LAJMI I FUNDIT:

Greqia urdhëron mbylljen e shkollave pasi dhjetëra tërmete tronditën ishullin e famshëm Santorini

Greqia urdhëron mbylljen e shkollave pasi dhjetëra tërmete tronditën ishullin e famshëm Santorini

Shkollat në ishullin turistik grek të Santorinit do të qëndrojnë të mbyllura të hënën pasi dhjetëra tërmete të vogla tronditën rajonin, njoftuan autoritetet e mbrojtjes civile.

Zyrtarët qeveritarë, duke përfshirë ministrin e Mbrojtjes Civile, Vasilis Kikilias, urdhëruan lëvizjen pas një sërë lëkundjesh në det rreth Santorinit dhe ishujve përreth, vendi i një prej shpërthimeve më të mëdha vullkanike në histori, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Atje, siç raportojnë mediat, janë regjistruar dhjetëra tërmete të vogla dhe më i forti deri tani ishte me magnitudë 4.6 ballë.


Të dielën, tërmete me magnitudë 4.1 dhe 4.5 kanë tronditur rajonin, sipas Departamentit të Gjeofizikës të Universitetit të Athinës.

Atij i kanë paraprirë 11 tërmete të tjera brenda pak orësh.

Autoritetet thanë se tërmetet janë për shkak të aktivitetit tektonik dhe jo vullkanik, sipas Agjencisë së Lajmeve të Athinës.

Autoritetet greke u bënë thirrje qytetarëve që të shmangin grumbullimet e mëdha në hapësira të mbyllura dhe të qëndrojnë larg zonave të caktuara të ndërtuara.

Santorini është një nga ishujt më të njohur grekë për turistët që ka një popullsi prej vetëm 15,500 banorësh, por mirëpriti 3.4 milionë vizitorë në vitin 2023, duke ngritur shqetësime për “fenomenin e turizmit të tepruar”. /Telegrafi/