LAJMI I FUNDIT:

E thirrën jashtë lokalit dhe e qëlluan, identifikohen 2 autorët e ngjarjes në Orikum

E thirrën jashtë lokalit dhe e qëlluan, identifikohen 2 autorët e ngjarjes në Orikum

Dy persona janë shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së dielës në Orikum, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të 29-vjeçarit Sidi Velaj.

Policia bën me dije se në ngjarje kanë qenë të përfshirë dy persona: njëri prej tyre, i identifikuar si autori i sulmit, shtetasi Qerim Bello. Ndërsa tjetri dyshohet se ishte drejtuesi i mjetit që ndihmoi autorin të largohej nga vendi i ngjarjes.

Burime nga grupi hetimor thonë se ngjarja është zbardhur plotësisht dhe po vijon puna për arrestimin e autorëve. Në drejtim të 29-vjeçarit janë qëlluar 10 plumba me pistoletë, nga të cilët tre e kanë plagosur. Velaj u transportua mbrëmjen e djeshme në Tiranë për mjekim më të specializuar.


Autori i ngjarjes ka përdorur një automjet tip “Golf 5”, për t’u larguar nga vendngjarja. Mësohet se autori ka thirrur viktimën jashtë lokalit dhe ka qëlluar disa herë me armë zjarri. Pas kësaj, ai dhe bashkëpunëtori kanë hipur në makinë, duke qëlluar sërish gjatë largimit.

Të rinjtë kishin pasur konflikte disa ditë më parë për motive të dobëta, të cilat kishin agravuar në dhunë fizike me grushte dhe shkelma. Policia ka pasur njoftime për këto konflikte dhe ngjarja ishte proceduar penalisht në stacionin policor të Orikumit. Megjithatë, nuk ishte marrë asnjë masë për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit apo shuarjen e tij, çka ka çuar në këtë akt të rëndë.

Autoritetet po punojnë intensivisht për të arrestuar autorët dhe për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.