleviq akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale – krim i luftës kundër popullsisë civile.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në link, raporton KALLXO.

Në trend Lajme

Më shumë

"S'është i besueshëm për SHBA-në", Kurti e komenton deklaratën e Grenellit

Politikë
Kosovarët s'mund të aplikojnë për viza pune në Gjermani - plotësohen terminet për 2025-ën

Kosovarët s'mund të aplikojnë për viza pune në Gjermani - plotësohen terminet për 2025-ën

Lajme
Gjykimi i të akuzuarit për masakrën në Burgun e Dubravës, dëshmitari: Nja gjashtë herë më kanë qitë me m'vra

Gjykimi i të akuzuarit për masakrën në Burgun e Dubravës, dëshmitari: Nja gjashtë herë më kanë qitë me m'vra

Drejtësi
Emisari i ri i dialogut bisedon ndaras me Bislimin dhe Petkoviqin, merr ftesa për vizita në Kosovë e Serbi

Emisari i ri i dialogut bisedon ndaras me Bislimin dhe Petkoviqin, merr ftesa për vizita në Kosovë e Serbi

Politikë
Mandl: Dialogu është në ngërç, Vuçiq ka shmangur marrëveshjen, ka luajtur shumë lojëra me akterët evropianë

Mandl: Dialogu është në ngërç, Vuçiq ka shmangur marrëveshjen, ka luajtur shumë lojëra me akterët evropianë

Lajme
Babai i Hashim Thaçit përsëri në spital, avokati Misetic: Specialja ia ka refuzuar kërkesën për vizitë

Babai i Hashim Thaçit përsëri në spital, avokati Misetic: Specialja ia ka refuzuar kërkesën për vizitë

Lajme
Kalo në kategori