LAJMI I FUNDIT:

Si identifikohen dokumentet e falsifikuara dhe cilat janë më të shpeshtat në Kosovë, flet kryeshefi i Forenzikës

Si identifikohen dokumentet e falsifikuara dhe cilat janë më të shpeshtat në Kosovë, flet kryeshefi i Forenzikës

Kreu i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë (AKF), Ilir Kukaj, ka shpjeguar procesin e identifikimit të dokumenteve të falsifikuara dhe llojet më të shpeshta të falsifikimeve në vend.

Sipas Kukajt, dokumentet verifikohen duke u krahasuar me specifikat e prodhimit të vendosura nga organet kompetente dhe duke analizuar elementet e sigurisë të integruara gjatë procesit të prodhimit.

“Secili shtet apo organ kompetent i integron elementet e sigurisë së tij në dokumentet që prodhon. Kosova i ka këto elemente të integruara në dokumentet e udhëtimit, pasaportat, lejet e njoftimit, patentë shoferët, certifikatat e lindjes e të tjera”, ka thënë ai në emisionin FIVE.


Sipas tij, divizioni i dokumenteve, dorëshkrimit dhe parasë në AKF është i pajisur me teknologjinë më të avancuar, e cila përfshin një bazë të dhënash me fotografi të elementeve të sigurisë nga dokumente të ndryshme të gjithë botës.

Ai ka potencuar se kjo u mundëson ekspertëve të analizojnë nëse një dokument është i falsifikuar, pavarësisht vendit të origjinës.

Sa i përket falsifikimeve më të shpeshta në Kosovë, Kukaj ka bërë të ditur se për ekspertim sjellën kryesisht dokumente të udhëtimit dhe pasaporta.

Një numër i madh i provave që analizohen janë edhe para, qoftë bankënota apo monedha.

“Konkretisht po flas për divizionin e dokumenteve, dorëshkrimit dhe parasë kanë pajisje të teknologjisë së fundit. Të cilët i kemi blerë para dy vjetëve, kanë qasje edhe në bazën e të dhënave të dokumenteve që është pjesë e pajisjes, që përmban fotografi të elementeve të sigurisë së dokumenteve të ndryshme gjithë shteteve të botës, pastaj edhe fotografi që ekspertët i përdorin për me arritur te konstatimi nëse një dokument i lëshuar nga një organ kompetent jo vetëm në Kosovë por edhe shteteve të tjera të vërtetojë nëse është i falsifikuar apo jo”, ka deklaruar ai.

Ai ka theksuar gjithashtu se vitin e kaluar ka pasur një rritje të ndjeshme të rasteve të falsifikimit të monedhave 2-euroshe, ndërsa këtë vit, ndonëse tendenca vazhdon, ka një rënie krahasuar me vitin e kaluar.